Skema Kombëtare, Denaj: Financim për investime në akuakulturë deri në 15 milionë lekë

TIRANË, 16 gusht/ATSH/ Skema Kombëtare e Investimeve 2025 po ofron mundësi të reja për zhvillimin e sektorit bujqësor, me fokus të veçantë këtë vit tek investimet në akuakulturë.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, bëri të ditur se përmes kësaj mase mbështetëse, ofrohet një grant prej 50% të vlerës së investimit për instalimin e rrjetave dhe koshave të rritjes së peshkut, duke synuar rritjen e kapaciteteve dhe fuqizimin e konkurrueshmërisë së produkteve shqiptare në tregjet e brendshme dhe të huaja.
Mbështetja financiare përfshin 50% të vlerës së faturave tatimore, por jo më shumë se 15 milionë lekë për subjekt. Përfituesit e kësaj skeme kanë gjithashtu mundësinë të kombinojnë grantin me Kredinë e Butë, e cila ofrohet me një interes prej vetëm 2%, si dhe me garancinë sovrane që mbulon deri në 70% të kolateralit të nevojshëm për kreditim, duke siguruar kështu financimin e plotë të investimit.
Aplikimet për Skemën Kombëtare të Investimeve 2025 do të jenë të hapura deri më 30 shtator dhe kryhen pranë zyrave qendrore të Agjencisë për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural (AZHBR).
Skema përfshin në total 9 masa mbështetëse për sektorin bujqësor, duke i dhënë mundësi fermerëve dhe sipërmarrësve ruralë të zgjerojnë veprimtarinë dhe të rrisin qëndrueshmërinë e prodhimit vendas. /a.gj/ /a.g/