KIEV – Zelensky do të udhëtojë të hënën në Uashington për bisedime me Trump

KIEV, 16 gusht /ATSH-DPA/- Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky do të udhëtojë të hënën për në Uashington – për bisedime me presidentin e SHBA-së Donald Trump, sipas një njoftimi sot në mëngjes në Telegram – pas një bisede telefonike me Trump.
“Të hënën do të takohem me presidentin Trump në Uashington, për të diskutuar të gjitha detajet në lidhje me përfundimin e luftës. Jam mirënjohës për ftesën”, postoi Zelensky në anglisht në X.
Ai tha se mbështet propozimin e Trump për një takim tripalësh me presidentin rus Vladimir Putin.
“Ukraina thekson se çështjet kryesore mund të diskutohen në nivelin e udhëheqësve dhe një format tripalësh është i përshtatshëm për këtë”, tha Zelensky.
Zelensky mbështeti përfshirjen e përfaqësuesve evropianë, veçanërisht për çështjen e garancive të sigurisë për vendin e tij.
Zelensky dhe Trump zhvilluan më herët një bisedë telefonike që zgjati rreth një orë.
Udhëheqësit evropianë iu bashkuan më vonë bisedimeve, që zgjatën më shumë se një orë e gjysmë në total.
Pas përfundimit të takimit SHBA-Rusi, Trump informoi Zelensky dhe liderët evropianë për “pikat kryesore të diskutimit” me Putinin. //a.i/