E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Skema Kombëtare, Denaj: Për të tretin vit radhazi sigurojmë 100% pagesa për fermerët

TIRANË, 24 dhjetor /ATSH/ Për të tretin vit radhazi qeveria siguron 100% pagesa për fermerët e kualifikuar të Skemës Kombëtare direkte.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj tha se, me aktin normativ të fundvitit, mbështetja për bujqësinë dhe blegtorinë arrin në një total prej 5,2 miliardë lekë  për 67 100 fermerë përfitues.

Sipas saj, 52 195 fermerë përfitojnë naftë pa taksa dhe do të disbursohen 100%.

Denaj ndau në rrjete sociale, historinë e Lavdi Pashkajt nga Barbullushi i Shkodrës, që prej disa vitesh i është përkushtuar bletarisë.

Ai kujdeset për 150 koshere bletësh. Lavdiu është përfitues i Skemës Kombëtare me 100% mbështetje për bletën dhe naftën.

Përmirësimi menaxhimit të Skemës Kombëtare 2024, për të bërë më të lehtë aplikimin për fermerët, i ka hapur rrugë aplikimit edhe në grup-operatorësh.

Për një bashkim operatorësh të qendrueshëm, të suksesshëm, masa e përfitimit është maksimale. Me minimumin 7 anëtarë, me përjashtim të fermerëve të serrave ku minimumi është 4 anëtarë, marrin të parët 100% të përfitimit, nëse aplikojnë të bashkuar.

Në Skemën Kombëtare 2024, aplikimet më të mëdha janë përqendruar në masat 1-7,(blegtori – gjedhë dhe të imta; bletari; bimë mjekësore; certifikim global GAP; ferma organike, inpute në serra) për të cilat ka rreth 15 mijë aplikime; pastaj mbështetja për naftën për punimet e mekanizuara, që zë pjesën më të madhe, me 54 500 aplikime. Në aplikimet në grup, risi për këtë vit, numri ka shkuar në 321 aplikime, ku pjesën më të madhe e zënë grupfermerët për serrat, ku limiti për të përfituar mbështetje ishte 1 hektar. Për naftën ka 8 grupime për mbi 10 hektarë, të cilët do të marrin 100% mbështetje.

/e.xh/r.e/ /a.g/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›