E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Skema Kombëtare, u financuan 67 133 fermerë me një fond prej 5,2 miliardë lekësh

TIRANË, 17 shkurt /ATSH/ Qeveria përmes Skemës Kombëtare në Bujqësi, adreson subvencione të drejtpërdrejta për fermerët dhe blegtorët duke i mbështetur ata në uljen e kostove dhe nxitjen e potencialit të prodhimit bujqësor vendas, që është mjaft i kërkuar nga tregu vendas dhe për eksport.

Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural ndau në rrjetet sociale historinë e 25-vjeçarit Aldo Shelqetja, nga Barbullushi i Shkodrës, i cili prej pesë vitesh ka ndërtuar një stallë.

Ai kujdeset për një tufë prej 50 krerësh gjedhë dhe qumështin e tregton përmes pikave të grumbullimit, duke garantuar cilësinë dhe standardet e ruajtjes.

Mbështetja nga Skema Kombëtare 2024 për tufën bazë të matrikulluar i ka mundësuar rritjen e numrit të krerëve dhe zgjerimin e fermës.

Sipas AZHBR -së, për të tretin vit radhazi, subvencionet e Skemës Kombëtare sigurojnë mbështetje të plotë për vijimin e punës dhe rritjen e prodhimit.

AZHBR financoi 67 133 fermerë në shkallë vendi, përmes Skemës Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi 2024. Nga të cilët 52 195 fermerë përfituan mbështetje për naftë, 3503 fermerë u financuan për tufën bazë të matrikulluar gjedhë, 5089 për tufën bazë të matrikulluar të imta, 4056 për bletarinë, 105 për fermat organike, 3 fermerë për certifikimin Global Gap, 1406 fermerë për fara, fidanë dhe inpute të tjera dhe 75 fermerë u financuan për bimët mjekësore – aromatike.

Pagesat u realizuan në masën 100%, me një fond total prej 5,2 miliardë lekësh.

Skema Kombëtare 2024 ofroi mbështetje për 8 masa: tufën bazë të matrikulluar (gjedhë dhe të imta); bletarinë; fermat organike; certifikimi Global Gap; fara, fidanë dhe inpute të tjera; bimët mjekësore – aromatike si edhe mbështetje me naftë për punimet e mekanizuara në bujqësi.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›