Skema e dyshuar e tjetërsimit të pronave në Seman, mbërrijnë në Gjykatën e Fierit 4 të arrestuarit

Në Gjykatën e Fierit ka nisur sot, në mesditë, seanca për verifikimin e kushteve dhe kritereve për caktimin e masës së sigurimit ndaj të arrestuarve K.K., E.SH., P.Ç. dhe B.K.
Sipas hetimeve të Prokurorisë së Fierit, kreu i Kadastrës Fier, E. Sh, dhe biznesmeni K. H kanë qenë prej muajsh nën hetim. Urdhër-arrestet janë ekzekutuar mbrëmjen e së mërkurës në Tiranë.
Biznesmeni, 72 vjeç, dyshohet se është bërë pronar i qindra hektarëve tokë në zonën e Semanit përmes dokumenteve të falsifikuara. Bashkë me të janë arrestuar edhe dy ish-drejtorë të Kadastrës së Fierit, E. Sh dhe B. K, si dhe juristi P. Ç.
Prokuroria e Fierit dyshon se në ndryshimin e pronësisë së tokës shtetërore rol kyç kanë pasur ish-drejtorët e Kadastrës dhe juristi. Sipas organit të akuzës, ata nuk kanë kërkuar konfirmim nga Agjencia e Trajtimit të Pronës, një verifikim që, sipas hetimeve, do të zbulonte se dokumentet e përdorura për ndryshimin e pronësisë ishin të falsifikuara.
Gjatë hetimit është zbuluar gjithashtu se ish-drejtori B. K, gjatë regjistrimit të njërës prej pasurive, ka tejkaluar sipërfaqen e përcaktuar në vendimin që dyshohet se ishte falsifikuar.
Në kuadër të hetimit, autoritetet kanë vendosur sekuestrimin e tokës, ndërsa janë sekuestruar edhe 150 mijë euro.
Gjykata e Fierit pritet të vendosë për masat e sigurimit ndaj të arrestuarve pas shqyrtimit të kërkesave të Prokurorisë.
/rtsh.al/