E Enjte, 5 Nëntor 2026

Skema e mbështetjes së fermerëve

Televizioni Publik Shqiptar mësoi nga autoritetet zyrtare se ndryshimet e reja ligjore do të reflektohen në ndryshimin dhe shfuqizimin e akteve të tjera. Janë saktësisht katër ligje të reja që përbëjnë paketën e re fiskale që shoqëron buxhetin afatmesëm 2022-2024, që janë ligji për tatimin mbi të ardhurat, ligji për TVSH, ligji për akcizat dhe ligji për taksat kombëtare.

Pjesa më e rëndësishme e ndryshimeve ligjore lidhet sidomos me mbështetjen që duhet të marrin fermerët pas anulimit të rimbursimit të TVSH në shitje në vlerën 6 për qind, për të cilën Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural (MBZHR) pohoi se skema e rimbursimit të TVSH-së 6% që nisi të aplikohet nga 2019, nuk e ndihmoi fermerin të formalizohet dhe të ulë çmimet për konsumatorin, pasi favorizonte grumbulluesit dhe jo fermerët.

MBZHR parashikon në vijim se do të hartojë skema direkte të subvencionimit të fermerëve që do të zëvendësojnë heqjen e përjashtimeve nga taksat. Qeveria ka krijuar një fond prej 32 milionë eurosh, që do të shkojë si mbështetje direkte për sektorin e prodhimit.

Përfaqësues të fermerëve nuk janë të kënaqur me këtë shumë. Sipas tyre, nëse formalizohet bujqësia, të ardhurat do të rriteshin 150 milionë euro. Fermerët kërkojnë subvencione direkte në vlerën 70 milionë euro për fermerët e fruta-perimeve dhe 5 milionë euro mbrojtje për bizneset eksportuese. Fermerët kanë kërkuar ndërkaq zbatimin e modelit të Maqedonisë së Veriut, ku grumbulluesit dhe tregtarët e fruta-perimeve regjistrohen edhe në Ministrinë e Bujqësisë dhe mbyllin dhe një fond garancie, i cili garanton likuidimin e faturave të fermerëve brenda një afati 60 ditor,  të përcaktuar në ligj

Skema e re që synon ndryshimin e formës së subvencionimit të fermerëve, duke zëvendësuar këtë rimbursim nuk është bërë ende efektive. Ministria e Bujqësisë nuk i është përgjigjur ende një kërkese të RTSH për informacion për këtë skemë të re për fermerët.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›