E Enjte, 5 Nëntor 2026

Kujdes me tatimet e vitit 2022

Jo të gjitha ndryshimet fiskale të miratuara nga votat e deputetëve në kuadër të paketës se re fiskale hyjnë në fuqi në fillimjanarin e këtij viti. Kujdes me tatimin mbi të ardhurat personale nga punësimi, por sidomos nga të ardhurat personale nga dypunësimi. Janë një sërë rishikimesh fiskale që kanë hyrë në fuqi nga 1 janari apo pritet të zbatohen në gjysmën e dytë të vitit. Ndryshimet kryesore janë në linjë me rekomandimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Jo nga 1 janari, por nga 1 korrik 2022 ndryshon tatimi mbi pagat. Pikërisht në 1 korrik hyn në fuqi tabela e re për tatimin mbi të ardhurat personale nga punësimi. Sipas ndryshimeve në ligjin për tatimin për të ardhurat, është miratuar, rritja e pagës dysheme të patatueshme (me tatim zero %), për të ardhurat nga paga në intervalin nga 0 (zero) deri në 40,000 lekë/muaj, përkundrejt intervalit 0 (zero) deri 30 000 lekë/muaj që është në fuqi deri në 30 qershor 2022.

Ndërkohë, për pagat deri në 50 mijë lekë, përgjysmohet tatimi për të ardhurat për fashën nga 30 deri në 50 mijë lekë, që sot është 13%. Diferenca prej 20 mijë lekësh tatohet me vetëm 6,5 për qind. Rritet në 200 mijë lekë, gjithashtu edhe kufiri mbi të cilin pagat taksohen me normën maksimale prej 23%, nga 150 mijë lekë që do të jetë deri në 30 qershor 2022. 

Sipas burimeve nga Ministria e Financave, tatimpaguesit që përfitojnë nga rritja e tavanit të patatueshëm janë rreth 71,500 dhe shuma e përfitimit është mesatarisht 7,800 lekë për tatimpagues/vit ose rreth 557 milionë lekë/vit për të gjithë tatimpaguesit.

Nga përgjysmimi i normës tatimore për pagat nga 40,000 deri në 50,000 lekë përfitojnë rreth 5,900 tatimpagues dhe shuma e përfitimit është mesatarisht 23,000 lekë për tatimpagues/vit ose në total 135 milionë lekë për të gjithë tatimpaguesit.

Nga zbatimi i ndryshimeve ligjore rezulton që efekti negativ në buxhetin të shtetit të jetë prej -1.37 miliardë lekë në vit, ndërsa sa i takon vitit 2022, duke qenë se ky parashikim nis të zbatohet në korrik të vitit 2022, efekti negativ për vitin 2022 parashikohet të jetë -685 milionë lekë.

Kujdes nëse keni dy paga, do të paguani Tatimi mbi të Ardhurat Personale (TAP) shtesë në fund. Ashtu si vitin e kaluar, të gjithë të dypunësuarit, që gjatë vitit 2021 kanë pasur dy punë, pavarësisht shumës që janë paguar në secilën prej tyre, do të duhet të deklarojnë të ardhurat e përfituara në vitin 2021, deri më 30 prill 2022. Kjo do të sjellë automatikisht rritje të tatimit të të ardhurave për këtë kategori, pasi do të përjashtohen vetëm një herë nga Tatimi mbi të Ardhurat Personale zero deri në kufirin e 30 mijë lekëve dhe nëse të ardhurat e dy pagave i kalojnë 150 mijë lekë në muaj, do të tatohen për diferencën me 23% (duke zbritur tatimin e paguar gjatë vitit).

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›