Skema kombëtare e blegtorisë, Krifca: Përfitojnë të gjithë blegtorët aplikantë!

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca tha të martën, se të gjithë blegtorët aplikantë do të përfshihen në mbështetjen e Skemës Kombëtare të këtij viti.
“Këtë vit kemi bërë një ndryshim. Kemi futur në mbështetje të gjithë blegtorët aplikantë në Skemën Kombëtare. Atë buxhet që kemi vënë në dispozicion për masën e blegtorisë, pavarësisht se sa do të ishte numri i aplikantëve, do të jenë përfitues të gjithë. Ne do t’i shkojmë listës deri në fund edhe nëse do të ulet masa e financimit për ndonjë nga fermerët, nuk do të ketë kufizim, disa poshtë apo jashtë listës, por përfitojnë të gjithë“ tha ministrja.
Zonja Krifca, gjatë vizitës në një fermë të ngritur me cikël të mbyllur, ku mbarështrohen 1 mijë krerë të imëta duke u bërë bashkë 150 fermerë të zonës me rreth 70 ha toke, tha se ferma blegtorale me cikël të mbyllur, është modeli që krijon më shumë të ardhura.
“Ky është një shembull i blegtorisë së vërtetë shqiptare, me cikël të mbyllur, me njerëz të punës e pasionit që transformojnë jetesën në zonat rurale nëpërmjet angazhimit në bujqësi e blegtori, me aktivitete që rrisin ekonominë prodhuese blegtorale” tha ajo.
Ministrja Krifca vuri në dukje se, fokus i punës është mbështetja për sektorin bujqësor, ku theksoi se me investime në infrastrukturën vaditëse dhe kulluese, që i vijnë në ndihmë fermerëve dhe blegtorëve dhe përmes mbështetjes nga skemat kombëtare, synohet ofrimi i më shumë mundësive për fermerët.
Sipas AZHBR rreth 9 mijë fermerë në 12 qarqet e vendit aplikuan në Skemën Kombëtare të Mbështetjes për Bujqësinë 2023, për të përfituar subvencione në blegtori.
Sipas të dhënave mbi 3 400 fermerë kanë aplikuar për masën 1: Tufa bazë në gjedh dhe 5 200 fermerë të kanë aplikuar për Masën 2: Tufa me të imta.
Sipas AZHBR aplikimet për mbështetje në blegtori këtë vit janë rritur me 2 mijë fermerë më shumë se në vitin 2022 ku aplikuar në total 7015 fermerë, të cilët u përfshinë të gjithë në mbështetje me subvencione.
Gazetare Flutura Tota
/ rtsh /