Skënder Hita kërkon masa urgjente për sigurinë në shkolla: Goditje ndaj drogës dhe armëve të ftohta

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka shpërndarë një telegram në drejtoritë vendore dhe komisariatet në vend, duke kërkuar marrjen e masave të menjëhershme për forcimin e sigurisë në shkolla.
Në fokus të këtij urdhri është goditja e rasteve të shpërndarjes së lëndëve narkotike dhe mbajtjes së armëve të ftohta brenda ambienteve shkollore dhe në perimetrin e sigurisë përreth tyre.
Sipas drejtuesit të Policisë së Shtetit, kohët e fundit janë shënuar incidente që kanë rrezikuar jetën dhe sigurinë e nxënësve, duke cenuar gjithashtu zhvillimin normal të procesit mësimor.
Për këtë arsye, Hita ka kërkuar angazhim maksimal nga strukturat policore, shtim të kontrolleve dhe bashkëpunim më të ngushtë me institucionet arsimore për parandalimin e ngjarjeve të tilla.
/rtsh.al/