E Diel, 1 Nëntor 2026

Skënderbeu feston titullin e dytë. Flamurtari braktis kampionatin

Ndonëse në letër Skënderbeu e kishte në xhep fitoren me Elbasanin, skuadër që ka rënë prej kohësh në kategorinë e parë, kanë qenë vlonjatët ata që ua kanë bërë edhe më të lehtë punën korçarëve, pasi kanë braktisur ndeshjen ndaj Vllaznisë. Në fakt, protagonist është bërë edhe njëherë gjykimi. Flamurtari po udhëhiqte 0-1 me golin e shënuar nga Daniel Xhafaj që në minutën e 7-të dhe dukej se do të arkivonte një fitore të radhës, kur në skenë futet gjyqtari i ndeshjes, që në kohën shtesë jep një penallti në favor të Vllaznisë. Vajushi rrëzohet në zonë dhe kryesori akordon një 11-metërsh, që inatos keqazi vlonjatët, që protestojnë fuqishëm për këtë vendim dhe ndëshkohen me dy kartonë të kuq. Por Vllaznia nuk do ta ekzekutojë penalltinë, sepse Flamurtari braktis fushën e lojës në shenjë proteste për vendimin e disatë radhazi kundër tyre. Madje, atyre nuk u intereson më as vendimi i disiplinës në mesjavë, që do t’i japë fitoren në tavolinë Vllaznisë.

Por ky vendim i Flamurtarin e shpall automatikisht kampion Skënderbeun, ende pa përfunduar ndeshjen kundër Elbasanit, që praktikisht ishte një fitore e garantuar për skuadrën juglindore. Sidoqoftë, korçarët vendosin ta festojnë titullin me një fitore përballë tifozëve, por e kursejnë Elbasanin duke shënuar vetëm një gol. Megjithatë, tifozët nuk ishin të shumtë, pasi asnjë nuk e mendonte “dhuratën” e Flamurtarit. Sidoqoftë, 78 vite pritje përfunduan, Skënderbeu është kampion i Shqipërisë

Besa e mbylli me lot ndeshjen me Laçin, pasi humbja 3-2 e dërgon pothuajse me siguri skuadrën kavajase në Kategorinë e Parë. Laçi dominoi takimin dhe shënoi dy gola të shpejtë në fillimin e pjesës së parë. Dhëmbi shkurtoi në të 54', disa minuta përpara se ai të përjashtohej nga loja. Selimi u ndëshkua gjithashtu për Laçin me katon të kuq, përpara se Hysa të trefishonte. Lazarevski shënoi në minutën e fundit, por goli nuk mund të shmangte humbjen dhe shpërthimin në lot të kavajasve. Besa është pothuajse e rënë. Dinamo luan me dhjetë futbollistë që prej minutës së 32’ në “Qemal Stafa” ndaj Teutës, pasi Vila u përjashtua me një karton të drejtëpërdrejtë të kuq pas një ndëhyrje brutale. Në inferioritet numerik, Dinamo përballoi durrsakët dhe mori një pikë, që mund të vlejë vërtet shumë, ndonëse ka edhe një ndeshje për të zhvilluar, atë kundër Kastriotit. Bylis fitoi 0-2 kundër një Tirane të pamotivuar dhe i mban gjallë shpresat për një shpëtim, teksa i mjafton vetëm një barazim me Vllazninë ndeshjen e fundit për të shpëtuar nga rënia direkte. Shkumbini do të shpëtojë edhe nga play-off, pasi ka fituar me Kastriotin, rival direkt dhe do të ndeshet me Elbasanin në javën e fundit. Dinamo e Kastriotit do t’u mjaftojë një barazim në sfidën e drejpërdrejtë të javës së fundit për të shpëtuar nga rënia nga kategoria, ndërsa përsa i përket zonës play-off, duhen pritur përfundimet e të gjitha ndeshjeve të kësaj fundjave.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›