Dirigjenti Rikardo Muti merr çmimin “Princi i Asturias”
Dirigjenti i njohur italian Riçardo Muti (Rikardo Muti) ka marrë çmimin prestigjioz “Princi i Asturia-s”, për vitin 2011, çmim me të cilin është nderuar edhe shkrimtari ynë Ismail Kadare. Këtë vit ishin rreshtuar 35 kandidatura nga Argjentina, Brazili, Kanadaja, Kuba, Kina, Estonia, Gjeorgjia, Gjermani, Greqia, Maqedonia, Meksika, Portugalia, Zvicra, Britania e Madhe, SHBA dhe Spanja. Kandidatura e dirigjentit, që jo rrallë herë ka qenë dhe drejtues i Koncertit të Vjenës, është klasifikuar si fitues, si “një nga dirigjentët më të mirë të muzikës klasike në botë”, duke i shtuar edhe “pasionin dhe virtuozitetin me të cilin ai ka drejtuar orkestrat më prestigjioze të botës”. Riçardo Muti gjithashtu ka fituar edhe çmimin prej 1 milion dollarë “Birgit Nilsson” të Suedisë, po këtë vit. Ai është 69 vjeç dhe aktualisht është drejtues i Orkestrës Simfonike të Çikagos dhe i orkestrës së Teatrit të Operas në Romë. Ai ka qenë gjithashtu drejtues i Orkestrës së Filadelfias, të La Scala-s dhe jep kontributin e tij në Festivalin e Sazburgu-t. Çmimi përfshin dhe 50 000 Euro dhe skulpturën e realizuar nga Joan Miro, që do të jepet në një ceremoni mbretërore në vjeshtë nga vetë princi i Spanjës. Skulptori amerikan Richard Serra fitoi çmimin e artit vitin e kaluar, Margaret Atwood, Ismail Kadare dhe David Attenboroigh kanë fituar gjithashtu këtë çmim.