E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Skënderbeu, fitore e tensionuar

Skënderbeu ka marrë një fitore të vështirë në transfertën beratase, teksa është suksesi i tretë radhazi për djemtë e Migen Memellit. Për më tepër i dyti radhazi në transfertë, kjo pas suksesit me Luzi 2008, ndërsa Skënderbeu është ngjitur në kuotën e 11 pikëve pas gjashtë javësh. Korçarët e kanë nisur me sulm ndeshjen, ndërsa në të 1’, Liçi i vetëm me portierin Klement bën më të vështirën. Ka goditur, por mbrojtësi i katërkëndorit beratas ka grushtuar. Tomori shkundet dhe në të 12’ i është afruar golit me Kasmollarin, ndërsa gjuajtja e tij devijohet në goditje këndi. Pas harkimit nga këndi, gjuan Shaqe e pret Ruçi. Edhe Çaço është vënë në pozicion goli, por topi i tij përfundon ngjitur me shtyllën. Momenti më i diskuteshëm është njëmbëdhjetëmetërshi i dhënë për Skënderbeun, të cilin Puci e ka kthyer në gol. Beratasit kanë pretenduar për simulim, ndërsa janë tensionuar. Tension që shfaqet edhe në përplasjen e Alinanit me Liçin, ndërsa lojtari korçar ndëshkohet me karton të verdhë.

Edhe pjesa e dytë ka nisur me sulmin e Skënderbeut, por Lika nuk gjen shënjestrën e duhur. Në të 49’ Tomori pretendon për penallti, kjo pas rrëzimit të Laval në zonën e rreptësisë korçare, por që nuk ishte i tillë për gjyqtarin Myrtja. Ka provuar Pusi të sigurojë fitoren e Skënderbeut, por pret Klement. Tomori luan me të gjitha forcat e veta për të barazuar rezultatin dhe për të menduar dhe më pas fitoren. Alinani në të 57’ dhe Laval në të 83’ i kanë patur mundësitë e tyre, por kanë gabuar në gjuajtje. Për rrjedhojë në vërshëllimën e fundit të Myrtja, Skënderbeu i gëzohet fitores së tretë në këtë kampionat.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›