E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skënderbeu likuidon Tiranën, afër titullit

Nga ndeshja Skënderbeu-Tirana 2-0

Bardheblutë humbasin e vendin e dytë në renditje.

Xhafaj e Allmuça, dy shënjestra bardhëkuqe për Pashkë.

Skënderbeu likuidon Tiranën, duke e nxjerrë jashtë loje në luftën për titull. Dy gola të shënuar nga Daniel Xhafaj dhe Igli Allmuça i dhanë fitoren skuadrës korçare, duke bërë që kjo e fundit jo vetëm të ruajë kryesimin e Superiores, por edhe të heqë qafe një rival direkt si bardheblutë e Hulian Rubios. Ashtu siç pritej, rezultatin e vendosi mesfusha, e cila te bardhekuqtë ishte në superformë, ndërsa te Tirana stonoi thuajse në të gjitha rastet, si përsa i përket anës defensive, por edhe asaj ofensive. Bardhebluve u mungoi fantazia e Duros, si dhe grinta e Karabecit, ndërsa nuk dhanë rezultat as zëvendësimet e pjesës së dytë. Ndërsa te Skënderbeu funksionoi për mrekulli mbrojtja me dyshen Gvozdenoviç-Radas, mesfusha me Shkëmbin në dirigjim dhe Muzakën e Allmuçën nga krahët, si dhe sulmi me një Plak në superformë dhe me Daniel Xhafën e kudogjendur. Nën një atmosferë të mrekullueshme, falë dekorit të dy tifozërive, por edhe organizimit perfekt nga ana e klubit korçar, startoi edhe sfida më e rëndësishme e javës së 21-të. Që në minutat e para kemi sulme nga të dy krahët. Si fillim provojnë vendësit me anë të Fagut dhe më pas me Muzakën, krosimet e të cilëve neutralizohen jo pa problem nga portieri Lika. Më pas, Gilman Lika krijoi panik në zonë, duke i dhënë një top të artë Pishës, që natyrisht di të bëjë më mirë mbrojtësin sesa sulmuesin, duke shpërdoruar një rast të artë shënimi. Nuk mbaron me aq, sepse në të njëjtin aksion vjen edhe një predhë e Ahmatajt nga jashtë zone, me topin që stampohet në shtyllë, me Shehin totalisht të mundur. Loja është e gjallë dhe me dyluftime të ashpra, sidomos në mesfushë, ku duhet thënë se është Tirana ajo që humbet shumë topa. Si Karabeci, edhe Taku nuk janë në ditën e tyre më të mirë, ndaj pritet më shumë nga Klodian Duro dhe Gilamn Lika. Në fraksionin e dytë të lojës vendësit dalin me ide të tjera, kështu që vertikalizimet e Plakut dhe krosimet e Muzakës bëjnë që mbrojtja e Tiranës të shpërfytyrohet në pak minuta. Në një moment të tillë, Plaku nxjerr të lirë Muzakën në të djathtë, ky i fundit kroson tokazi në zonë, ku nuk ka sesi të mungojë këmba e Daniel Xhafajt. Gol! Dhe stadiumi i Korçës shpërthen në festë. Tirana vuan shumë momentin dhe nuk arrin të organizohet. Ndërkohë përfiton sërish Plaku, i cili gjuan nga jashtë zonës, por këtë herë gjen Ilion Likën në pozicion. Janë minuta që flasin për Skënderbeun, ndërsa Tirana e shushatur lë hapësira të mëdha në mesfushë. Në një moment të tillë, këtë radhë është Xhafaj që jep një top për Plakun, i cili kroson në zonë ku gjen të lirë Allmuçën. Ish-lojtari i Tiranës dhe Dinamos gjuan me kokë dhe dyfishon. Bardhekuqtë në festë, bardheblutë të shokuar. Ruboi mundohet të bëjë menjëherë disa lëvizje, por as Cikalleshi dhe as Ferraj nuk ndryshojnë gjë në lojën e Tiranës. Vendësit nisin të administrojnë, ndërsa Shehi vihet dy herë në rrezik, por falë përvojës së tij, arrin të neutralizojë si gjuajtjen e Azirit, edhe gjuajtjen me kokë të Pishës. Në fund, Tirana ka edhe një rast të pastër shënimi me Balën, por sulmuesi gjen shtyllën, edhe pse ishte gati një metër nga porta. Përfundon këtu. Me një Tiranë që tani duhet të mendojë më shumë për Kupën dhe me Skënderbeun që kalon një nga provat më të vështira në luftën për titull.

Skënderbeu-Tirana    2-0
Shënues:
Xhafaj 50, Allmuça 61
Kartonë të verdhë: Arapi 76/ Morina 15, Sina 27, Karabeci 43
Gjyqtarë: Lorenc jemini/ R.Avdo dhe E.Barushi
Arbitër i katërt: A.Beqiri
Delegat: Ilir Shulku
Skënderbeu: Shehi, Vrapi (Arapi 35), Gvozdenoviç, Radas, Fagu, Orelesi, Allmuça (Bratiç 80), Muzaka, Shkëmbi, Plaku, D.Xhafaj (Bici 88). Trajner: Stanislav Levi
Tirana: I.Lika, Sina, Pisha, Dushku, Ahmataj, Taku, Karabeci (Ferraj 67), K.Duro (Cikalleshi 59), G.Lika, Morina (Aziri 46), Bala. Trajner: Hulian Rubio

Rubio: U mundëm, por beteja vazhdon
Trajneri i Tiranës, Hulian Rubio, përgëzon fillimisht kundërshtarin, duke komentuar faktin se Skënderbeu diti të shfrytëzojë rastet për gol, çka nuk e bëri si duhet Tirana. Më tej, nëse do ti kthehej sërish këtij takimi, spanjolli pohon se do ndryshonte shumë gjëra, por fakti që skuadra e tij humbi ndaj një rivali direkt nuk zhbëhet më. Në radhë të parë më duhet të përgëzoj Skënderbeun, pasi fitoi një ndeshje mjaft të fortë. Kundërshtari përfitoi nga ato dy raste për gol dhe diti që ti shfrytëzojë në mënyrën më të mirë. Ndërsa ne nuk bëmë asgjë për të ndryshuar rezultatin e kësaj ndeshjeje. Unë nuk mund të them nëse ka fituar skuadra më e mirë apo jo, pasi kjo mbetet në analizën e specialistëve dhe të mediave. Ne mbetemi gjithsesi pretendetë për titull, pasi kemi qenë gjatë gjithë viti dhe do vazhdojmë të jemi të tillë. E dimë që nuk do të jetë e lehtë, pasi tani nuk varet shumë nga ne, por nga kundërshtari.

Levi: Fituam betejën por jo luftën
Trajneri i Skënderbeut, Stanislav Levi, ka pohuar se skuadra e tij mori një fitore të madhe, por lufta për titull vazhdon, ndaj nuk është ende koha për të festuar. Ishte një fitore shumë e vlefshme, por akoma nuk kemi arsye për të festuar. Do të na presë një tjetër ndeshje e vështirë në Kupë të mërkurën dhe pastaj kemi transfertën në Vlorë. Në këto kushte, them që nuk kemi as shumë kohë në dispozicion dhe as arsye pse të festojmë. Ne duhet përqendrohemi te sezoni ynë dhe nuk na interesojnë të tjerët. Kemi parë një ndeshje shumë cilësore, me një kundërshtar të fortë siç ishte Tirana. Pas pjesës së parë kemi ndryshuar diçka nga ana taktike për të realizuar më mirë këtë pjesë. E rëndësishme është që ekipi u paraqit shumë mirë dhe bëmë atë që duhet, morën një rezultat pozitiv që ishte thjesht një ndeshje e radhës për ne. Kemi ende beteja përpara, shumë të rëndësishme, madje sfida shumë më të mëdha sa kjo, prandaj në duhet sërish impenjim, ka pohuar Levi.

BASHA & CO
Tribuna VIP e stadiumit, e mbushur me personalitete
Tribuna kryesore e stadiumit të Skënderbeut ka qenë e mbushur me personazhe VIP në ndeshjen e djeshme. Përveç drejtuesve të Skënderbeut, i pranishëm ka qenë edhe kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha; Irfan Hysenbelliu, presidenti i Hysenbelliu Grup; kryetari i Bashkisë së Korçës, Niko Peleshi; ministri i Financave, Ridvan Bode; prefekti i Korçës, Andrea Mano; presidenti i Skënderbeut, Agim Zeqo; ish-presidenti i Tiranës, Refik Halili, si dhe personalitete të tjera. Ajo e djeshmja ka qenë pa diskutim një nga më të ndjekurat në vend gjatë këtij sezoni dhe duhet thënë se organizimi nga ana e klubit pritës dhe atmosfera e krijuar nga të dyja tifozëritë ishte e shkëlqyer. Shumë prej tifozëve që ndodheshin në stadium ishin emigrantë të ardhur nga jashtë, të cilët shfrytëzuan mundësinë që ta shikonin nga afër ekipin e tyre të zemrës në një ndeshje kaq të madhe. Kujtojmë se Tirana dhe Skënderbeu janë dy nga klubet me lojtarët më të paguar të këtij sezoni në Kategorinë Superiore dhe mbështetja nga drejtuesit nuk ka munguar asnjëherë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›