Grabisin argjendarinë në qendër të Tiranës, tre në pranga

Argjendari Pavllo, ku ndodhi grabitja
Policia e Tiranës sekuestron floririn dhe bizhutë e vjedhura me armë me vlerë 7 milionë lekë.
Plagosën pronarin me tytën e armës, arrestohen brenda një ore.
Tre të rinj plagosën dje pronarin e një argjendarie, të cilën e goditën me tytën e armës gjatë grabitjes së ndodhur në pikën e shitjes te sheshi Avni Rustemi në Tiranë. Krimi ka ndodhur rreth orës 11:10, në një kohë kur e gjithë zona ka qenë e mbipopulluar nga qytetarët që lëviznin pranë tregut për pazarin e ditës. Tre persona me maska në kokë e armë në duar, dy me pistoleta e njëri me thikë, kanë hyrë në argjendarinë e shtetasit Pavllo Shkavra, vetëm pak metra nga sheshi Avni Rustemi. Pronari i argjendarisë, shtetasi Pavllo Shkavra, i cili tentoi të reagonte, u qëllua me tytën e pistoletës në kokë dhe ra pa ndjenja. Të rinjtë kanë marrë gjithë buzhuteritë që ndodheshin në tavolinë e banak e më pas, duke rrëzuar manekinet, kanë hequr gjithë mallin e ekspozuar. Pjesa e jashtme me xhama e ka bërë transparente ngjarjen për kalimtarët e rastit, por edhe për tregtarët e tjerë që veprojnë aty pranë. Në kohën kur tre grabitësit po mblidhnin bizhutë e fundit para se të largoheshin, telefonata denoncuese kishte mbërritur në Policinë e Tiranës, e cila ka nisur disa shërbime drejt vendit të ngjarjes. Tri grupe të patrullës së përgjithshme u nisën menjëherë drejt vendit të ngjarjes nga drejtime të ndryshme, nga qendra e Tiranës, nga Unaza dhe nga zona e Komisariatit Nr. 4. Ndërkohë, autorët e krimit, pasi dolën nga argjendaria, bënë një ndarje të mallit aty për aty dhe ia mbathën vrapit.
Arrestimi i grabitësve

Njëri nga autorët gjatë arrestimit
Njoftimi në kohë i policisë i ka dhënë ngjarjes kthesën përfundimtare. Ndërkohë që pronarit të argjendarisë po i jepej ndihma e parë, policia ka arritur të bllokojë jo shumë larg vendit të ngjarjes dy nga të rinjtë që kryen grabitjen. Strukturat e Policisë së Komisariatit Nr. 1 Tiranë, mbërritën në vendngjarje dhe janë vënë në ndjekje të autorëve, të cilët kanë bërë rezistencë ndaj forcave të policisë duke u larguar më këmbë në drejtime të ndryshme, tha dje zëdhënësja e Policisë. Sipas saj, sektori i Forcës së Posaçme dhe Seksioni Kundër Vjedhjeve me Dhunë dhe Armë arritën në identifikimin e menjehershëm të autorëve të krimit. Shtetasit Dorian Mema, 18 vjeç dhe Rigels Leka, 18 vjeç, janë arrestuar pranë vendit të ngjarjes, pasi kishin ecur më këmbë dhe po mundoheshin të fshiheshin. Dhe rreth një orë pas ngjarjes është arritur të identifikohet dhe të arrestohet në banesën e tij në Shkozë edhe autori i tretë i krimit, shtetasi Erjon Kola, 20 vjeç. Policia tha se në momentin e kapjes në flagrancë të këtyre shtetasve u gjendën dy armë të tipit pistoletë, armë të cilat dyshohen se janë përdorur për të realizuar grabitjen e argjendarisë. Të dyshuarve iu bllokua edhe një sasi e konsiderueshme e floririt të vjedhur si dhe maska, thika, doreza e të tjera mjete të përdorura për kryerjen e krimit. Pas kapjes së tre autorëve, policia ka nisur hetimin për ngjarje të tjera ku mund të jenë implikuar të dyshuarit.
Grabitja
Autorët e arrestuar
Dorian Mema, 18 vjeç, banues në Tiranë
Rigels Leka, 18 vjeç, banues në Shkozë
Erjon Kola, 20 vjeç, banues në Shkozë
Provat e bllokuara
Rreth 3.7 kg bizhuteri, maska, doreza, thikë
Pronari i argjendarisë, jashtë rrezikut
Nga një ditë e zakonshme pune, pronari i argjendarisë ku ndodhi ngjarja dje, shtetasi Pavllo Shkavra, është bërë protagonist i një ngjarjeje të papritur. Vetëm sa ka nisur tu flasë personave që kishin hyrë në dyqanin e tij me armë në duar, ai është qëlluar me tytën e armës dhe ka rënë pa ndjenja përtokë. Grabitja ka zgjatur vetëm pak minuta dhe më pas, forcat e policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje. Krahas ndjekjes së autorëve të ngjarjes së rëndë, policia ka dhënë ndihmën e parë për të plagosurin, i cili u transportua në spital dhe për disa orë u mbajt nën mjekim intensiv për shkak të goditjes që kishte pësuar, por edhe për shkak të tronditjes nga përballja me autorët e krimit. Mbrëmë, burimet nga spitali thanë se pronari i argjendarisë është rikuperuar dhe është jashtë çdo rreziku, ndërsa është vendosur që ditën e sotme ai të merret në pyetje në lidhje me ngjarjen për efekt të vazhdimësisë së hetimeve. Argjendaria ndërkohë është mbyllur nga policia, e cila ka marrë provat e nevojshme dhe gjurmët në vendin e ngjarjes.
Policia: Dëmi mund të ishte 7 milionë lekë

Provat e kapura nga policia pas arrestimit të grabitësve
TIRANE Shërbimet e Policisë, të cilat mbërritën në vendin e ngjarjes menjëherë pas njoftimit për grabitjen e argjendarisë Esence Pavllo, kanë thënë dje se nëse nuk do të kapeshin autorët, dëmi i ngjarjes do të ishte rreth 7 milionë lekë. Sipas matjeve dhe këqyrjeve të kryera nga hetimi paraprak, ka rezultuar se autorët e ngjarjes kanë arritur të marrin rreth 3.7 kilogramë ar dhe argjend, si dhe metale të tjera të çmuara si floriri etj. Nga një përllogaritje paraprake që është bërë, u arrit në përfundimin se vlera e mallit të marrë nga dyqani ka qenë rreth 7 milionë lekë të rinj, tha dje një zyrtar i Policisë në vendin e ngjarjes. Ai bëri të ditur se nga verifikimet e deritanishme është arritur në përfundimin se kapja e autorëve ka shërbyer edhe për kthimin e metalit të çmuar dhe bizhuterive të vjedhura. Ato fillimisht do të bllokohen në cilësinë e provave materiale e më pas mund ti jepen pronarit të argjendarisë, i cili është i dëmtuar nga kjo ngjarje. Zyrtarët e Policisë kanë pohuar dje se aksioni për kapjen e autorëve të ngjarjes ishte një shembull bashkëpunimi nga ana e qytetarëve me forcat e policisë. Dëshirojmë ti falënderojmë qytetarët për besimin dhe bashkëpunimin që treguan me njoftimin në kohë dhe me informacionet e vlefshme për kapjen e autorëve të krimit, tha një zyrtar i Policisë së Tiranës disa orë pas grabitjes së argjendarisë, ngjarje e ndodhur pranë sheshit Avni Rrustemi në Tiranë.
TRAZHGIM SOKOLAJ