Skënderbeu, në mes të rrugës

Pjesa e parë dhe e dytë u realizuan një vit më parë nga regjisori dhe skenaristi Vladimir Prifti dhe premiera u shfaq këtë vit, ndërkohë që regjisori deklaroi se brenda 2012-ës do të përfundojnë edhe dy pjesët e fundit, çka do ta plotësonte projektin e tij ambicioz për të realizuar të parin film dokumentar mbi figurën e heroit me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë.
Por me saduket, regjisori dhe skenaristi Vladimir Prifti nuk do të mundet ta mbajë premtimin. Mungesa e fondeve rrezikon përfundimin e katër serive të dokumentarit “Skënderbeu”. Një shqetësim që regjisori dhe skenaristi filloi ta kishte që në fillim të marsit, kohë kur MTKRS-ja duhet të kishte përfunduar rishqyrtimin e projekteve që shumë skenaristë dhe regjisorë kanë paraqitur me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë.
“Projektet jo vetëm të këtij filmi por edhe të filmave të tjerë që do të mbështeteshin nga MTKRS-ja me rastin e 100- vjetorit të Pavarësisë, duhej të ishin dërguar deri në fund të muajit shkurt, procedurë që ka përfunduar nga shumë regjisorë dhe skenaristë.
Mes tyre është dhe dosja e filmit dokumentar “Skënderbeu”.Por gjithmonë e më shumë po kalon koha dhe asnjë sinjal pozitiv nuk ka për mbështetjen e këtyre projekteve. Prandaj, mendoj se realizimi i gjithë dokumentarit me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë bëhet akoma e më i pamundur sa më shumë që koha kalon”, thotë regjisori dhe skenaristi i filmit, Vladimir Prifti. Faktori kohë është shumë i rëndësishëm për të.
“Çdo film që të realizohet kërkon një kohë të caktuar, por ky film kërkon akoma më shumë sepse është një film i shtirë në kohë, që kërkon një organizim dhe angazhim më të madh ngaprotagonistët, prodhuesit, teknikë realizimi kërkon më shumë kohë”, thotë Prifti. Ai shpreson që fondi të lëvrohet për realizimin e dy pjesëve të fundit që ai i konsideron si më të rëndësishmet, për arsye se për herë të parë sipas tij, në këto dy pjesë do të tregohen lidhjet dhe marrëdhëniet diplomatike që Skënderbeu krijoi me Perëndimin, një aspekt sipas tij, gati-gati i panjohur për publikun shqiptar. “Që në fillim ideja e këtij dokumentari ishte që të përfshinim gjithë jetën dhe veprimtarinë e Skënderbeut. Pra, jo vetëm thjesht Skënderbeun si figurë historike, por dhe karakterin e tij njerëzor. Domethënë, ta sillnim atë edhe si figurë njerëzore, marrëdhëniet me të shoqen, gjuhët që zotëronte, prejardhjen e tij, të nënës Vojsava, lidhjet me vëllezërit, etj. Këto aspekte janë trajtuar në dy pjesët e para të dokumentarit, ndërkohë që në pjesën e tretë dhe të katërt do të ndaleshim te lidhjet e Skënderbeut me Perëndimin. Marrëdhëniet e tij me mbretërinë e Napolit dhe sidomos ndihmën që ai i dha Ferdinandit, i cili po trashëgonte fronin. E gjithë mbështetja që Ferdinandi mori nga Skënderbeu pothuajse nuk dihet, ose shumë pak dihet nga publiku shqiptar por edhe ai i huaj. Gjithashtu, në pjesën e tretë përfshihet dhe një pjesë e mirë e konflikteve të brendshme që kishte vetë Skënderbeu dhe sidomos për tradhtinë e nipit të vet Hamza, si dhe betejën e famshme të ‘Ujit të Bardhë’.
Ndërsa në pjesën e katërt kam menduar të ndalemi te kryqëzata që projektoi Vatikani. Papati e mbështeti Skënderbeun dhe vendosi të ndërtonte një kryqëzatë, e cila do të quhej Kryqëzata e Papa Piu II, në krye të sëcilës do të ishte Skënderbeu. Natyrisht, kjo do të kishte qenë diçka madhore dhe Skënderbeu do të kishte një emër më të madh, por Papa Piu II u sëmur dhe vdiq në Ankona, kështu që Perëndimi nuk arriti të ngrinte një kryqëzatë kundër Perandorisë Osmane.
Pjesa e katërt përfundon me vdekjen e Skënderbeut. Në gjithë këtë dokumentar jam përpjekur që të ndërtoj një kuadër sa më të vlefshëm, reflektues i së vërtetës në zbërthimin e kësaj figure.
Ky dokumentar është projektuar si një film dhe pavarësisht se kishim premtuar se do ta sillnim të plotë me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, me sa duket nuk do të mund ta realizojmë”, – thotë regjisori që tashmë duket se i ka humbur shpresat për ta mbyllur projektin e tij ambicioz për realizimin e një dokumentari të plotë për figurën e Heroit tonë Kombëtar, Skënderbeu.