E Diel, 1 Nëntor 2026

Skënderbeu përmbys Elbasanin, Gvozdenoviç drejt largimit nga verdheblutë

TIRANË, 18 tetor /ATSH/ Skënderbeu ka siguruar fitoren e parë në Kategorinë Superiore, pasi mposhti 2-1 Elbasanin në ndeshjen e javës së shtatë të kampionatit, ndërsa pas humbjes, sipas raportimeve në media, trajneri i verdhebluve, Ivan Gvozdenoviç, ka dhënë dorëheqjen.

Skuadra korçare, e drejtuar nga Julian Ahmataj, përmbysi rezultatin falë dopietës së sulmuesit Bismark, i cili u bë vendimtar për suksesin e Skënderbeut.

Elbasani kaloi në avantazh në minutën e 41-të me Mazarin, pas një pasimi të pavullnetshëm të Nikajt. Reagimi i korçarëve ishte i shpejtë dhe Bismark barazoi shifrat pak çaste më vonë.

Në pjesën e dytë, Skënderbeu u shfaq më kërkues dhe gjeti golin e fitores në minutën e 78-të, sërish me Bismarkun, duke vulosur rezultatin 2-1.

Me këtë sukses, Skënderbeu ngjitet në kuotën e gjashtë pikëve, ndërsa Elbasani mbetet me shtatë pikë.

Ndërkohë, sipas raportimeve të mediave, humbja në Korçë është pasuar nga largimi i trajnerit Ivan Gvozdenoviç nga drejtimi i Elbasanit. Ende nuk janë bërë të qarta arsyet e vendimit, ndërsa një ditë para ndeshjes tekniku serb ishte shprehur optimist për përmirësimin e skuadrës në vijim.

Gvozdenoviç ishte pjesë e Elbasanit që prej dhjetorit të vitit 2024 dhe kishte kontratë deri në verën e vitit 2027.

/e.i/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›