Skrapari projekton të ardhmen, pasi në këtë sezon nuk ka shpresë
Nga Arben Çepani
Skrapari ka aktivizuar disa futbollistë me moshë të re gjatë fazës së parë, të cilët pavarësisht rezultateve, kanë bërë një paraqitje të pëlqyeshme dhe shpresdhënëse për të ardhmen. Futbollistët kanë ardhur nga sistemi zinxhir i klubit, ku pas një periudhe të gjatë, Skrapari po mbështetet tek elementët vendas. Realisht, Skrapari nuk ka pretendime për rikthimin në Kategorinë e Parë, por gjithësesi, drejtuesit shpresojnë që me kontigjentin e tanishëm të përballojnë me sukses fazën e dytë dhe për të menduar më pas për të ardhmen.
Pikërisht, për sezonin e ardhshëm 2013-2014, ndonëse është shumë shpejt për të bërë parashikime, drejtuesit e Skraparit do të kërkojnë rikthimin pas një mungese dyvjeçare në kategorinë e parë. Kujtojmë se skrapalinjtë gjatë dekadës së fundit kanë krijuar një traditë të mirë të përfaqësimit në Kategorinë e Parë. Momentalisht, skuadra konkuron në Kategorinë e Dytë, por gjithësesi drejtuesit shpresojnë që tranzicioni i qëndrimit të jetë sa më i shkurtër.