E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skuadra e Elbasanit ndodhet me një këmbë në “varr”

Elbasan - Elbasani gjendet papritur në fund të Super Ligës shqiptare duke rrezikuar më shumë se kurrë rënien nga kategoria. Elbasanasit u mundën në ndeshjen e fundit nga Partizani në kryeqytet me rezultatin e ngushtë 2-1. Uljen e tyre në renditje e ndihmoi shumë edhe “zemërgjerësia” e Shkumbinit, i cili humbi 0-2 në fushën e vet përballë modestëve të Bylisit.

“Zemërgjerë” u tregua edhe skuadra e Besës, e cila u mund me të njëjtin rezultat në fushën e vet nga Apolonia e Fierit, e cila ndodhet në vallen e rënies nga kategoria.

Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, u shpreh shumë i indinjuar me futbollistët e ekipit që institucioni i tij menaxhon, dhe me klubet e tjera, që sipas tij kanë ngritur skenar kundër Elbasanit. Sejdini akuzoi hapur presidentin e Shkumbinit, Xhavit Ismailin, i cili, sipas tij, kërkoi nga futbollistët e vet të humbisnin përballë Bylisit.

“Në radhë të parë fajin për gjendjen e Elbasanit e kanë futbollistët e tij. Jam shumë dyshues tek lojtarët e formacionit për pazarllëqe. Në të njëjtën kohë, edhe politika ka ndërhyrë për të rrëzuar Elbasanin nga piedestali i futbollit shqiptar. Ne do ta analizojmë thellë këtë çështje, dhe unë premtoj se Elbasani do të ngjitet sërish aty ku i takon”, deklaroi Qazim Sejdini.

Elbasani duhet të fitojë ndeshjen e fundit përballë Teutës në "Ruzhdi Bizhuta", dhe të presë "ndershmërinë" e Dinamos dhe Shkumbinit në përballjet me Bylisin dhe Apoloninë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›