Sllovakia voton për presidentin, në garë pro-rusi Pellegrini dhe pro-perëndimori Korcok

Sllovakët po votojnë këtë të shtunë në balotashin e zgjedhjeve presidenciale. Qendrat e votimit janë hapur në orën 7 të mëngjesit dhe do të mbyllen në orën 22:00. Qytetarët do të vendosin mes kandidatit pro-perëndimor të opozitës, Ivan Korcok, dhe aleatit të kryeministrit pro-rus Fico, Peter Pellegrini, i cili është kandidat i koalicionit majtist në pushtet.
Në pyetje është nëse kryeministri Robert Fico, i cili erdhi në pushtet në tetor për herë të katërt, do të sigurojë një aleat në pallatin presidencial apo një kundërshtar që do të mund t’ia sfidonte qëndrimet pro-ruse dhe planet për të reformuar ligjin penal dhe mediat, të cilat kanë ngritur shqetësime për dobësimin e sundimit të ligjit, raporton “AFP”.
Për Korcokun, 60 vjeç, thirrja kryesore gjatë garës ka qenë që të mos i jepen Ficos dhe koalicionit të tij të gjitha pozitat ekzekutive. Ndërsa, Pellegrini, 48 vjeç, është përpjekur që ta portretizojë rivalin e tij si luftëdashës për shkak të përkrahjes së tij për armatosjen e Ukrainës dhe ka sugjeruar se ai mund të çojë trupa sllovake në luftë, gjë që është mohuar nga Korcoku.
Presidenti në Sllovaki nuk ka shumë pushtet ekzekutiv, por mund të bllokojë ligje me veto ose t’i dërgojë ato në Gjykatën Kushtetuese. Presidenti i nominon gjykatësit e kësaj gjykate, kompetencë që mund të bëhet e rëndësishme në betejat e ardhshme për reformat e Ficos që do ta lehtësonin në masë dramatike edhe ndëshkimin për korrupsion.
Gazetar: A. Mata
/RTSH/