S’marrin subvencion për naftën, fermerët e Vaut të Dejës padisin bashkinë dhe Agjencinë e Zhvillimit Rural: Abuzojnë me fondet publike

Pas dy protestave të organizuara për mungesën e subvencioneve të naftës, fermerët e Vaut të Dejës i janë drejtuar Prokurorisë së Shkodër duke paditur institucionet përgjegjëse për shkeljet e kryera.
Fermerët e Vaut të Dejës kanë paditur Bashkinë e Vaut të Dejës dhe Agjencinë për Zhvillim Rural, ku thotë se kanë abuzuar me fondet publike. Sipas fermerëve në listat e përfituesve për subvencionim të naftës janë punonjës të bashkisë dhe të afërm të tyre që nuk kanë fare tokë të punuar.
Gjithashtu ata thonë se në lista janë emra të fermerëve që nuk jetojnë në Vaun e Dejës, madje disa prej tyre jetojnë jashtë Shqipërisë. Një tjetër abuzim sipas tyre bëhet me kontrata fiktive të qirave ku dy persona të ndryshëm marrin subvencion nafte për punimin e të njëjtës tokë.
Fermerët i kërkojnë prokurorisë Shkodër të bëjnë një hetim të shpejtë pasi të mbjellat janë sezonale, ndërsa shtojnë se në rast të mos reagimit të tyre do e dërgojnë çështjen në SPAK.
Padia e fermerëve të vaut të Dejës.
Pas dy protestave radhazi nga fermerët e Bashkisë Vau Dejës, lidhur me abuzimin e subvencionit në shpërndarjen e karburantit, si edhe duke mos patur as edhe një reagim nga ana e institucioneve përgjegjësve, për të frenuar këtë vjedhje në mënyrë të hapur, jemi drejtuar sot Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për kallëzim të institucioneve përgjegjës për shkeljet e kryera, lidhur me mënyrën e administrimit të Fondit dhe procesit të përzgjedhjes së aplikuesve që duhet të përfitonin nga Skema Kombëtare për vitin 2022. Shkeljet e kryera nga institucionet përgjegjëse janë si më poshtë:
1.Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural nuk ka publikuar në faqen zyrtare të ëeb sitit te saj, listën pjesore dhe atë përfundimtare të përfituesve, siç parashikon UDHËZIM Nr. 1, datë 11.2.2022.
2.Bashkia Vau Dejës ka abuzuar me të drejtën që i është dhënë, sipas pikës 12, Kreu III – APLIKIMI PËR NAFTË PËR BUJQËSINË, UDHËZIM Nr. 1, datë 11.2.2022, në lëshimin e kontratave për qiramarrje, të cilat kanë qenë fiktive dhe të falsifikuara, me qëllim abuzimin me fondet publike;
3.Në listat e Përfituesve, rezulton se janë shpallur përfitues punonjës të Administratës së Drejtorisë së Bujqësisë dhe Bashkisë Vau Dejës, pjesëtarë të familjeve të tyre, si dhe të afërm të tyre, që nuk plotësojnë as edhe një kriter për të qenë fitues, pasi nuk kanë tokë të punuar.
4.Në listat e Përfituesve ka fermer që nuk banojnë në Bashkinë Vau Dejës me vite të tëra, madje ka dhe nga ato “fermer” që janë përfitues që jetojnë edhe jashtë Shqipërisë.
5.Në listat e Përfituesve ka anëtar të së njëjtës familje, të cilët kanë përfituar naftë 2 herë për të njëjtat sipërfaqe të tokës, duke abuzuar në bashkëpunim me Bashkinë Vau Dejës me anë të kontratatave fiktive të qiramarrjes, të nënshkruara nga Bashkia Vau Dejës.
6.Ka më shumë se një përfitues për të njëjtën sipërfaqe të tokës, duke shpallur dy përfitues të ndryshëm për të njëjtën pronë, herën e parë është vetë fermeri, dhe hera e dytë është abuzim për t’ia dhënë dikujt tjetër.
7.Ndryshe nga sa parashikon Udhëzimi, dyshojmë se nuk është bërë kontrolli faktik në terren me qëllimin për të verifikuar përputhshmërinë e vetëdeklarimit me situatën reale në terren, si dhe nuk është publikuar lista e subjekteve të skualifikuara, siç parashikon UDHËZIM Nr. 1, datë 11.2.2022.
I bëjmë thirrje Prokurorisë, të kryej një hetim të plotë, të gjithanshëm dhe në një kohë sa më të shkurtër, për vetë specifikën e rastit, pasi kulturat e mbjella janë kryesisht sezonale. Gjithashtu kërkojmë regjistrimin e procedimit penal dhe shqyrtimin e menjëhershëm të këtij kallëzimi dhe kryerjen e verifikimeve paraprake. Nësë nuk do të ketë as dhe një reagim ne do të i drejtohemi SPAK.
/rtsh.al/