E Shtunë, 31 Tetor 2026

S'mund të flasim për Kosovën si shtet

Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikolliq, ka thënë para një takimi me përfaqësuesen e lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton, se ai “nuk është bashkëbisedues” në bisedimet që kanë për temë marrëdhëniet e mira fqinjësore.

“Zonja Ashton e di, që te unë nuk nuk gjen bashkëbisedues për raportet e mira me Kosovën si shtet. Ajo gjen në mua bashkëbiseduesin për jetën e mirë në Kosovë, për paqe e siguri, për investime”, ka thënë Nikolliq.

Ditë më parë në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së Ashton ka takuar kryeministrin Hashim Thaçi, pas të cilit takim, zyra e saj ka lëshuar një komunikatë për media, në të cilën thuhej se “Prishtinën dhe Beogradin i presin vendime të vështira”.

Ndërsa, kryeministri Thaçi, ka kërkuar veprime konkrete nga BE-ja.

“Kosova ka përmbyllur një etapë të rëndësishme, atë të përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë, por ky proces merr kuptim vetëm me hapjen e kapitullit të ri, atij të integrimit evropian. Relacioni mes Kosovës dhe BE-së duhet të kalojë përtej kurtuazisë dhe fjalëve të mira, në një relacion konkret kontraktual, përmes procesit të Stabilizim asocimit”, ka thënë Thaçi në takim.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›