E Shtunë, 31 Tetor 2026

Socialistet votojne te shtunen kreun e Tiranes

Të shtunën socialistët e asamblesë së zgjeruar të Tiranës do të votojnë për të zgjedhur kryetarin e ri të degës së partisë.

Gara për kreun e ri partiak të kryeqytetit do të zhvillohet mes Ilir Zelës dhe Sajmir Tahirit. Këta janë dy kandidatët e vetëm që kryesia e PS zgjodhi.

Gjatë javës, Zela dhe Tahiri kanë paraqitur platformat përkatëse para asambleve të vogla socialiste që funksionojnë si organizata lokale për cdo minibashki të kryeqytetit.

Votimi për zgjedhjen e kreut të ri të PS-së së Tiranës do të zhvillohet ditën e shtunë në ambientet e Teatrit të Operas dhe Baletit. 630 anëtarët e asamblesë së zgjeruar të PS-së së Tiranës do të votojnë njërin nga dy kandidatët.

Sipas organizatorëve para asamblesë do të flasë kreu socialist Edi Ram e më pas dy kandidatët do të paraqesin para anëtarëve platformat e tyre për mënyrën e drejtimit të PS-së në kryeqytet. Votimi do të jetë i fshehtë.

Socialistët synojnë që deri më 15 mars t’u japin fund zgjedhjeve në parti dhe gara e parë nis me Tiranën për të vijuar me qytetet ku ka mbetur bosh posti i kreut vendor.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›