Solana: Shtyrja e pavarësisë së Kosovës ishte gabim

Havier Solana, ish-sekretar i Përgjithshëm i NATO-s dhe ish-shef i diplomacisë së BE-së, në librin 267-faqesh “Mbrojtja e politikës”, 20 faqe ia kushton Ballkanit, ku përkujton ngjarjet në Ballkan në vitet ’90 të shekullit të kaluar dhe gjen arsyetimet për të gjitha vendimet e qenësishme nga ajo periudhë. E shkruar në formë interviste, me gazetarin e “El Pais”, Lucimo Basata, në fakt libri përmban memoaret e Solanës.
Solana flet për ngjarjet në hapësirat e ish-Jugosllavisë që nga lufta në Bosnjë deri te bombardimi i RSJ-së. Kujtimet e tij për Ballkanin fillojnë me konstatimin se Gjermania ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në shkatërrimin e ish-Jugosllavisë, sipas të gjitha gjasave për shkaqe historike, dhe pastaj konstaton se ministri i atëhershëm i Jashtëm gjerman, Hans Ditre Genscher, ka shantazhuar aleatët evropianë se vendi i tij do të njohë Kroacinë në mënyrë unilaterale nëse BE-ja nuk e bën këtë kolektivisht. Për atë që ka ndodhur në BeH, Solana thotë se ka qenë një “frustrim i madh”, sepse Evropa nuk ka ditur si të reagojë.
“Kemi gabuar në një luftë të papritur, askush nuk ka qenë i gatshëm për tmerret e tilla, por kemi bërë atë që kemi pasur mundësi”.
Solana mohon se Marrëveshja e Dejtonit ka qenë humbje e Evropës, sepse arkitekt i saj ishte Richard Holbrooke. Ai thekson se Evropa ka pasur rol të rëndësishëm dhe se marrëveshja është arritur në kuadër të KB, transmetojnë pjesë të këtij libri mediet serbe.
Në vërejtjen e bërë në formë pyetjes se “Kosova është bombarduar që të ndalet pastrimi etnik dhe jo që t’i jepet pavarësia”, ka pasuar kjo përgjigje: “Qëllimi ka qenë që të ndalet pastrimi etnik. Mirëpo, kur është marrë vendimi për protektoratin ndërkombëtar në kohë prej 5 vjetësh, nuk ka pasur kthim prapa. Është vështirë të ndalet koha, veçmas kur ekziston plani i KB, të cilin e ka punuar Marti Ahtisaari. Nga këndvështrimi i sotëm, sigurisht që është dashur që menjëherë të bisedohet për pavarësinë dhe ta zgjidhim, këtë, dhe jo ta shtyjmë këtë”. /koha/