Sondazhi: Ekonomia, çështja kryesore për votuesit amerikanë

Votuesit amerikanë thonë se ekonomia është një nga shqetësimet e tyre më të mëdha në zgjedhjet presidenciale të këtij viti.
Sondazhi i muajit të kaluar i organizatës Harvard CAPS/Harris tregon se shumica e të anketuarve thonë se inflacioni është çështja kryesore që ndikon tek ata personalisht.
Departamenti i Punës raportoi të dhëna më të mira se sa ishin parashikimet për tre mujorin e parë të këtij viti. Sipas raportit, sektorët e qeverisë, shëndetësisë dhe ndërtimtarisë kanë regjistruar shtimin më të madh të numrit të vendeve të punës, ndërsa papunësia ka rënë nën 4% dhe pagat kanë vazhduar të rriten.
Ish Presidenti Trump thotë se ekonomia amerikane “po shembet”. Duke iu drejtuar një tubimi për mbledhje fondesh në Florida, ai tha se është ai është njeriu i duhur për të përmirësuar ekonominë.
“Njerëzit duan ndryshimin, përfshirë njerëzit e pasur dhe të varfër. Vendi po ecën me të vërtetë keq. E gjithë bota po tallet me ne. Ne do ta sjellim ndryshimin shumë shpejt”, tha zoti Trump.
Presidenti Biden, në një tubim në Nevada, tha se ai po përmirëson ekonominë e dëmtuar nga koronavirusi dhe nga shkurtimet e taksave për të pasurit gjatë administratës së Presidentit Trump.
“Gjërat po lëvizin në drejtim të duhur. Papunësia është ulur në mënyrë dramatike. Në Nevada, numri i atyre që kanë një vend pune sot është më i lartë se ndonjëherë më parë. Mijëra qytete amerikane po shohin këtë ndryshim historik”, tha Presidenti Biden.
Ai thotë se ekonomia do të përmirësohet gjithashtu edhe falë planit të tij për të falur disa kredi studentore.
“Unë nuk do të ndalem kurrë për të ofruar lehtësim të borxhit të studentëve. Kjo shkon vetëm në interesin e Amerikës dhe është për të mirën e ekonomisë tonë. Ajo po bëhet gjithnjë e më e fortë”, tha Presidenti Biden.
Sondazhi i Harvard CAPS tregon se gati dy të tretat e demokratëve thonë se ekonomia është në rrugën e duhur, por vetëm 12 për qind e republikanëve kanë qëndrim të njejtë.
/ rtsh.al /