E Enjte, 5 Nëntor 2026

Sonte emisioni “Përballë” në RTSH1-HD, intervistë ekskluzive e kreut të Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Del Monaco

Zgjedhjet, shqetësimi kryesor!

Vincenzo Del Monaco është  ambasadori i 9-të i OSBE-së në Tiranë. Vitin e ardhshëm Prezenca feston 25 vjet të qëndrimit në Shqipëri. Aq vite sa ka Prezenca e OSBE-së në Tiranë, Ambasadori Del Monaco ka përvojë në diplomaci. Ai ka shërbyer si ambasador i Italisë në Armeni dhe Malin e Zi, po ashtu ka shërbyer si diplomat në Pekin, dhe misionin e përhershëm italian në BE.

Ambasadori Del Monaco ka qenë edhe këshilltar diplomatik i ish Presidentit Xhorxhoi Napoletano. OSBE është marrë dhe merret intensivisht me aktivitete të ndryshme që nga kontrolli armëve e lufta ndaj trafikut, te projeket e mjedisit dhe të drejtat e njeriut, që nga reforma në gjyqësor e në media deri te ndërtimi kapaciteteve të agjensive ligjzbatuese.

Shqipëria sot nuk është ajo e vitit 1997, kur ranë firmat piramidale dhe OSBE u ftua për të ndihmuar në stabilizimin e vendit dhe për të koordinuar ndihmën ndërkombëtare. Pavarësisht se vendi ka ndryshuar shumë, një sfidë mbetet e pandryshueshme: realizimi i zgjedhjeve që nuk kontenstohen nga pala humbëse! Pas çdo zgjedhje ne kemi pritur me padurim jo vetëm rezultatin, por edhe rekomandimet e radhës të OSBE- ODHIR-it.

Në intervistën e tij të parë për median në Shqipëri do të flasim për sfidën më të madhe me të cilën përballet vendi: zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, dhe për fokusin kryesor që ambasadori, do të ketë në punën e tij si kryetar i Prezencës së OSBE-së. Ora 21.00, RTSH 1

Pj II – Që kur ka shpallur pavarësinë, 30 vjet më parë fqinji ynë lindor, Maqedonia e Veriut e ka kaluar gjysmën e kohës me statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europian.

Viti i kaluar, viti i pandemisë mund të quhet edhe vit i veçantë për Maqedoninë e Veriut. Në muajin mars vendi u anëtarësua në NATO, në korrik realizoi zgjedhjet parlamentare dhe në fund të vitit ishte shumë pranë hapjes së negociatave me BE-në, por u pengua nga vetoja e Bullgarisë për shkak të çështjes së gjuhës.

Rruga e anëtarësimit në NATO u bë e mundur pas zgjidhjes së konfliktit 30 vjeçar për emrin e vendit me Greqinë me anë të marrëveshjes së Prespës. Me shqiptarët që përbëjnë të paktën 25% të popullsisë nëse i referohemi censusit të fundit, konflikti ushtarak i vitit 2001u mbyll në sajë të Marrëveshjes së Ohrit. Falë kësaj marrëveshje të drejtat e shqiptarëve kanë përparuar. Parti më e madhe e shqiptarëve Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) është në pushtet prej dy dekadash.

Sot posti i kryetarit të parlamentit të Maqedonisë së Veriut dhe ai i ministrit të jashtëm janë të emëruar nga Bashkimi Demokratik për Integrim. Në zgjedhjet e fundit parlamentare, premtimi më i bujshëm i BDI-isë ishte se një shqiptar do të jetë kryeministër. Falë një kompromisi, 100 ditë para zgjedhjeve të radhës posti i kryetari të qeverisë do t’i takoj partisë shqiptare.

Për të folur me sfidat e brendshme që ka Maqedonia e Veriut në rrugën drejt anëtarësimit në BE dhe rolin dhe peshën e shqiptarëve aty, sonte në #Përballë është Bujar Osmani, Ministër i Jashtëm. Ora 21.45, RTSH 1

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›