Sonte, në emisionin “Përballë” në RTSH1-HD: Të rinjtë në darën e “të vjetërve”!

Për shumë njerëz, të pakënaqur dhe zhgënjyer nga zvarritja pa fund e tranzicionit shqiptar dëshira ka qenë dalja e një force të re, shfaqja e një lideri të ri apo nisja e një lëvizje që do të përmbyste gjithë klasën e “vjetër” politike. Por, revolucionet si në rrugë ashtu edhe në kutinë e votimit- kanë munguar. Shpresa për ndryshim ka mbetur tek të rinjtë, të pakomprometuarit me mëkatet e profesionistëve të politikës.
Në mungesë të alternativave të reja, shpresëdhënëse dhe të besueshme dhjetëra – mijëra shqiptarë në vend të ndërrimit të qeverive përmes votimit kanë zgjedhur ndërrimin e vendit të banimit duke u bërë emigrantë në Europë, Amerikë e gjetkë.
Në zgjedhjet e 25 prillit, ndonëse kanë synuar rinovimin e përfaqësimit parlamentar, tri partitë kryesore në Shqipëri kanë ngurruar që rinia të ketë më shumë përfaqësim në listën e kandidatëve për deputetë.
Mosha e re, enegjia, mundësia për të parë përtej përfitimit ditor janë disa përparësi që i kanë të gjithë ata të rinjtë, që kanë zgjedhur politikën si profesion.
Partitë kërkojnë votat e të rinjëve dhe sidomos atyre që votojnë për herë të parë, por nuk u ofrojnë atyre përfaqësim real. Fakti është se shumë pak të rinj janë vendosur në zonat e sigurta të listave dhe forumet rinore thirren për të mbushur sheshet e mitingjeve, por jo edhe sallën e Parlamentit.
Për të diskutuar për vendin, rolin, hapësirën dhe idetë që kanë të rinjtë sot në politikë dhe në listat e kandidatëve për deputet, sonte në #Përballë janë ftuar 3 drejtuesit e Forumeve Rinore të PD-së, PS-së dhe LSI-së. Ata, vetë janë në garë për të kërkuar votën dhe në garë me kohën që vendi të ecë përpara në rrugën që të çon në anëtarësimin në Bashkimin Evropian.