Sonte supersfida Juve-Inter, derbi i Italisë i rëndësishëm për zonën Champions dhe për titullin

Befasi e madhe këtë të diel në duelet e javës së 25 të kampionatit italian. Como, një skuadër simpatike që u ngjit pas shumë vitesh në Serinë A, befasoi Fiorentinën duke e mundur në Toskanë 2 me 0.
Triumfi i vlen shumë lombardëve pasi me këtë tre pikësh largohen shumë nga zona e ftohtë, ndërsa vjollcët bëjnë një hap të madh pas në garën për zonën Champions.
Diajo kaloi në avantazh miqtë në minutën e 41 ndërsa në mesin e pjesës së dytë ishte Niko Paz që blindoi fitoren e Comos në fushën e Fiorentinës e cila mbetet në vendin e gjashtë me 42 pikë.
Sukses i rëndësishëm 3 me 0 edhe për Udinesen kundër Empolit rezultat që e betonon skuadrën friulane në mesin e artë të renditjes. Ndërkohë Monxa është e destinuar të bjerë nga kategoria pasi nuk e fitoi dot duelin direkt kundër Leces së Ramadanit.
Sonte vëmendja e Italisë dhe Evropës është e përqendruar tek derbi Juventus-Inter.
Në fazën e parë përballja qe spektakolare dhe u mbyll 4 me 4. Sot Juventus kërkon fitoren për të kapur vendin e katërt ku ndodhet Lacio ndërsa Inter dëshiron të fitojë për të marrë e vetme kryesimin e kampionatit italian. Në rast suksesi zikaltrit do të parakalonin për herë të parë Napolin. Supersfida trasmetohet në orën 20:45 në Tring./vizionplus.tv