E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sot 1 vit nga anëtarësimi i Shqipërisë në NATO



Sot shënohet 1-vjetori i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.

Ministria e Mbrojtjes është organizatorja e aktiviteteve për të festuar 1-vjetorin.
Sot, në orën 10:00, në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes në Akademinë Ushtarake "Skënderbej", do ketë një Konferencë Jubilare.
Në këtë aktivitet do të jetë i pranishëm kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, zv/kryeministri dhe ministër i Jashtëm, z. Ilir Meta, ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral brigade Maksim Malaj, ushtarakë të lartë të Forcave tona të Armatosura, përfaqësues të trupit diplomatik në Tiranë, ushtarakë nga Shtabi i NATO-s në Tiranë dhe përfaqësues të misioneve që shërbejnë në vendin tonë, si dhe mjaft të ftuar të tjerë.

Po sot, në orën 19:00, në bulevardin "Dëshmorët e Kombit", para Pallatit të Kongreseve do të jepet një koncert i madh festiv nga Orkestra Frymore e Bashkuar me 100 instrumentistë, nga Orkestra Frymore FA, TOB, RTVSH dhe Akademia e Arteve. Ministria e Mbrojtjes e ka organizuar këtë koncert jo në sheshin "Skënderbej" këtë herë, pasi ai është rrethuar nga Bashkia për t'u rikonstruktuar.

Për shkak të festimeve të ditës së sotme, policia ka marrë edhe masat e saj për ruajtjen e rendit dhe të sigurisë. Sipas një njoftimi të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, do të ketë bllokime të qarkullimit rrugor sot, duke filluar nga ora 15.00 deri më 24.00, përgjatë Bulevardit "Dëshmorët e Kombit" nga Ura e Lanës pranë hotel "Dajtit" dhe deri në sheshin "Nënë Tereza", Tiranë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›