Sot: “Pax et bonum” Dje: “Red hammer”
Është për të ardhur keq kur merr vesh se te ne janë prishur kisha të mijëvjeçarit të parë, ose xhami të vjetra të shekullit XV apo XVI. Dhe si këto janë prishur shumë të tjera, të bastisura e të shkatërruara nga verbëria dhe deliri që mbretëron tek injoranca. Nëse kërkojmë barbarë modernë, ata mund t’i gjejmë tek këta njerëz
Gjatë shekullit të njëzetë, shtete të ndryshme kanë zhvilluar një “luftë”, herë të fshehtë e herë të hapur ndaj religjioneve e objekteve religjioze.
Shembujt më të qartë i ndeshim në periudhën komuniste të vendeve si: Kina, Shqipëria etj. Shteti shqiptar i asaj kohe ka qenë një nga zbatuesit më të flaktë të ideve të “revolucionit kulturor” maoist, i cili ndër shumë prapësi, solli edhe shkatërrimin e objekteve të kultit në vend. Dëmi i shkaktuar ka qenë i jashtëzakonshëm, i pallogaritshëm. Me shkatërrimin e tyre kemi humbur gati përgjithmonë një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore. Ajo ka qenë një trashëgimi me shumë vlerë, për faktin se shumë objekte që tani fatkeqësisht nuk janë më, datonin qindra e mijëra vjet dhe për më tepër shumë prej tyre kishin një stil arkitektonik të veçantë dhe mbartnin vlera estetike.
Ato ishin gjithashtu një dëshmi e qartë e shtrirjes së besimeve të ndryshme në trojet shqiptare dhe e nivelit të shoqërisë, duke pasur parasysh që një nga elementët që përcakton nivelin socio-ekonomik të një vendi është mënyra dhe cilësia e ndërtimeve (kjo vlente sidomos në të shkuarën historike). Shembuj kemi “Parthenonin” në Athinë, “Koloseun e Panteonin”, në Romë, ndërtimet në Persepolis, “Taj Mahal” në Indi, “Machu Pichu” në Peru, “Angkor” në Kamboxhia, “Piramidat dhe Sfinksi” në Giza etj. Në të vërtetë, shembujt që mund të sjellim për të demonstruar këtë mendim janë të shumtë, por besoj këto mjaftojnë për të dhënë idenë.
Objektet e kultit zënë një vend të rëndësishëm në historinë e arkitekturës dhe artit botëror. Për to shpenzoheshin shuma të mëdha dhe rekrutoheshin artistët më të mëdhenj të kohës. Në Greqinë e lashtë ka shkëlqyer Fidia me statujën “Zeusi, në Olimpia”, dhe “Parthenonin” që ishte tempulli kryesor i Athinës. Në Italinë e “Rilindjes”, Mikelanxhelo dhe Bernini me punimet në “San Pietro”. Në Perandorinë Osmane, Mimar Sinani i cili cilësohej nga evropianët e kohës së tij si Mikelanxhelo i Lindjes, dhe që thuhet se është më origjinë shqiptare. Ndërsa në periudhën moderne përfaqësuesi më i denjë është padyshim arkitekti katalan, Antoni Gaudi.
Sot kuptohet më shumë se kurrë rëndësia e të pasurit të këtyre objekteve. Shumë shtete evropiane krenohen me kishat e tyre baroke, romane e gotike.
Shën Pjetri në Romë, Duomot e ndryshme në Itali, shenjë e lënë nga influenca gotike. “Notre-Damme” në Paris dhe në Chartre-s, “St. Stephen” në Vjenë ose katedralja moderne e Barcelonës “Sagrada Familia”, e iniciuar nga Gaudi. Të tjera shtete krenohen me “Jamiah” si ato të Isfahanit në Iran, Buharas e Samarkandës në Uzbekistan, të gjitha këto pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s, e Fezit në Marok dhe simotra në Andaluzinë e Spanjës.
Ose “Xhamia Blu” e të tjera në Stamboll që janë ndërtuar nga arkitektët gjenialë me origjinë shqiptare si Mimar Sinani, Mimar Sedefhari etj.
Është mëkat që këta ashtu si shumë figura të tjera nuk kanë gjetur vendin që meritonin në historinë e artit dhe kulturës shqiptare. Të gjitha këto vende me të drejtë krenohen me të shkuarën e tyre dhe për më tepër çdo vit vjelin të ardhura të konsiderueshme nga turizmi kulturor që vjen e bëhet gjithmonë e më i rëndësishëm për to.
Është për të ardhur keq kur merr vesh se te ne janë prishur kisha të mijëvjeçarit të parë, ose xhami të vjetra të shekullit XV apo XVI. Dhe si këto janë prishur shumë të tjera, të bastisura e shkatërruara nga verbëria dhe deliri që mbretëron tek injoranca. Nëse kërkojmë barbarë modernë, ata mund t’i gjejmë tek këta njerëz. Të gjithë ne mund të imagjinojmë sot vlerën e tyre dhe pasurinë e madhe që do të gëzonim nëse këto objekte do të ekzistonin ende të paprekura. Sigurisht ato mund të mos kenë qenë nga më luksozet ose nga më të bukurat që mund të gjenden sot në botë, por ato ishin tonat, dëshmi e kohës që ka kaluar dhe e nivelit dhe jetës që zhvillohej në Shqipëri.
Megjithatë ne nuk duhet të mbetemi peng i së shkuarës, por ta analizojmë atë në mënyrë që të korrigjojmë gabimet që janë bërë. Një shembull i veçantë vjen nga shteti i ri i Kosovës. Në një udhëtim në disa nga qytetet më karakteristike të saj, vura re kujdesin që po i kushtonin rikuperimit të monumenteve të kultit nga dëmtimet e kohës. Aty ku nuk mund të ndërhynte me fonde Ministria e Kulturës, (kjo ndoshta dhe për arsye të vështirësive ekonomike që po has natyrshëm një shtet i sapoformuar) gjendej në përkrahje një fondacion kulturor i huaj, ose një filantrop si në rastin e zotit Pacolli, i cili financoi rikonstruksionin e një xhamie të vjetër prishtinase të shekullit XV, e cila ishte dëmtuar nga forcat militare serbe. Vetë Pacolli paska deklaruar se do kishte pasur dëshirë të investonte më shumë për objektin, për ta zbukuruar më shumë, por ishte ndaluar nga Instituti i Monumenteve të Kosovës, në mënyrë që të mos cenoheshin karakteristikat origjinale të objektit. Ndërsa në Shqipëri fatkeqësisht janë të shumta rastet e ndërhyrjeve pa leje nga privatët, në objekte të mbrojtura nga Instituti i Monumenteve të Kulturës. Dhe ky nuk është i vetmi problem, pasi jo vetëm që instituti duhet të merret me ruajtjen e integritetit artistik të objekteve me vlera kombëtare, por edhe të programojë rikonstruksione të vazhdueshme të atyre objekteve që e kanë këtë nevojë. Nevojitet nga ana e drejtuesve të saj përgjegjshmëri, kurajo dhe kompetencë.
Këtë nevojë për rikonstruksion e vura re dhe te një objekt kishtar gjatë një vizitë në Dardhë të Korçës, ku m’u dha rasti të vizitoja kishën e “Shën Gjergjit”, e cila si shumë kisha të vjetra shqiptare është lënë mbas dore. Ciceroni, vullnetar i kishës, një burrë i vjetër, por i mbajtur, më shpjegoi shkurtimisht dhe peripecitë që kishte hasur objekti, i kthyer në periudhën e diktaturës në depo dhe se si banorët e Dardhës e kishin mbuluar ikonostasin me kompensatë për ta shpëtuar nga shkatërrimi i pritshëm. Pyetjes se përse pikturat murale të rrënuara nga koha nuk rikonstruktoheshin nga shteti, ai iu përgjigj me një psherëtimë.
Në të njëjtën situatë, dhe ndoshta më të nderë ndodhen dhe objekte si “Xhamia e Plumbit” dhe “Kisha e Shirqit” në Shkodër, kishat dhe xhamitë në rrethet e Beratit, Elbasanit, Korçës, Sarandës, ku ndodhen dhe objekte me vlera unikale në të gjithë botën. Kjo është pohuar dhe nga ekspertë ndërkombëtarë të kësaj fushe, të cilët kanë vizionuar këto objekte dhe që krahas vlerësimit për to kanë shprehur gjithashtu dhe keqardhje për gjendjen në të cilën ndodhen dhe rrezikun edhe më të madh që hasin nëse nuk ndërhyhet për ndryshimin e situatës. Këto objekte të sjella si shembull, por dhe shumë objekte fetare dhe jofetare me rëndësi historiko-kulturore në Shqipëri kanë nevojë për vëmendjen serioze të institucioneve kompetente. Ndaj mendimin se është i nevojshëm evidentimi total i të gjithë këtyre objekteve me rëndësi historiko-kulturore. Qeveria shqiptare duhet të përgatisë një program serioz dhe të detajuar për rikontruksionin e gjitha objekteve të kultit me vlera kulturore e muzeale në Shqipëri, të shoqëruar me fonde të rëndësishme për ta bërë këtë mandat 4-vjeçar të sajin, që të kujtohet si mandati i restaurimit, rivlerësimit dhe shpëtimit të vlerave tona historiko-kulturore, të cilat nuk janë të pakta.
Dhe pse ato u dëmtuan rëndë gjatë diktaturës, sërish shumë prej tyre mund të rikuperohen dhe duhen vënë në shërbim të brezave që do të vijnë. Por koha nuk pret. Nëse sistemi i shkuar i dëmtoi ato dhe trashëgoi me të drejtë famën e keqe të “shkatërruesit të vlerave”, ne nuk duhet të bëjmë gabimin fatal që të ngelemi në histori si ata që heshtën dhe nuk punuan për t’i rikuperuar këto vlera ndërkohë që ishte e mundur që kjo të arrihej.
Për sa u përket objekteve të vjetra të kultit që mbartin vlera historiko-artistike e për rrjedhojë turistike, jam i mendimit se do ishte pozitive përfshirja e tyre në një guidë turistike kombëtare vetëm për këto lloj objektesh, për të krijuar kështu një nga degët më origjinale e tërheqëse në turizmin shqiptar dhe kulturën tonë në përgjithësi. Evidentimi dhe restaurimi i tyre jo vetëm do sjellë të ardhura të mëdha ekonomike, por do kontribuojë dhe për rritjen e prestigjit të Shqipërisë në rang ndërkombëtar.