E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rekomandimet; Mamografia me rregulla të reja në SHBA



Një grup pune i qeverisë amerikane ka publikuar rregulla të reja se sa herë gratë duhet të bëjnë mamogramë për të testuar kancerin në gji, çka pritet të adoptohet edhe në Evropë. Komisioni thotë se për shumicën e grave mamograma duhet të fillojë në moshën 50-vjeçare dhe jo në moshën 40-vjeçare, siç rekomandohej fillimisht. Por jo të gjithë janë dakord me rregullat e reja.

Nancy Gaul që i ka mbijetuar kancerit të gjirit, është mes atyre që është kundër rregullores së re të qeverisë amerikane se mamogramet rutinë duhet të fillojnë në moshën 50-vjeçare dhe jo 40.

"Jam e tronditur nga kjo rregullore, pasi po të mos e kisha bërë mamogramën në moshën 40-vjeçare, nuk do të isha këtu sot".

Mamogrameve u njihet merita për pakësimin e rasteve të vdekjes nga kanceri i gjirit, por komisioni qeveritar thotë se nga rekomandimet e reja do të përfitojnë më shumë gra, duke shkurtuar analizat e panevojshme dhe biopsitë e dhimbshme dhe duke ulur ekspozimin ndaj radiacionit. Doktoresha Diana Petitti është pjesë e grupit të punës.

"Kur mamografia fillon nga 40 deri në 49 vjeç, përfitimet janë më të vogla, alarmimet false janë më të larta sesa kur skanimi fillon në mosha më të mëdha".

Kjo për arsyen se indet e gjirit të grave të reja janë më me dendësi sesa ato të grave të moshuara dhe gjetja e tumoreve tek gratë e reja është më e vështirë. Grupi i punës rekomandon gjithashtu më pak mamografi – çdo dy vjet për shumicën e grave pas moshës 50-vjeçare në vend të çdo viti duke filluar nga mosha 40-vjeçare”.

"Kontrolli çdo dy vjet ka përfitimet më të shumta për sa i përket pakësimit të vdekshmërisë nga kanceri i gjirit ndërsa ul dëmtimin prej rrezatimit".

Dr. Susan Love është specialiste për kancerin e gjirit.

Specialistët janë të ndarë kur flitet për rregulloren e re, e cila rekomandon gjithashtu që mjekët të ndalin udhëzimet se si gratë të vetekzaminohen.

Për sa i përket mamogramës doktoresha Marissa Weiss thotë se ajo do të vazhdojë t'u kërkojë pacientëve të saj ta bëjnë çdo vit, duke filluar nga 40 vjeç.

"Realiteti është se kanceri i gjirit është forma më e zakonshme që prek gratë. Dhe mamografia është e vetmja analizë që është vërtetuar se shpëton jetë. Besoj se rregullat e reja nuk janë përmirësime, por neglizhime".

Por, doktoresha Love thotë se mamogramet nuk kanë zbuluar asnjëherë kancerin e gjirit në një numër të madh tek gratë nën moshën 50-vjeçare. “Nuk duhet të përdorim një analizë që nuk funksionon dhe ka rreziqe, por të gjejmë diçka që funksionon vërtet apo të gjejmë shkakun e kancerit të gjirit dhe ta ndalojmë atë”.

Grupe, si Shoqata Amerikane e Kancerit, nuk janë dakord me rregulloren e re. Shoqata thotë se mori në shqyrtim të njëjtat statistika që pa edhe task-forca si dhe të tjera të dhëna dhe do të vazhdojë të rekomandojë mamografi për gratë duke filluar nga 40 vjeç.

Shoqata Amerikane e Kancerit dhe grupe të tjera përkrahëse thonë se janë të shqetësuar se në Shtetet e Bashkuara, të paktën, kompanitë e sigurimeve do të ndalin pagesat për mamogramet për gratë nën moshën 50-vjeçare.

Zëri i Amerikës

Mjekësi

A zbulohet kanceri me skanim?

Prej njëfarë kohe ka pasur mendime të ndryshme mes mjekëve për saktësinë e analizave të kancerit, veçanërisht për kancerin e gjirit dhe të prostatës. Debati i fundit filloi kur zyrtari më i lartë i Shoqatës Amerikane të Kancerit tha se avantazhet e analizave për këta dy tipa kanceri janë ekzagjeruar.

Komuniteti i mjekësisë i është përmbajtur për një kohë të gjatë idesë se diagnostikimi i hershëm shpëton jetën. Radiologu David Dershaw mbështet mamografinë për kontrollin e gjirit.

"Gratë që bëjnë çdo vit mamografinë kanë 60% më pak shans të vdesin nga kanceri i gjirit, se sa ato të nuk e bëjnë këtë analizë”.

Por disa specialistë dhe pacientë të kancerit thonë se bëhen analiza të tepruara.

Doktor Otis Brawley i Institutit Amerikan të Kancerit thotë se rregulli i pashkruar i konstatimit në fazat e para nëpërmjet skanimit nuk është i saktë.

"Kanceri është një sëmundje shumë e komplikuar. Një mesazh i thjeshtë do të ishte se në fakt kjo nuk shërben si e tillë”.

Por mjeku Larry Norton i qendrës Sloan të kancerit nuk është dakord me këtë mendim.

"Kur shikon rënin e numrit të vdekjeve atje ku skanimi bëhet rregullisht, se mund të thuhet se rezultatet janë të ekzagjeruara”.

Fran Visco, i cili kryeson koalicionin kombëtar amerikan kundër kancerit të gjirit ka tjetër pikëpamje.

"Kur skanon popullatën e shëndetshme, gjen forma kanceri që nuk kanë nevojë për trajtim apo arrin rezultate të gabuara dhe trajton njerëz që nuk kanë në fakt kancer”.

Debati mund të jetë çorientues për gratë që janë këshilluar të bëjë rregullisht mamografi.

E njëjta gjë mund të thuhet për burrat që bëjnë çdo vit analiza gjaku për të vlerësuar rrezikun e kancerit të prostatës.

Doktor Franklin Lowe thotë se megjithëse mund të jetë e saktë që disa burra trajtohen edhe pa pasur nevojë, skanimi është i vlefshëm.

"Skanimi duhet bërë, pasi nëse njeriu ka kancer, është më mirë që ta dijë sa më parë. Dhe atëherë në varësi të tipit të kancerit dhe avancimit të tij, përcaktohet edhe kura më e përshtatshme”.

Qeveria amerikane rekomandon se duhen bërë më shumë studime për efektivitetin e skanimit për kancerin e prostatës, veçanërisht për burrat nën moshën 75-vjeçare. Sipas këtij rekomandimi, nuk ka të dhëna të sakta se skanimi shton shanset për një gjendje më të mirë shëndetësore.

Qeveria rekomandon gjithashtu se gratë mbi moshën 40-vjeçare duhet të bëjnë rregullisht mamografi dhe vizita mjekësore.

Ndërkohë, Shoqata Amerikane e Kancerit thotë se do të vazhdojë ta rekomandojë skanimin derisa të gjendet një metodë më e mirë për të konstatuar kancerin e gjirit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›