Sot, aktgjykimi
Ramush Haradinaj do të përmbyllë të enjten betejën shtatëvjeçare me akuzat për krime lufte, të ngritura nga Tribunali i Hagës. Vendimi për të do të publikohet në orën nëntë të mëngjesit.
Partia e Haradinajt ka përgatitur nga një projektor në qendër të Prishtinës, Pejës e Deçanit për të përcjellë drejtpërdrejt kumtimin e vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare për Krime Lufte në Ish-Jugosllavi për ish-Komandantin e UÇK’së.
Ish-Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj për herë të parë ishte akuzuar nga Haga, në vitin 2005, kur kishte mbushur njëqind ditë në krye të Qeverisë.
Ai ishte shpallur i pafajshëm më 3 prill të vitit 2008, por pas ankesës së Prokurorisë së Hagës, ishte vendosur për rigjykim të pjesshëm të tij. Vendimi i dytë kundër Haradinajt ishte marrë në korrik të vitit 2010.
Sipas avokatëve të Haradinajt, faktet e paraqitura gjatë procesit të dytë nga Prokuroria nuk kanë dëshmuar asnjë prej akuzave që e kanë rënduar Liderin e AAK’së.
Në prag të vendimit për Haradinajn përsëri kanë folur serbët.
Zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksander Vucic ka deklaruar se po frikësohet se Haga do ta lirojë Ramush Haradinajn.
“Frikohem që aktgjykimi do të jetë lirues dhe se ky do të jetë edhe një poshtërim për ne dhe do të shkaktonte probleme shtesë të gjithë atyre që janë të përgjegjshëm dhe të mirë kuptueshëm në skenën politike. Ky është problem për ata që shikojnë kah e ardhmja, por jo për ata që dëshirojnë ta rindezin zjarrin”, ka thënë Vucic.
Zyrtarët serbë kanë folur edhe më herët për mundësinë që Haradinaj të lirohet.
Megjithëkëtë, në Kosovë deklaratat e zyrtarëve serbë janë komentuar si tendencë për të ndikuar në vendimet e Hagës.
“Tendenca e Serbisë, që të ketë vendim politik për dënimin e z. Haradinaj, paraqet një shkelje të rëndë të besimit që ekziston në botë për drejtësinë ndërkombëtare. Deklarata të tilla të zyrtarëve serbë janë skandaloze. Ne si AAK, pavarësisht asaj që vazhdimisht kemi besuar në pafajësinë e z. Haradinaj, gjithmonë kemi besuar se fajësia apo pafajësia duhet të dëshmohet në sallat e Tribunalit të Hagës dhe kemi besuar në proces fer dhe korrekt të Gjykatës Ndërkombëtare”, kishte thënë Avni Arifi, zyrtar i AAK’së.
Ramush Haradinaj ka qenë Kryeministër i Kosovës në koalicionin LDK-AAK, i lidhur në vitin 2004, por pas njëqind ditësh kishte dhënë dorëheqje për t’u përballur me akuzat e Hagës.
Haradinaj përballet me akuza për krime lufte prej marsit të vitit 2005, ndërsa partinë e tij vazhdojnë ta udhëheqin Nënkryetarët Blerim Shala, Ardian Gjini e Ahmet Isufi.
Zyrtarët e AAK’së në vazhdimësi kanë thënë se Haradinaj është i pafajshëm dhe besojnë se edhe vendimi që do të merret në fund të këtij muaji do të jetë në favor të ish-Kryeministrit.
Kohët e fundit, zyrtarët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës janë afruar me PDK’në, duke përkrahur vendimet e Qeverisë. Madje, udhëheqësi aktual i Aleancës, Nënkryetari Blerim Shala është emëruar koordinator politik i dialogut me Serbinë.
Me lirimin eventual të Haradinajt, do të sqarohet edhe pozicioni i AAK’së në raport me PDK’në dhe Qeverinë.