Sot dhe nesër, provimet pranuese në UP

Sot dhe nesër, në fakultetet e Universitetit të Prishtinës “ Hasan Prishtina”, po mbahet provimi pranues i aplikantëve në degët ku ata kanë aplikuar. Ndërkohë, më 30 korrik do të bëhet publikimi i rezultateve, kurse një ditë më vonë bëhet pranimi i ankesave, të cilat do t’i shqyrtojë një komision i kryesuar nga rektori.
Ndërkaq, më 5 gusht do të publikohen listat sipas ankesave, kurse nga 2 deri më 6 shtator do të bëhet regjistrimi i studentëve për afatin e parë, me orar të caktuar për fakultetet përkatëse.
Menaxhmenti i UP-së, vizituan njësitë akademike, përkatësisht fakultetin e Edukimit, Fakultetin Juridik dhe atë të Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës, me qëllim që të informohen për së afërmi rreth procesit të provimit pranues. Me këtë rast, rektori i Universitetit të Prishtinës’’Hasan Prishtina’’, Ibrahim Gashi i shoqëruar edhe nga dekanët e njësive përkatëse u uroi suksese kandidatëve për regjistrim në UP, duke potencuar se ky është një moment mjaft i veçantë në karierën e tyre. Rektori Gashi premtoi se i gjithë proces do të jetë korrekt, për të cilin me kohë janë ndërmarrë të gjitha masat. /Indeksonline/