E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Sot dita e fundit e fushatës për 14 majin. PS e mbyll në Durrës, PD dhe koalicioni “Bashkë Fitojmë” në Tiranë

Partitë politike do të paraqesin sot për herë të fundit programet e tyre para elektoratit për drejtimin e  bashkive të vendit pas zgjedhjeve të 14 majit. Prej një muaji kandidatët për kryetar bashkie kanë prezantuar programet e tyre, ku sot do të jetë dhe dita përmbyllëse e fushatës zgjedhore.

Partia Socialiste gjatë ditës së sotme ka parashikuar takime në Shkodër në orën 16.30 dhe më pas do të ketë takimin përmbyllës në Durrës në orën 19.00.

Partia Demokratike dhe koalicioni “Bashkë Fitojmë” do kenë takimin përmbyllës në Tiranë.

Fushata elektorale ka qenë  e qetë dhe pa tensione, ndërsa strategjitë e zgjedhura nga partitë politike kanë qenë të ndryshme.

Socialistët zgjodhën të mos kishin takime masive elektorale, por paratë t’i shpenzonin në mbjelljen e pemëve në kuadër të një vendi më të gjelbër, por edhe PD, e cila si kurrë më parë garon vetëm në disa bashki me kryetra bashkie, ka zhvilluar takime të vogla me mbështetësit e saj.

Më 14 maj shqiptarët do i drejtohen kutive të votimit ku përmes votës së tyre do vendosin se kush do t’i drejtojë 61 bashkitë e vendit dhe 3222 anëtarët e këshillave bashkiake.

Në garë janë 145 kandidatë për kryetarë bashkie dhe 23,646 kandidatë për këshilltarë bashkiakë dhe në rang vendi janë gjithsej 5.211 Qendra Votimi.

Për herë të parë, në bashkitë Elbasan, Kamzë dhe Vorë do të zbatohet projekti pilot për votimin dhe numërimin elektronik.

Ndërkohë, një mision prej 324 vëzhguesish ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR-it do të vëzhgojë zgjedhjet lokale në Shqipëri, të cilët do të shikojnë ecurinë e zgjedhjeve në përputhje me standardet ndërkombëtare.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›