Sot dita kulmore e pelegrinazhit në Malin e Tomorrit, Baba Mondi: Të mos e humbim kurrë dashurinë për njëri-tjetrin

Mijëra besimtarë bektashinj nga Shqipëria dhe vende të ndryshme të botës janë mbledhur në Malin e Tomorrit për pelegrinazhin tradicional në nderim të Abaz Aliut. Sot, 22 gusht, shënohet dita kulmore e festimeve, ndërsa pelegrinazhi do të vijojë deri më 25 gusht.
Që prej ditëve të para, pelegrinët janë ngjitur drejt Teqesë së Kulmakut, ku zhvillojnë ritet tradicionale, ndezin qirinj, luten dhe kryejnë pelegrinazhin në vendin e shenjtë.
Një nga ritualet kryesore është flijimi i qengjit, i cili më pas piqet dhe ndahet mes besimtarëve. Shumë prej pelegrinëve vijojnë ngjitjen drejt majës së Malit të Tomorrit, në një lartësi prej 2416 metrash mbi nivelin e detit.
Përgjatë këtyre ditëve, mali është kthyer në një pikë të rëndësishme pelegrinazhi, ku besimi, ritualet dhe tradita shekullore bashkohen me njëri-tjetrin.
Në fjalën e tij përpara besimtarëve, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Haxhi Dede Baba Mondi, theksoi se një nga vlerat më të mëdha të pelegrinazhit është bashkimi i njerëzve nga qytete, krahina dhe vende të ndryshme.
Ai u bëri thirrje besimtarëve të ruajnë paqen, dashurinë dhe respektin për njëri-tjetrin.
“Një nga bukuritë më të mëdha të këtij pelegrinazhi është se këtu takohen njerëz të ndryshëm, nga qytete e krahina të ndryshme, nga troje shqiptare dhe vende të ndryshme të botës. Këtu na bashkon një gjë shumë më e madhe se dallimet tona: besimi në paqe, dashuria për njeriun dhe respekti për atë që është e shenjtë”, tha Baba Mondi.
Në vijim të mesazhit të tij, ai iu drejtua të gjithë shqiptarëve, duke kërkuar më shumë mirëkuptim dhe bashkim.
“Nga ky mal i shenjtë dëshiroj t’u drejtohem sot të gjithë shqiptarëve: të mos e humbim kurrë dashurinë për njëri-tjetrin. Të ruajmë familjen, respektin, fjalën e mirë dhe nderin. Të kujdesemi për fëmijët, të moshuarit, njerëzit në nevojë dhe për çdo njeri që kërkon ndihmën tonë”, u shpreh ai.
Për mbarëvajtjen e pelegrinazhit janë marrë masa nga Policia dhe strukturat lokale, me qëllim menaxhimin e lëvizjes dhe garantimin e sigurisë së mijëra besimtarëve që po ngjiten drejt Malit të Tomorrit.
Festimet kulmojnë sot, ndërsa aktivitetet fetare dhe pelegrinazhi do të vijojnë deri më 25 gusht.
/rtsh.al/