E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sot finalja e madhe Spanjë-Holandë

Spanja dhe Holanda do të kërkojnë sot në mbrëmje një vend në histori, mes më të mirëve të futbollit botëror. Përballë do të jenë dy skuadra që zhvillojnë futbollin më të bukur në Evropë, ndonëse tulipanët këtë edicion janë kthyer në një ekip cinik. Për të gjithë, peshorja nga ana e Spanjës, skuadër që ka 7 futbollistë të Barcelonës në formacionin titullar, ndërsa kësaj "fizarmonike" i shtohen emra si Ksabi Alonso, Iker Kasijas, Serxho Ramos apo Joan Kapdevila. Trajneri Vicente del Boske është njeriu që mund të futet në histori në vendin iberik. Futbollistët dhe trajneri spanjoll janë të gjithë të vetëdijshëm për forcën e tyre. "Nëse jemi këtu, është sepse e kemi merituar, - thotë Del Boske. - Të gjithë ne kemi një karrierë të rëndësishme mbi shpatulla, por një finale e Kupës së Botës është më e rëndësishme se gjithçka", shprehet më tej ai në konferencën për shtyp të mbajtur mbrëmë.

Nga ana tjetër trajneri Bert Van Marvijk thotë se është ndeshja më e rëndësishme e jetës së tyre."Asnjë holandez nuk është bërë kampion bote dhe nëse do të ndodhë, do të jetë fantastike për mua, për skuadrën dhe për të gjithë popullin tonë". Ish-trajneri i Fejnordit beson shumë në realizimin e kësaj ëndrre, që nuk mundën ta bëjnë dot realitet as të mëdhenjtë e viteve '70. "Me gjithë respektin për Spanjën, jam i bindur se mund të fitojmë. Gjëja më e rëndësishme është të qëndrojmë të bashkuar dhe të tregojmë futbollin që të gjithë njohim", shton trajneri Bert Van Marvijk.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›