Sot në mesditë, Kryeministri Berisha mirëpriti në një takim të veçantë Zëvendëspresidentin e Komisionit Evropian dhe Komisioner përÇështje të Sigurisë dhe Drejtësisë, Zotin Franco Fr
Sot në mesditë, Kryeministri Berisha mirëpriti në një takim të veçantë Zëvendëspresidentin e Komisionit Evropian dhe Komisioner përÇështje të Sigurisë dhe Drejtësisë, Zotin Franco Frattini. Në përfundim të takimit, Kryeministri Berisha dhe Zoti Frattini dhanë një konferencë për shtyp.
Kryeministri Berisha: "Sapo përfunduam një takim shumë të rëndësishëm me Zëvendëspresidentin e Komisionit Evropian, Komisionerin përÇështje të Sigurisë dhe Drejtësisë, Zotin Frattini. Unë e falenderova Zëvendëspresidentin Frattini me shumë mirënjohje për ndihmën dhe mbështetjen e madhe që ai personalisht dhe Komisioni Evropian i kanë dhëne dhe i japin Shqipërisë. Ndihma, që kulmoi me firmosjen nga Komisioni të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me Shqipërinë, mbështetja në rritje ndaj vendit tonë dhe sidomos vendimi i fundit i Këshillit të Ministrave për të autorizuar Zëvendëspresidentin Frattini për të hapur negociatat me Shqipërinë dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor për liberalizmin e vizave, ishin mesazh shumë i dobishëm dhe shumë i rëndësishëm që erdhi nga Brukseli në drejtim të vendit tonë.
Unë e njoha Zëvendëspresidentin Frattini me të gjitha përpjekjet e qeverisë shqiptare në ndërmarrjen e zbatimit të reformave të gjithanshme, në mënyrë të veçantë me rivendosjen e shtetit ligjor, luftën kundër krimit të organizuar, çmontimin e organizatave dhe të grupeve kriminale, të trafikut të drogës dhe të qenieve njerëzore, me luftën kundër plantacioneve të kanabisit dhe ligjin mbi pjesëmarrjen e qeverisjes vendore në këtë luftë, me vendosmërinë e qeverisë për ta çuar përpara me tolerancë zero këtë luftë, por edhe me vështirësitë serioze që krijon në Shqipëri Prokurori i Përgjithshëm në këtë luftë, me interpretimet që ai ju bën konventave ndërkombëtare dhe detyrimit ndërkombëtar të Shqipërisë për të proceduar, me lidhjet e tij dhe mosndëshkimin që ai adapton ndaj shumë rasteve të implikuara në akte madhore korrupsioni dhe lidhje të krimit të organizuar.
Unë e sigurova gjithashtu se qeveria që unë drejtoj mbetet e vendosur të respektojë pavarësinë e pushtetit gjyqësor dhe të prokurorisë. Ne e konsiderojmë këtë një kusht themelor në vendosjen e shtetit ligjor dhe suksesit të kësaj lufte. Sikundër deri më sot, qeveria mbetet e vendosur të ndërmarrë vetëm procedura ligjore dhe demokratike.
E falenderova zotin Frattini për ndihmën që na u dha në të gjitha aspektet, për ligjin e prokurimeve, i cili e bën këtë proces më transparent. I premtova se Shqipëria, së shpejti, do të nisë zbatimin e projektit për pasaportat biometrike dhe kartën e identitetit, sepse ky është një kusht shumë i arsyeshëm, në mënyrë që të liberalizohen vizat për shqiptarët.
Edhe njëherë dua ta falenderoj me shumë mirënjohje Zëvendëspresidentin Frattini për mbështetjen për Shqipërinë, si një mik i shquar i Shqipërisë dhe e sigurova se ne do të vazhdojmë në këto përpjekje për të zbatuar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, si një kontratë me BE-në, si një kontratë e cila do ta çojë Shqipërinë drejt BE-së dhe do të ndihmojë në realizmin e projektit të saj për integrimin e plotë.
Zoti Frattini: Takimi me Kryeministrin Berisha ishte jashtëzakonisht i vlefshëm. Mund t'ju konfirmoj vlerësimin tim personal dhe të Komisionit Evropian për përpjekjet personale dhe institucionale të Kryeministrit Berisha.
Është e rëndësishme të konsiderohet marrëveshja e Stabilizim Asociimit, e nënshkruar në qershor, si një hartë rruge për Shqipërinë. Ne do të dëshironim implementimin e MSA-së përsa i përket luftës ndaj krimit të organizuar, trafiqeve, korrupsionit, rritjes së sigurisë dhe përforcimit të shtetit ligjor. Në raportin tonë të fundit ne kemi njohur përparimet që Shqipëria ka bërë në këto fusha. Viti i kaluar ka qenë një vit shumë i pasur në rezultate konkrete. Përsa i përket regjimit të vizave që zoti Kryeministër sapo përmendi, negociatat do të fillojnë në Bruksel më datë 30 Nëntor. Ministri i Brendshëm i Shqipërisë do të marrë pjesë personalisht dhe ne do të hapim së bashku negociatat për regjimin e vizave për shtetasit shqiptarë. Sigurisht, ne do të donim të flisnim për kartat e identitetit dhe elementet e sigurisë së passaportave, përfshi këtu edhe identifikuesit biometrikë, sic më premtoi edhe Kryeministri Berisha sot, cka përbën edhe një hap të rëndësishëm përpara. Ne kemi arritur rezultate të rëndësishme përsa i përket luftës kundër krimit të organizuar, por ne duhet të përforcojmë bashkëpunimin në fushat e trafikimit të qënieve njerëzore dhe trafikut të drogës. Rezultatet e dhëna sot në mëngjes nga Ministri i Brendshëm gjatë një konference janë shumë inkurajuese. Unë mendoj se vendimi i qeverisë për të udhëhequr një politikë me tolerancë zero kundrejt kultivimit dhe prodhimit të drogave është shumë i rëndësishëm.
Një cështje tjetër e rëndësishme është implementimi i parimit të shtetit ligjor. Një kollonë startegjike e kësaj fushe është pavarësia e gjykatësve dhe prokurorëve. Por ana tjetër e monedhës së pavarësisë së gjykatësve dhe prokurorëve është llogaridhënia. Askush, as Prokurori i Përgjithshëm, nuk mund të dalë mbi Ligjin. Unë mendoj se është shumë e rëndësishme që të kërkohen mënyra të reja për përmirësimin e bashkëpunimit dhe të jepet shembulli i duhur se shteti ligjor respektohet në të gjitha nivelet. Unë e vlerësoj shumë faktin që vendimet e ardhshme të qeverisë do të respektojnë plotësisht parimet kushtetuese.Çrrënjosja e korrupsionit mbetet një përparësi për Bashkimin Evropian dhe kur unë flas për korrupsion, nënkuptoj korrupsionin në të gjitha nivelet. Komisioni Evropian do të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me autoritetet shqiptare, duke ndihmuar edhe financiarisht iniciativat e ndërmarra në këtë fushë. Ajo çka ne duam është vënia e kriminelëve dhe bandave përpara drejtësisë.
Faleminderit."
Pyetje: Zoti Frattini nuk folët asnjë fjalë për zgjedhjet e pritshme lokale në Shqipëri, megjithëse këtu në Tiranë ka një konflikt mes mazhorancës dhe opozitës, të cilët nuk po gjejnë ende konsensus për një reformë të mundshme zgjedhore, edhe pse kanë kaluar të gjitha afatet. A keni ndonjë mesazh për klasën politike shqiptare përpara këtyre zgjedhjeve?
Zoti Frattini: Konflikti midis mazhorancës dhe opozitës është absolutisht normal. E vetmja çështje që paraqet interes për Evropën është që zgjedhjet të jenë të lira, të ndershme dhe transparente dhe unë mendoj se kështu do të ndodhë në Shqipëri. Natyrisht, nëse do të ketë reforma elektorale, atëherë konsensusi do të jetë më i gjerë dhe nuk kufizohet vetëm tek mazhoranca dhe kjo varet nga vullneti politik i të gjitha palëve.
Pyetje: Vazhdoni të merrni mesazhe nga ndërkombëtaret për reformat dhe për zgjedhjet, por pavaresisht nga këto mesazhe, a besoni se i ka mbetur mazhorancës ndonjë hap tjetër bashkëpunimi me opozitën dhe shikoni ndonjë mundësi për të gjetur një gjuhë të përbashkët, mbase në ditët e fundit, përpara se të caktohet data e zgjedhjeve?
Kryeministri Berisha : Zotimi ynë është se ne do të bëjmë çdo përpjekje për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Unë për këtë e sigurova zotin Frattini. Kam shfrytëzuar gjithashtu të gjitha rastet për të ftuar sa më shumë vëzhgues nga Evropa dhe Shtetet e Bashkuara që të vijnë dhe të monitorojnë zgjedhjet. Midis qeverisë dhe opozitës ekziston një marrëveshje e nënshkruar në fund të gushtit për reformën zgjedhore. Që në atë kohë e deri më sot ne kemi qenë të gatshëm ta zbatojmë atë nen për nen, siç kemi rënë dakort pa asnjë lloj modifikimi. Varet nga opozita në është e gatshme të qëndrojë në atë që ka nënshkruar.
Pyetje: Në raportet ndërkombëtare sistemi i drejtësisë në Shqipëri vazhdon të mbetet si më i korruptuari në vend. Ju kërkuat që të ruhet pavarësia e këtyre institucioneve. Në këto kushte mazhorancës i mbetet vetëm të bëjë deklarata publike, ndërsa vendi vazhdon të mbetet peng për integrimin evropian, për shkak të korrupsionit që ju e shikoni se është në drejtësi.
Zoti Frattini: Siç e thashë kemi dy shtylla, njëra është pavarësia e gjyqësorit, që nënkupton mbrojtjen e tyre nga çdo lloj ndërhyrjeje dhe kur them ndërhyrje dua të them nderhyrje si politike ashtu edhe kriminale. Rritja e numrit të akuzave ndaj gjyqtarëve në lidhje me sistemin gjyqësor është një mesazh shqetësues, pasi nga njëra anë kemi kriminalitet dhe korrupsion brenda tyre, por nga ana tjetër është një mesazh pozitiv.
Ne do të punojmë së bashku për implementimin e MSA, të çështjeve të saj dhe çështja e gjyqësori është njëra nga pikat në të cilën ne në të ardhmen do të bashkëpunojmë së bashku.
Pyetje: Zoti Frattini, a mund të bëni një vlerësim të punës së prokurorit të përgjithshëm, kur pak kohë më parë janë mbyllur dy dosje të dy prej ish ministrave më të akuzuar të qeverisë socialiste.
Zoti Frattini: Unë nuk e di në detaje punën e përditshme të prokurorit të përgjithshëm, nuk i di hollësitë e dosjeve dhe të dokumentave.Çdo shtet që aspiron të integrohen në BE duhet të garantojë që gjyqtarët e sistemit gjyqësor të jenë brenda shtetit ligjor. Ajo që unë dua të theksoj është transparenca nga njëra anë dhe përgjegjshmëria nga ana tjetër.
Kryeministri Berisha: Unë e sigurova zotin Fratini se qëllimi i qeverisë dhe përpjekja e saj është pikërisht që askush të mos jetë mbi ligjin, të gjithë të sundohen nga ligji. Përfshi këtu edhe prokurorin e përgjithshëm.