E Diel, 1 Nëntor 2026

Në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Kryeministri Berisha u ndal në vendimin për hapjen e tenderit ndërkombëtar për ndërtimin e terminalit në portin e Durrësi

Në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Kryeministri Berisha u ndal në vendimin për hapjen e tenderit ndërkombëtar për ndërtimin e terminalit në portin e Durrësit. Duke vlerësuar këtë projekt, Kryeministri bëri këto komente:

"Dua të informoj qytetarët e Durrësit dhe të mbarë Shqipërisë se sot hapet tenderi ndërkombëtar prej 40 milionë euro, sëbashku me kostot lokale dhe tvsh-në, për ndërtimin e njërit prej terminaleve më moderne në të gjitha brigjet e Jonit dhe Adriatikut në portin e Durrësit. Kjo vepër e madhe publike synon modernizimin e këtij porti, i cili ka një rëndësi jetike, jo vetëm për qytetin, por ka një rëndësi jetike për zhvillimin e vendit.

Ky terminal do t'i japë portit të Durrësit modernitetin që meriton. Ai do të krijojë të gjitha lehtësirat për qindra e mijëra shqiptarë dhe të huaj që lëvizin në drejtim të Italisë dhe perëndimit, me det dhe që hyjnë në Shqipëri nëpërmjet kësaj porte. Ky terminal, krahas rrugës Durrës-Morinë-Prishtinë, i jep Durrësit, si port dhe si qytet, të gjithë përmasat e sotme dhe perspektivën e të ardhmes që meriton.

Financimi për terminalin bëhet nga 2 bankat më të mëdha të Europës, Banka Europiane për Zhvillim dhe Investim dhe Banka Europiane e Investimeve, si dhe nga buxheti i qeverisë shqiptare. Punimet për këtë vepër parashikohen që të përfundojë në vitin 2008. Pra, një vit pasi vendi do të ketë një aeroport realisht modern, do të ketë edhe portin e tij realisht modern. Ky është një investim shumë i madh dhe shumë i rëndësishëm. Kjo vepër ka një rëndësi të madhe kombëtare. Terminali i Durrësit do të vijohet nga terminale të porteve të tjera. Zgjerimi i kapaciteteve të porteve është një nga objektivat më madhore dhe një nga domosdoshmëritë më të mëdha për zhvillimin e vendit.

Po kështu, janë në rrugë e sipër procedurat për financimin dhe prokurimet për rrugën Korçë- Qafë Plloç - Qafë Thanë. Në dhjetor shpallet fituesi i garës për rrugën Fier-Vlorë. Së shpejti do të inagurohet fillimi i ndërtimit të tunelit Fan- Kalimash, tuneli më i gjatë në rajon. Po përfundojnë edhe një seri projektesh të tjera. Pra realisht, viti që hyn do të jetë viti i kontratave dhe i punëve të mëdha, që do ta shtyje dhe afrojë Shqipërinë me vendet e zhvilluara".

Gjithashtu, gjatë mbledhjes së grupit parlamentar Kryeministri Berisha u ndal edhe në vendimin për liberalizimin e sistemit të vizave. "Dua të theksoj se një moment shumë i rëndësishëm që erdhi pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, ishte lajmi që solli Zëvendëspresidenti i Parlamentit Europian, zoti Franko Fratini, për liberalizimin e vizave për shqiptarët dhe për popujt e tjerë të rajonit", u shpreh Kryeministri.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›