Sot nis viti i ri shkollor 2013-2014, Nikolla, Kumbaro dhe Basha urojnë nxënësit
Sot nisi viti i ri shkollor. Rreth 600 mijë nxënës të arsimit 9-vjeçar dhe atij të mesëm do të ulen sot në bankat e shkollës, pjesa më e madhe e tyre në arsimin bazë, ndërsa pjesa tjetër do të ndjekin shkollat e mesme të përgjithshme dhe ato profesionale.
Nxënësit i kanë uruar sot edhe ministrja e Arsimit Lindita Nikolla dhe ajo e kulturës Mirela Kumbaro të cilat vizituan Liceun Artistik.
Në fjalën e saj ministrja e Arsimit Nikolla pasi uroi nxënësit për një vit shkollor të suksesshëm theksoi se ministria do të ndërmarrë politika të reja për arsimin.
Erdhëm në Liceun Artistik për të uruar jo vetëm nxënësit, prindërit dhe mësuesit e kësaj shkolle, por të gjithë shkollave, një vit akademik të suksesshëm. Politika do të mbetet jashtë dyerve të shkollës por për arsimin do bëhet politika më e mirë që lidhet posaçërisht me promovimin e këtyre talenteve duke shtrirë edukimin artistik në moshën në më të vogël. Kemi program specifik për fëmijët e komunitetit rom,transport falas për ata fëmijë që kanë shkollën larg si dhe programe specifike për fëmijët në nevojë është shprehur ministrja.
Ndërsa kryebashkiaku Lulzim Basha ka vizituar sot shkollën Sami Frashëri ku deklaroi se Bashkia e Tiranës po investon në infrastrukturën arsimore.
Uroj nxënësit për një vit të mbarë e të suksesshëm. Bashkia e Tiranës po investon në infrastrukturën arsimore duke ndërtuar shkolla të reja. Do të investojmë për 9 palestra dhe 25 laboratorë të rinj është shprehur Basha.
Urimi i Nishanit
Presidenti Bujar Nishani uroi një ditë më parë vitin e ri shkollor, duke bërë thirrje për më shumë cilësi.
“Pavarësisht nga koha që kalon, stinët që ndërrohen, qeveritë që ikin e vijnë dhe parlamentet që ja lenë vendin njëri-tjetrit, qëllimi i shkollës, thelbi i saj, mbetet i njëjtë; Zotërimi i dijeve dhe edukimi. Me pikësynimin e vazhdueshëm që ato dije dhe ai edukim të bëhen në përputhje me individualitetin e secilit, aftësitë e secilit, talentet e secilit, me shpirt përgjegjësie dhe besim në të ardhmen për të mirën e vetes dhe të shoqërisë”, thuhet në mesazhin e Presidentit.
Sipas kreut të vendit, shkollimin serioz, dijet e rrënjosura, edukimin e qëndrueshëm, i kemi të domosdoshme për shumë arsye.
“Për të kualifikuar si duhet ndërtuesit e ardhmërisë sonë; për të kultivuar dhe rrënjosur vetëdijen kombëtare, atdhetare, patriotike; për të ruajtur dhe pasuruar vlerat njerëzore dhe qytetare; për të shpërndarë dhe rrënjosur kulturën e dialogut, mirëkuptimit, paqes; për ti vënë fre efekteve shkatërruese të rendjes së papërmbajtur drejt materialitetit; për të penguar dëmin e pallogaritshëm të emigrimit të trurit; për t’u bërë pjesë e familjes së shkolluar europiane, me dinjitet, me kokën lart”, shprehet kreu i shtetit.