Sot nis viti i ri shkollor 2013-2014
Sot në të gjithë vendin nis viti i ri shkollor 2013-2014. Rreth 600 mijë nxënës të arsimit 9-vjeçar dhe atij të mesëm do të ulen sot në bankat e shkollës.
Me këtë rast, Presidenti i Republikës ka uruar të gjithë nxënësve që ulen në bankat e shkollave në mbarë vendin.
“Pavarësisht nga koha që kalon, stinët që ndërrohen, qeveritë që ikin e vijnë dhe parlamentet që ja lenë vendin njëri-tjetrit, qëllimi i shkollës, thelbi i saj, mbetet i njëjtë; Zotërimi i dijeve dhe edukimi. Me pikësynimin e vazhdueshëm që ato dije dhe ai edukim të bëhen në përputhje me individualitetin e secilit, aftësitë e secilit, talentet e secilit, me shpirt përgjegjësie dhe besim në të ardhmen për të mirën e vetes dhe të shoqërisë”, thuhet në mesazhin e Presidentit.
Sipas kreut të vendit, shkollimin serioz, dijet e rrënjosura, edukimin e qëndrueshëm, i kemi të domosdoshme për shumë arsye.
“Për të kualifikuar si duhet ndërtuesit e ardhmërisë sonë; për të kultivuar dhe rrënjosur vetëdijen kombëtare, atdhetare, patriotike; për të ruajtur dhe pasuruar vlerat njerëzore dhe qytetare; për të shpërndarë dhe rrënjosur kulturën e dialogut, mirëkuptimit, paqes; për ti vënë fre efekteve shkatërruese të rendjes së papërmbajtur drejt materialitetit; për të penguar dëmin e pallogaritshëm të emigrimit të trurit; për t’u bërë pjesë e familjes së shkolluar europiane, me dinjitet, me kokën lart”, shkruan Nishani.
“Me punë dhe këmbëngulje, me sakrifica dhe rezultate, ju uroj të gjithëve ta kaloni bukur këtë vit shkollor”, uron Nishani.