Sot paradite, Kryeministri Berisha dha një konferencë për shtyp, në të cilën fillimisht bëri këtë deklaratë: "Qeveria është shprehur dhe vazhdon t'i përmbahet me rigor
Sot paradite, Kryeministri Berisha dha një konferencë për shtyp, në të cilën fillimisht bëri këtë deklaratë:
"Qeveria është shprehur dhe vazhdon t'i përmbahet me rigorozitet, se fitorja absolute e saj dhe e të gjithë shqiptarëve, do të ishin zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Mund të them, pa marrë përsipër rolin e arbitrit, sepse vlerësimin përfundimtar për këto zgjedhje do ta japin institucionet e specializuara të vëzhgimit, se qeveria dhe partitë e koalicionit, u faktuan shqiptarëve vullnetin e tyre absolut për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Procesi është në vazhdim. Kam një thirrje për të gjithë administruesit e procesit që ta finalizojnë atë ashtu siç e kanë sjellë deri në këtë moment. Sërish, dua të theksoj se kjo është dhurata më e çmuar për Shqipërinë, për çdo shqiptar, pasi kombi dhe vendi ka nevojë të shkëputet njëherë e mirë nga diskutimi jashtëzakonisht i padenjë dhe primitiv për procesin zgjedhor.
Nuk dua të komentoj rezultatet, ndonëse ato janë të mirëpritura, por këtu jam për të përshëndetur fitoren e parë të madhe. Nuk është vetem fitore e qeverisë, por është e të gjithë shqiptarëve. Thirrja ime është që ta kompletojmë në këtë mënyrë procesin"
Më pas, Kryeministri Berisha iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve.
Pyetje: Nëqoftë se humbisni betejën për Tiranën, kujt ia dedikoni humbjen, vetes apo zotit Olldashi?
Kryeministri Berisha: Këtu nuk jam për rezultatet. Selia e partisë është duke komentuar në vazhdimësi rezultatet. Unë jam këtu për fitoren e parë. Zgjedhje të tilla nuk janë rregjistruar në historinë e pluralizmit.
Pyetje: Zoti Berisha, ju do të jeni të gatshëm të pranoni një rezultat të dalë nga zgjedhjet e Tiranës, pavarësisht se mund të fitojë zoti Rama?
Kryeministri Berisha: Absolutisht çdo rezultat që del nga vota e lirë. Kur unë kam përcaktuar përparësitë, nuk i kam bërë me mëdyshje ato. Përparësi absolute është vota e lirë. Ngjarja e Kombinatit ishte ngjarje e shëmtuar, por atë do ta vlerësojnë observuesit, do ta vlerësojnë institucionet e administrimit të zgjedhjeve. Për mua, rëndësi të parë dhe kryesore ka patur fakti që këto zgjedhje t'i shkëpusnin njëherë e mirë shqiptarët që kanë mbetur shumë të angazhuar në diskutimet për zgjedhjet.
Pyetje: Deri tani, do ta klasifikonit votën si të lirë dhe të ndershme?
Kryeministri Berisha: Ajo çka mund të them është se qeveria, partitë e koalicionit, institucionet që varen nga qeveria, pra ato çka kanë lidhje me qeverinë, kanë faktuar vullnet të plotë për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Procesi nuk ka përfunduar, sepse janë në numërim mijëra qendra votimi dhe shpresoj që të vazhdojnë në këtë mënyrë. Por ne faktuam vullnetin dhe nuk ka patur as edhe një incident madhor. Mos harroni se, në zgjedhjet e kaluara, është ekzekutuar komisioneri në qendrat e votimit dhe është llogaritur ai rezultat.
Pyetje: Zoti Berisha, keni patur në këto orë të fundit takime me diplomatë ose me përfaqësues të vëzhguesve ndërkombëtar, nëse mund të na bëni me dije ndonjë vlerësim paraprak të tyre për zgjedhjet?
Kryeministri Berisha: Jo, nuk mund të bëj asnjë lloj vlerësimi të tyre paraprak mbi zgjedhjet, sepse ata janë duke vazhguar. Unë dua t'i falënderoj përzemërsisht, sepse absolutisht, me praninë e tyre, dhanë kontribut shumë të ndjeshëm. Kanë qenë në çdo vened ku janë numëruar dhe po numërohen votat dhe po vëzhgojnë. Unë kam vetëm falënderim për ta.
Pyetje: Ju thoni se u faktua vullneti i mazhorancës dhe i qeverisë për zgjedhje të lira dhe të ndershme, por nuk e klasifikoni ende procesin si të tillë. A mund ta sqaroni më më mirë këtë?
Kryeministri Berisha: Jo, sepse së pari, të tillë nuk e klasifikon qeveria. Klasifikime të tilla duhet të bëjnë institucione të tjera dhe jo qeveria. Qeveria punon, zotohet, qeveria është aktor në zgjedhje dhe siç jeni në dijeni, çfarë ka qenë e varur nga qeveria dhe e lidhur me të, ka funksionuar në përputhje me ligjet e vendit, të cilat përcaktojnë mënyrën e zhvillimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Vlerësimi përfundimtar u takon të tjerëve. Rasti i Kombinatit ishte rast shumë i shëmtuar, por nuk ishte vullnet i qeverisë, as i forcave politike.
Pyetje: A do të kërkoni pavlefshmëri në këtë zonë?
Kryeministri Berisha: Kjo është gjë tjetër. Se çfarë do të bëjë Partia Demokratike dhe vet kandidati është realisht problem tjetër. Por e rëndësishme është që u dëshmua vullnet i kristalt dhe të jeni të sigurt që, në mënyrë të padiskutueshme, unë këtë kam patur si qëllim të parë dhe më madhor.
Pyetje: Zoti Berisha, nëse mund të jeni pak më i qartë, çfarë keni parasysh me zgjedhje të lira dhe të ndershme, pasi ndryshimi shumë i madh është që nuk patëm incidente serioze, por po krahas kësaj?
Kryeministri Berisha: Jo vetëm incident serioz, por nuk ka patur presione. Asnjë nga agjencitë që varen nga qeveria nuk ka treguar asnjë lloj anësimi. Televizioni Publik Shqiptar është kuotuar siç i takon, me dinjitet, dhe kjo për mua është shumë e rëndësishme. Të jeni të sigurt se kjo ka qenë kërkesë e prerë e qeverisë. Qeveria përballoi zgjedhjet më të kushtueshme në historinë e vendit, në kuptimin e financave, sepse ka 13 komisionerë që do të paguhen në çdo qendër votimi. Ndërsa moralisht këto zgjedhje absolutisht janë të vlerësuara si më të mirat dhe është absolutisht ajo që pret Shqipëria dhe çdo shqiptar.
Edhe njëherë, dua t'ju them se asgjë më lënduese për mua nuk ka, sesa energjitë që shoqëria të cilës unë i përkas, ka shpenzuar gjatë këtyre viteve për procesin zgjedhor. Shpresojmë që të mbyllet i gjithë procesi kështu dhe ta realizojmë ashtu siç e meriton pjekuria e qytetarëve, sepse kjo që ndodhi është pjekuri e qytetarave.
Pyetje: Si do t'i komentonit raportet e njëpasnjëshme të disa organizatave joqeveritare, të kryesuara nga ish kryetari i KQZ-së Ilirian Celibashi?
Kryeministri Berisha: Unë nuk po komentoj para jush as raportet e shtabeve të mia elektorale. Unë këtu nuk jam për të komentuar rezultatet. E theksova se fitorja e parë, më e rëndësishmja, u arrit. E dyta është në numërim e sipër, të presim rezultatin. Të jeni të sigurt se nuk do të më mungojë as dëshira, as vullneti, as gadishmëria për të komentuar dhe të dytën.
Pyetje: Zoti Kryeministër, a do të ketë një analizë të thellë nga ana e mazhorancës në lidhje me rezultatin, cilido qoftë ai?
Kryeministri Berisha: Analiza e parë e mazhorancës është zgjedhja e lirë dhe e ndershme. Përsa i përket analizës së dytë, secila parti politike do të bëjë analizën e vet dhe kjo është gjëja më normale.