E Diel, 1 Nëntor 2026

Sot paradite, Kryeministri Berisha mirëpriti Komisionerin e BE-së për Zgjerimin Olli Rehn. Pas takimit mes tyre, Zoti Berisha dhe Zoti Rehn dolën në një konferencë të përbashkët për shtyp,

Sot paradite, Kryeministri Berisha mirëpriti Komisionerin e BE-së për Zgjerimin Olli Rehn. Pas takimit mes tyre, Zoti Berisha dhe Zoti Rehn dolën në një konferencë të përbashkët për shtyp, në fillim të së cilës bënë këto deklarata:

Komisioneri Rehn: "Jam shumë i gëzuar që ndodhem përsëri në Shqipëri në këtë ditë të bukur pranvere. Herën e kaluar që kam qenë në Tiranë, ne sigluam marëveshjen e Stabilizim-Asociimit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian. Kjo marrëveshje, e cila për të qenë të saktë është marrëveshje e ndërmjetme, është në fuqi. Marrëveshja e Stabilizim Asociimit, përbën një kuadër të qëndrueshëm për rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian. Ajo përmban gjithashtu shume dispozita për tregëtinë e lirë dhe hyrjen në tregun evropian dhe së bashku me marrëveshjet rajonale të tregtisë së lirë do të lehtësojë zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve më të mira të punës në Shqipëri. Shndërrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit në sukses dhe afrimi me Bashkimin Evropian kërkon reforma të mëtejshme, kërkon konsensus për rregullat bazë të demokracisë, kërkon bashkëpunim kulturor dhe stabilitet demokratik. Zgjedhjet vendore të fundit dhe sidomos zgjedhjet e pjesshme treguan se udhëheqësit politikë kanë ende nevojë ta përmirësojnë mënyrën se si bashkëpunojnë ndërmjet tyre.

Zgjedhja e Presidentit në qershor është një rast tjetër për Shqipërinë, për udhëheqësit politikë shqiptarë, që t'u tregojnë qytetarëve të tyre dhe Bashkimit Evropian se ata mund të bashkëpunojnë. Reforma elektorale është shumë e domosdoshme, duhet një regjistër i besueshëm i gjendjes civile, i cili përbën bazën për një sistem zgjedhor të qëndrueshëm. Bashkimi Evropian e mbështet këtë reformë dhe Komisioni Evropian ka akorduar 3 milionë euro për projektin e reformimit të Regjistrit Themeltar të Gjendjes Civile. Gjithashtu, reforma të tjera nevojiten në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe rritjes së ulët ekonomike. Këto reforma nuk bëhen për hir të Bashkimit Evropian, ato bëhen për qytetarët shqiptarë, në mënyrë që ata të jetojnë një jetë më të mirë dhe të gëzojnë një mjedis të qëndrueshëm politik, i cili do të ndihmojë gjithashtu në tërheqjen e investitorëve të huaj e në këtë mënyrë edhe në zhvillimin ekonomik.

Ne diskutuam së bashku me Kryeministrin Berisha edhe çështjen e Statusit të Kosovës.Çështja e Kosovës është çështja e fundit e hapur në lidhje me statusin e shteteve të Ballkanit perëndimor. Unë i shpreha zotit Kryeministër vlerësimin tonë për qëndrimin tepër konstruktiv të Shqipërisë në këtë proces. Bashkimi Evropian e mbështet plotësisht Presidentin Ahtisaari dhe ne po punojmë për një zgjidhje të qëndrueshme të statusit të Kosovës. Ky është një test në lidhje me multilateralizmin në Kosovë dhe ne besojmë që OKB-ja do ta zgjidhë këtë çështje në mënyrë të drejtë. Bashkimi Evropian mbështet zgjidhjen e statusit të Kosovës, në mënyrë që të krijohet dhe zhvillohet një mjedis multietnik dhe të ketë një zhvillim rajonal të qëndrueshëm. Zgjidhja e kësaj çështjeje të hapur për statusin e Kosovës do të ndihmojë tërë rajonin që të kthejë faqe, duke lënë pas të kaluarën dhe duke synuar integrimin drejt Bashkimt Evropian".

Kryeministri Berisha: "Edhe një herë shfrytëzoj rastin të falënderoj përzemërsisht komisionarin Olli Rehn për vizitën e tij në një hark kohor të shkurtër në Shqipëri, si një eveniment shumë të rëndësishëm në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe BE-së, si dhe për interesin dhe vëmendjen e tij konstante për zhvillimet në Shqipëri.

Kemi pasur diskutime shumë të frytshme e të hapura. Pata kënaqësinë ta informoj komisionerin Rehn që Shqipëria po zbaton me seriozitet të veçantë marrëveshjen interim të Stabilizim-Asociimit dhe ne mbetemi shumë të vendosur në zbatimin rigoroz të saj.

E informova komisionerin Rehn se qeveria është e angazhuar një kurs të thellë reformash në luftën me tolerancë kundër krimit të organizuar, në luftën me tolerancë zero kundër korrupsionit. Rezultate janë të qarta. Të gjithë bosët e mafies shqiptare kudo ku janë ndodhur, brenda e jashtë vendit, janë vendosur para ligjit, si dhe qindra e qindra anëtarë të bandave të tyre kanë pasur të njëjtin fat, shumë miliona asete të tyre janë konfiskuar dhe me dhjetëra e dhjetëra grupe trafikantësh janë ndaluar. Tolerancë zero do të jetë qëndrimi ynë ndaj krimit të organizuar. Ne u jemi shumë mirënjohës të gjitha agjencive të vendeve partnere për kontributin dhe ndihmën e çmuar që na kanë dhënë e japin në këtë luftë.

Ne kemi shënuar rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit. Administrata është tërësisht jashtë konflikt të interesit. Kostoja e përgjithshme e prokurimeve publike në vend është ulur rreth 25 për qind për shkak të transparencës, mbi 23 për qind janë rritur të ardhurat buxhetore, ndërkohë që Shqipëria sipas KPMG është klasifikuar e para në uljen e taksave si përqindje. Përpjekje shumë serioze janë bërë për të lehtësuar barrierat ndaj biznesit.

Unë e sigurova komisionerin Rehn se qeveria në krye të të gjitha reformave ka reformat politike dhe në këtë kontekst zgjedhjet e lira e të ndershme janë të një rëndësie fondamentale. Zgjedhjet e kaluara kanë pasur dy tipare të pamohueshme, nuk ka pasur asnjë raportim nga media, nga vëzhguesit shqiptarë apo të huaj se qeveria ka bërë përpjekje për të ndryshuar apo manipuluar rezultatin zgjedhjeve, sikundër këto janë zgjedhjet e para, rezultatet e të cilave i kanë pranuar pa komente të gjitha palët. Duke shprehur këto në mënyrë të padiskutueshme biem dakord me mangësitë serioze procedurale që karakterizuan këto zgjedhjeve dhe mbetemi të përkushtuar të procedojmë sa më shpejt me kartat e identitetit, me regjistrin elektronik të gjendjes civile, me sistemin e ri të adresave të bazuar në Zip-in, i cili tre muaj më parë na është dhënë nga Agjencia Ndërkombëtare e Telekomunikacionit. Sikundër e sigurova se qeveria është e gatshme të pranojë cilindo sistem që opozita të propozojë për zgjedhjet, të pastër proporcional, rajonal proporcional për ne nuk përbën asnjë dallim madhor dhe nuk kemi asnjë kundërshtim.

Mesa duket fundi i majit përkon me fillimin procesit të zgjedhjes se presidentit të republikës, sipas afateve të përcaktuara në rregulloren e parlamentit dhe në Kushtetutë. Ne jemi plotësisht të përgatitur për të zgjedhur një president konsensual. President konsensual do të thotë jo i imponuar. Praktika e parë në Shqipëri në këtë drejtim nuk ka qenë e imponuar dhe për këtë është i vetëdijshëm çdo shqiptar.

Ne diskutuam për gjendjen në rajon dhe problemin e Kosovës. Qeveria e ka mbështetur plotësisht presidentin Ahtisaari, përpjekjet e tij dhe dokumentin që ai paraqiti para autoriteteve të Kosovës, të Beogradit, grupit të kontaktit dhe komunitetit ndërkombëtar për zgjidhjen e statusit final të Kosovës. Ajo që dua të theksoj këtu e të bëjë thirrje, teksti i paraqitur nga presidenti Ahtisaari të shtyhet përpara dhe të parandalohen amendimet, të cilat mund të krijojnë probleme në të ardhmen me këtë tekst për Kosovën, për Shqipërinë dhe të gjithë vendet përreth Kosovës. Rëndësi kryesore ka që dokumenti i presidentit Ahtisaari të shndërrohet në një dokument paqeje e stabiliteti për Kosovën dhe rajonin. Unë kam bindjen se ai dokument ka mishëruar parimet, të cilat japin paqe, stabilitet, prosperitet dhe zhvillim në Kosovë.

Komisioneri Rehn, edhe një herë dua t'ju falënderoj përzemërsisht për vizitën tuaj."

Më pas, Zoti Berisha dhe Zoti Rehn iu përgjigjën interesimit të gazetarëve.

Pyetje: Zoti Rehn, si e gjykoni alternativën e zgjedhjeve të parakohshme të paralajmëruara nga opozita, nëse nuk arrihet konsensusi për presidentin, në kushtet kur nuk kemi ende një reformë zgjedhore?

Komisioneri Rehn: Nuk është detyra ime as e BE-së të përcaktoj se kur zhvillohen zgjedhjet. Ajo që është e rëndësishme është të respektohen rregullat e demokracisë dhe në Shqipëri si dhe në vendet e tjera.

Pyetje: Dje ka ardhur një pakt nga kryetari i PS-së Edi Rama për kryerje e reformave të mëdha të vendit, që në fakt kërkohen edhe nga BE-ja. A jeni ju gati të uleni në një tryeze për të shmangur zhgjedhjet e parakohshme dhe për një president konsensual?

Kryeministri Berisha: Së pari, qeveria mbetet e angazhuar dhe e përkushtuar totalisht për reformat. Në këtë kontekst, mirëpret çdo kontribut, çdo ofertë bashkëpunimi nga opozita dhe nga faktorë të tjerë të rëndësishëm të shoqërisë shqiptare. Natyrisht një nga problemet e rëndësishme që kemi për të zgjidhur është presidenti konsensual dhe në kuptimin e vërtetë të një zgjidhjeje konsensuale mbetem plotësisht i angazhuar.

Pyetej: Zoti Rehn, cili është përshkrimi juaj për ecurinë e reformave në ekonominë shqiptare dhe cili është komenti juaj për situatë ekonomike në Kosovë?

Komisioneri Rehn: Situata ekonomike në Kosovë fatkeqësisht është shumë e dobët dhe duhet një qartësi për statusin e saj politik e ligjor, çka do të krijonte kushte të përshatshme për zhvillim ekonomik, investimet e huaja dhe krijimin e vendeve të reja të punës. Kosova ka mundësi të shumta dhe domethënëse, sidomos pas vendosjes së statusit.

Përsa i përket Shqipërisë, ne diskutuam mbi reformat që po. Shqipëria ka një potencial të madh ekonomik, i cili është gati që të çlirohet si në industri dhe turizëm. Është e rëndësishme për vendin që të jetë në gjendje të luftojë kundër korrupsionit dhe krimit, të sigurojë një kuadër të qëndrueshëm ligjor për investitorët, në mënyrë që të mund të shfrytëzojë mundësitë që i jep marrëveshja e Stabilizim-Asociimit dhe marrëveshjet rajonale të tregtisë së lirë. Në qoftë se këto mundësi shfrytëzohen, atëherë padyshim që e ardhmja ekonomike e Shqipërisë do të jetë shumë e ndritshme. Në lidhje me këtë pyetje, një vlerësim më të saktë mund të gjeni në raportin vjetor të KE-së për progresin.

Pyetje: Nëse BE-ja në periudhën pas statutore në Kosovë do të ketë përgjegjësi të ndjeshme a do të thotë kjo se Kosova do të ketë një premisë për të shpejtuar procesin e saj integrues në Kosovë?

Komisioneri Rehn: Së pari ne duhet të zgjidhim çështjen e statusit të Kosovës në mënyrë të qëndrueshme dhe unë besoj se OKB-ja do ta bëjë këtë në shpirtin e multilateralizmit të përgjegjshëm. Ne mbështesim një zgjidhje të qëndrueshme të statusit të Kosovës dhe unë besoj se Kombet e Bashkuara do të kryejë një zgjidhje të përgjegjshme në lidhje me këtë. BE po përgatitet të marrë përsipër përgjegjësi të rëndësishme për sa i përket pranisë ndërkombëtare civile në Kosovë, pasi të jetë zgjidhur çështja e statusit. NATO-ja do të vazhdojë të jetë përgjegjëse për sigurimin e paqes dhe stabilitetit në Kosovë. Ne kemi bashkëpunim të plotë me NATO-n dhe të gjitha vendet e rajonit, përfshirë edhe Shqipërinë e Kosovën, kanë një perspektivë Evropiane konkrete dhe të.

Pyetje: Banka Botërore ka pasur një raport për reformën ekonomike të qeverisë, duke cituar se ka ende korrupsion në tatime, dogana, por, mbi të gjitha, duke vlerësuar se niveli i kapjes së shtetit në Shqipëri është shumë i lartë. Cili është qëndrimi i qeverisë shqiptare lidhur më të?

Kryeministri Berisha: Së pari, unë e vlerësoj mjaft pozitiv raportin dhe dua të qartësoj se të dhënat që ju citoni i përkasin periudhës para ardhjes në pushtet të qeverisë aktuale. Por, duke thënë këtë, nuk mund të injorojmë se ekziston korrupsion, nuk mund të injorojmë se ekziston krimi i organizuar. Por ajo që ekziston është edhe lufta me zero tolerancë. Meqenëse trajtove çështjen e raportit, raporti i cilëson shpenzimet publike si optimale, çka më pëlqen dhe më inkurajon që të optimizohen më tej.

Pyetje: Sa mendoni se janë përmirësuar kapacitet administrative të Shqipërisë dhe si janë ato në raport me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor si Serbia e Mali i Zi dhe së dyti, si po ecën reformat në gjyqësorin shqiptar?

Komisioneri Rehn: Reformat në gjyqësor janë themelore, pasi prekin funksionim e të gjithë shoqërisë. Ka një progres në këtë fushë, i cili është i domosdoshëm në luftën kundër korrupsionit dhe krimit por ne presim të shohim një përforcim të mëtejshëm të reformave të gjyqësorit për të mirën e qytetarëve të Shqipërisë. Kjo është një nga fushat kyçe që ne po monitorojmë në kuadër të raportit tonë vjetor mbi progresin. Ekspertët tanë po e ndihmojnë Shqipërinë dhe ne po punojmë së bashku e njëkohësisht po vlerësojmë progresin. Kjo është një nga fushat kyçe në të cilat ne jemi përqendruar për raportin tonë vjetor, i cili do të publikohet në vjeshtë.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›