E Enjte, 5 Nëntor 2026

Sot protesta e opozitës, akset rrugore që do të bllokohen

TIRANË, 29 tetor/ATSH/ Opozita do të zhvillojë sot protestën e radhës, që sipas kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, cilësohet “mosbindje civile”.

Sikurse është njoftuar, protesta do të nisë në orën 17:00. Në këtë tubim është bërë me dije nga opozita se do të ketë disa paralizime të akseve kryesore të vendit.

Sipas njoftimit, segmentet rrugore që do të bllokohen janë: “Casa Italia – Sheshi Shqiponja”: (Degët e Tiranës dhe Qarkut Dibër); Rrethrrotullimi Milot: (Degët e Qarkut Kukës, Shkodër dhe Lezhë); Rrethrrotullimi Shkozet: (Degët e Qarkut Durrës); Rrethrrotullimi Bradashesh: (Degët e Qarkut Elbasan dhe Korçë); Rrethrrotullimi Rrogozhinë: (Dega Kavajë, Rrogozhinë, Lushnjë dhe Divjakë); Rrethrrotullimi Levan: (Degët e Qarqeve Fier, Vlorë, Berat dhe Gjirokastër).

Policia e Shtetit u ka kthyer përgjigje organizatorëve se merr përsipër garantimin e tubimeve që nuk bllokojnë lëvizjen e lirë të automjeteve dhe qytetarëve.

“Bllokimi i akseve rrugore është vepër penale e parashikuar nga neni 293 i Kodit Penal dhe cilido që do të ndërmarrë veprime për të bllokuar rrugët, do të përballet me pasojat që sjell shkelja e këtij neni”, njoftoi një ditë më parë Policia e Shtetit.

Policia ka angazhuar 1200 efektivë në të gjithë vendin për mbarëvajtjen e protestës, por edhe të koordinuar trafikun në rast bllokimesh. Një ditë më parë, Partia Demokratike informoi Policinë e Shtetit për protestën që do të zgjasë 3 orë, nga ora 17:00 deri në orën 20:00.

/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›