E Enjte, 5 Nëntor 2026

Sot protesta, Blushi: Do të bllokohen disa akse rrugore, mos provokoni opozitën

TIRANË, 29 nentor /ATSH/ Opozita do të zhvillojë sot protestën e radhës, që sipas kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, cilësohet “mosbindje civile”.

Sikurse është njoftuar, protesta do të nisë në orën 17:00. Në këtë tubim është bërë me dije nga opozita se do të ketë disa paralizime të akseve kryesore të vendit.

“Segmenti “Casa Italia – Sheshi Shqiponja”: (Degët e Tiranës dhe Qarkut Dibër) Rrethrrotullimi Milot: (Degët e Qarkut Kukës, Shkodër dhe Lezhë); Rrethrrotullimi Shkozet: (Degët e Qarkut Durrës); Rrethrrotullimi Bradashesh: (Degët e Qarkut Elbasan dhe Korçë); Rrethrrotullimi Rrogozhinë: (Dega Kavajë, Rrogozhinë, Lushnje dhe Divjakë); Rrethrrotullimi Levan: (Degët e Qarqeve Fier, Vlorë, Berat dhe Gjirokastër”, tha Tedi Blushi sekretar i përgjithshëm i Partisë së Lirisë.

Në një deklaratë për mediet, Blushi bëri thirrje ministrit të Brendshëm që të mos provokojnë protestuesit e opozitën.

“Bllokimi i rrugëve, protesta dhe Mosbindja Civile e Opozitës, sot do të jetë një kushtrim edhe për të gjithë ata shqiptarë që jetojnë jashtë kufijve të vendit tonë dhe që janë të gatshëm të përballen me këtë regjim duke sakrifikuar edhe jetën e tyre në mbrojtje të Çështjes Kombëtare, për të cilën sot Ilir Meta dhe Sali Berisha janë burgosur politikisht”, tha Blushi.

Ndërkaq Policia e Shtetit ka ndërmarrë të gjitha masat për garantimin e rendit publik, zbatimin e të drejtave dhe lirive të qytetarëve dhe të pjesëmarrësve në tubime, si dhe mbrojtjen e pronave publike dhe private.

Policia e Shtetit iu ka kthyer përgjigje organizatorëve se merr përsipër garantimin e tubimeve që nuk bllokojnë lëvizjen e lirë të automjeteve dhe qytetarëve.

“Bllokimi i akseve rrugore është vepër penale e parashikuar nga neni 293 i Kodit Penal dhe cilido që do të ndërmarrë veprime për të bllokuar rrugët, do të përballet me pasojat që sjell shkelja e këtij neni”, njoftoi një ditë më parë Policia e Shtetit.

Gjithashtu, qytetarët që duan të udhëtojnë drejt Rinasit, me qëllim daljen jashtë vendit, duhet që për shkak të trafikut që mund të krijohet, të arrijnë në aeroport para orës 17:00, ose të përdorin rrugët alternative për të mbërritur në kohë.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›