Sot rekomandimi për progresin e mëtejshëm të Kosovës e Serbisë
Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian pritet që sot të japë dritën jeshile nisjes së negociatave të Stabilizim Asociimit mes Prishtinën dhe Brukselit.
Siç qëndron në draftin e dokumentit, Këshilli i Ministrave miraton vendimin për të autorizuar hapjen e negociatave MSA me Kosovën pa paragjykim për pozitën e vendeve anëtare ndaj statusit. Ata do të përgatisin qëndrimin përfundimtar të shteteve anëtare, i cili do formalizohet në nivel të shefave të shteteve dhe qeverive të BE-së në takimin që do mbahet në fund të kësaj jave.
Shefja e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton, e cila është njëkohësisht edhe ndërmjetësja e dialogut në mes të Kosovës e Serbisë, e ka kualifikuar si mahnitës progresin e bërë nga Prishtina dhe Beogradi. Duke cilësuar se ishte privilegj që të punojë me dy kryeministrat, Ashton tërheq vëmendjen se ata të dy kanë edhe shumë punë për të bërë në procesin e normalizimit të raporteve.
Edhe Serbia pret nga Këshilli Evropian vendimin për nisjen e negociatave të anëtarësimit në mes të Beogradit dhe Brukselit. Për vendimin formal, Serbia duhet të pret të premten e ardhshme sepse kjo çështje do jetë pjesë e debatit edhe në samit pasi që Gjermania edhe më tutje mbetet shtet i cili heziton që Serbisë ti mundësohet nisja e pakushtëzuar e negociatave të anëtarësimit andaj edhe fjala e fundit sipas të gjitha gjasave do i lihet kancelarës Angela Merkel.