Konflikti i pronësisë, vritet biznesmeni në Laç, plagoset i vëllai
Një tjetër vrasje është shënuar paraditën e sotme në Laç pas vrasjes së përfaqësuesit të LSI-së dy ditë më parë në këtë qytet.
Sipas informacioneve më të fundit është vrarë 50-vjeçari Lekë Syziu, biznesmen në qytetin e Laçit ndërsa është plagosur vëllai i tij Pal Syziu i cili është dërguar me urgjencë drejt Spitalit Ushtarak ku ndodhet në gjendje kritike për jetën.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 10:50 pranë gjykatës së rrethit Kurbin ndërsa policia ka identifikuar edhe autorin e dyshuar të krimit i cili është shtetasi Arben Krosi.
Mësohet se Syziu ishte përfaqësues i PD-së por sipas policisë ngjarja ka ndodhur për konflikte pronësie dhe jo për motive politike.
Sipas informacioneve dy vëllezërit Syziu kishin konflikte pronësie prej kohësh me autorin e krimit.
Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forcat e policisë të cilat kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.