Sot samiti i parë ndërqeveritar Shqipëri-Itali

Kjo është mbledhja e parë e përbashkët që zhvillohet mes qeverisë shqiptare dhe asaj italiane. Pritet të nënshkruhen marrëveshje në disa sektorë. Për Italinë, kjo është hera e parë që ulet në një tryezë të përbashket me qeverinë e një shteti jo anëtar të BE.
Qeveria shqiptare dhe ajo italiane pritet të zhvillojnë sot një mbledhje të përbashkët në Romë, e para mes dy qeverive, dhe që shënon nivelin më të lartë të bashkëpunimit mes dy vendeve. Kryeministri Edi Rama, së bashku me 10 ministra, do të marrin pjesë në takimin e përbashkët me kabinetin e qeverisë italiane.
Të pranishëm do të jenë: zëvendës kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku; ministrja e Jashtme Elisa Spiropali; i Drejtësisë Besfort Lamallari; ajo e Brendshme Albana Koçiu; I Mbrojtjes Pirro Vengu; e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Evis Sala; e Ekonomisë dhe Inovacionit Delina Ibrahimaj; i Turizmit, Kulturës dhe Sportit Blendi Gonxhja; i Mjedisit Sofjan Jaupaj; dhe Adea Pirdeni, ministre e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin.
Së pari, në orën 11:40, kryeministri do të takohet me homologen Giorgia Meloni. Mbledhja e përbashkët do të nisë në orën 12:30, ndërsa rreth orës 14:00 pritet nënshkrimi i disa marrëveshjeve dhe memorandumeve. Në fund të tetorit, qeveria miratoi në parim një marrëveshje bashkëpunimi me Italinë për të paktën 10 sektorë. Pikërisht kjo do të jetë ajo që pritet të nënshkruhet mes dy shefave të qeverive.
Marrëveshjet dhe memorandumet që pritet të nënshkruhen janë në fusha si: mbrojtja dhe siguria, energjia, migracioni, mbrojtja civile, shëndetësia, mjedisi, zhvillimi ekonomik dhe infrastruktura.
Ministritë që do nënshkruajnë marrëveshjet janë ajo e Brendshme, e Mbrojtjes, e Shëndetësisë, e Jashtme (një marrëveshje për cybersecurity), dhe e Infrastrukturës dhe Energjisë (marrëveshje financimi për rrjetin elektrik të veriut).
Italia ka zhvilluar dhe të tjera mbledhje të përbashkëta me vende anëtare të BE-së, por është e para herë që do të ulet në një tryezë të përbashkët me një shtet janë Unionit.
Delegacioni shqiptar që do të marrë pjesë në mbledhjen e përbashkët përbëhet nga:
• Belinda Balluku, Zv.kryeministre dhe Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë
• Elisa Spiropali, Ministre për Evropën dhe Punët e Jashtme
• Besfort Lamallari, Ministër i Drejtësisë
• Albana Koçiu, Ministre për Punët e Brendshme
• Pirro Vengu, Ministër i Mbrojtjes
• Evis Sala, Ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale
• Delina Ibrahimaj, Ministre e Ekonomisë dhe Inovacionit
• Blendi Gonxhja, Ministër i Turizmit, Kulturës dhe Sportit
• Sofjan Jaupaj, Ministër i Mjedisit
• Adea Pirdeni, Ministre e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin