Sot seancë dhe protestë para Kuvendit/Kuvendi me agjendë të ngjeshur

Kuvendi i Shqipërisë do të mblidhet të enjten, më 29 tetor, në orën 10:00, në seancën e parë plenare pas përplasjeve fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës, që shoqëruan punimet e javës së kaluar dhe përfunduan me përjashtimin për 60 ditë të gjashtë ligjvënësve demokratë.
Sipas rendit zyrtar të ditës, të miratuar nga kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, seanca parashikon shqyrtimin e 12 projektligjeve, një akti normativ dhe tri projektvendimeve, krahas një interpelance me ministrin e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, të kërkuar nga deputetja demokrate Ina Zhupa.
Mes nismave kryesore është projektligji i ri “Për Bankën e Shqipërisë”, për miratimin e të cilit kërkohet shumicë e cilësuar votash. Në rendin e ditës është përfshirë edhe projektligji për krijimin e Këshillit Fiskal të Republikës së Shqipërisë, si dhe ndryshimet në legjislacionin për akcizat.
Një pjesë e konsiderueshme e seancës pritet t’u kushtohet reformave ekonomike dhe rregullimit të veprimtarisë së biznesit.
Deputetët do të shqyrtojnë projektligjin për mbrojtjen e konsumatorit, ndryshimet në ligjet për Qendrën Kombëtare të Biznesit, regjistrimin e biznesit dhe shoqëritë tregtare, si dhe një nismë për shndërrimin, bashkimin dhe ndarjen ndërkufitare të shoqërive tregtare.
Në rendin e ditës janë edhe ndryshimet në legjislacionin për administrimin e ndërtimeve pa leje të konfiskuara dhe pasurive të sekuestruara e të konfiskuara, si dhe ndryshimet në ligjin për peshkimin.
Kuvendi pritet të shqyrtojë gjithashtu ratifikimin e një marrëveshjeje bashkëpunimi financiar me Gjermaninë për rinovimin e konvikteve të universiteteve publike sipas parimeve të eficiencës së energjisë.
Tre projektvendime të tjera lidhen me strukturën dhe personelin e institucioneve. Dy prej tyre parashikojnë ndryshime në organikën dhe klasifikimin e pagave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, përfshirë personelin me kohë jo të plotë që do të angazhohet për administrimin e zgjedhjeve vendore të vitit 2027.
Projektvendimi i tretë lidhet me strukturën organizative të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave.
Një seancë pas përplasjeve dhe përjashtimeve
Seanca e 29 tetorit zhvillohet në një klimë të tensionuar parlamentare, pas incidenteve të 22 tetorit, kur deputetët e opozitës bllokuan foltoren, vendosën karrige mbi tavolina dhe kundërshtuan vazhdimin e punimeve.
Pas një ndërprerjeje disa minutëshe, kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, kërkoi kalimin drejtpërdrejt në votimin e projektligjeve, pa zhvilluar diskutimet e parashikuara.
Propozimi u miratua nga shumica parlamentare, ndërsa gjatë votimeve pati përplasje fizike, ndërprerje të fjalës së deputetëve dhe tentativa për marrjen e kartonëve të votimit.
Në përfundim, Kuvendi miratoi gjashtë projektligje dhe një projektvendim, të gjitha me nga 76 vota. Votimi u krye me kartonë, pasi sistemi elektronik nuk funksiononte.
Mes akteve të miratuara ishin projektligji për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, marrëveshja me Maqedoninë e Veriut për pikat e përbashkëta kufitare dhe vendimi për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për fazën e dytë të Reformës Administrativo-Territoriale.
Një ditë më vonë, Sekretariati i Etikës vendosi përjashtimin për 60 ditë nga punimet e Kuvendit të gjashtë deputetëve demokratë: Flamur Noka, Belind Këlliçi, Edi Paloka, Fidel Kreka, Luçiano Boçi dhe Besart Xhaferri
Vendimi erdhi pas kërkesës së një grupi deputetësh socialistë, të cilët i akuzuan ligjvënësit e opozitës për përfshirje në përplasje fizike dhe sulme ndaj përfaqësuesve të mazhorancës.
Socialistët kishin kërkuar masa disiplinore edhe ndaj 14 deputetëve të tjerë demokratë, me argumentin se kishin penguar zhvillimin normal të seancës duke bllokuar foltoren. Megjithatë, Sekretariati i Etikës e rrëzoi kërkesën për përjashtimin e tyre me 10 ditë.
Seanca e së enjtes do të jetë kështu një provë e re për funksionimin e Kuvendit pas përshkallëzimit të konfliktit parlamentar.
Ndryshe nga java e kaluar, kur shumica kaloi drejtpërdrejt në votim, rendi i ri i ditës parashikon pyetje, diskutime dhe qëndrime të grupeve parlamentare për pjesën më të madhe të projektligjeve.
Mbetet për t’u parë nëse punimet do të zhvillohen sipas procedurës së parashikuar apo përplasja politike mes mazhorancës dhe opozitës do të ndikojë sërish shqyrtimin e nismave ligjore.