Sot shënohet 70-vjetori i Konferencës së Pezës

Mazhoranca dhe opozita kanë përkujtuar sot për herë të parë sëbashku konferencën e Pezës në 70-vjetorin e saj. Në aktivitetin qëndor të organizuar në Pezë, ka mbajtur fjalimin kryesor ministri i Mbrojtjes Arben Imami, ndërsa të pranishëm ishin kreu i grupit parlamentar socialist Gramoz Ruçi shoqëruar nga deputetë të selisë rozë, si edhe përfaqësues të LSI-së, ndërsa kanë mungurar dy krerët kryerosë të së majtës, Edi Rama dhe Ilir Meta.
Nënkrytari i LSI-së Petrit Vasili dhe Sekretari i përgjithshëm i kësaj force politike Luan Rama kanë vendosur kurora me lule në monumentin e LANÇ të Pezës. Në fjalën e tij, Luan Rama është shprehur se Peza është referenca më e ndritur dhe shembull për vetëdijen e një kombi. “Lufta Nacional Çlirimtare e vendosi Shqipërinë përkrah forcave fituese. Jemi këtu jo vetëm për të nderuar 70- vjetorin e Pezës, por për të nderuar të gjitha sakrificat e popullit” shtoi më tej ai.
Pjesë e aktivitetit, ashtu siç do vit ishin edhe veteran të luftës Nacional-Çlirimtare, banorë të zonës dhe të ftuar. Ndërkohë që edhe bashkia e Tiranës e drejtuar nga Lulëzim Basha ka njoftuar se do të vijojë traditën e vendosur nga paraardhësi i Bashës, Edi Rama, për organizimin e festës që zgjat deri në orët e para të mëngjesit. Bashkia ka njoftuar për vënien në dispozicion të autobusëve falas që do të udhëtojnë gjatë pasdites drejt Pezës për të ndjekur organizimet festive me rastin e 70-vjetorit të konferencës.
Më 16 shtator 1942 u mbajt në fshatin e Pezës, disa kilometra larg Tiranës, Konferenca e njohur në historinë e popullit shqiptar, si kuvendi i parë pluralist. Protagonistë të këtij kuvendi ishin përfaqësues të krahinave, dhe besimeve të ndryshme fetare, klasa dhe shtresa me bindje politike nga më të ndryshmet.