E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sot vendoset për pasaportat

Përfaqësues të kompanisë austriake “Osterreichische Staatsdruckerei” kanë sot afatin e fundit kur duhet të përgjigjen nëse ata duan të paguajnë TVSH dhe doganën për pasaportat biometrike.

Çdo përgjigje ndryshe e këtyre zyrtarëve nënkupton shkëputjen e kontratës ndërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe kompanisë që ka fituar tenderin për prodhimin e pasaportave biometrike për kosovarët.

Edhe të enjten kanë vazhduar takimet mes zyrtarëve të MPB dhe atyre austriakë.

Një burim i Express-it ka thënë se palët janë larg arritjes së ndonjë marrëveshjeje.

“ MPB nuk lëviz nga qëndrimet se TVSH dhe dogana duhen paguar. Nuk mund të negociohet në kontratën e cila është shpallur përmes tenderit”, ka thënë ky burim i gazetës.

E Behar Haziraj, zyrtar për media në këtë ministri, ka konfirmuar takimin e së enjtes.

“Komisioni i ekspertëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme ka mbajtur të enjten takim për të vlerësuar rrethanat dhe për respektim të afateve sa i përket kontesteve dhe në bazë të vlerësimeve dhe konstatimeve të komisionit, kompania austriake ka afat ligjor që të përgjigjet deri sot më 25 janar, deri në orën 24:00. Dhe meqenëse e shtuna dhe e diela janë zyrtarisht pushim, MPB-ja do të marrë vendim të hënën më 28 janar”, ka thënë ai.

Kohë më parë edhe sekretari permanent në MPB ka thënë se edhe në takimet e mëparshme nuk kanë rezultuar me ndonjë qëndrim konkret, përveç asaj që është përsëritur se Ministria e Punëve e Brendshme qëndron pas asaj që kompania austriake duhet të paguajë doganë dhe tatimin mbi vlerën e shtuar për pasaportat e prodhuar sipas ligjeve në vend.

“Takimi ka zgjatur diku rreth pesë orë. Ne nuk lëkundemi nga qëndrimet tona se duhen paguar TSVH dhe dogana. Nuk duam bishtnim të kontratës”, ka thënë Ilhami Gashi, sekretar permanent në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Të njëjtën gjë e ka thënë edhe ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, në një intervistë të dhënë për gazetën para disa ditësh.

“Kur është nënshkruar kontrata, sipas ligjeve tona, furnizuesi duhet të paguajë edhe TVSH dhe taksën doganore, edhe këtu e kemi një problem. Juristët e tyre mendojnë që mos të paguajnë TVSH dhe doganë, sepse po u kushton shumë dhe nuk e kanë llogarinë ekonomike. Ndërsa neve na obligon ligji që t’i bëjmë. Një grup ekspertësh nga të dyja palët do të propozojnë alternativat në çfarë mënyre të vazhdojmë furnizimin me pasaporta nga kjo kompani”, ka thënë Bajram Rexhepi.

“Janë dy mundësi: të gjejmë një zgjidhje racionale për të dyja palët ose nëse kurrsesi ata nuk binden, mund të vijë deri te shkëputja e kontratës. Nuk dua të paragjykoj, por nëse nuk ka zgjidhje, duhet të prishet”, vlerëson ai.

Edhe Rexhepi e edhe Gashi kanë thënë se në rast të prishjes së kontratës, atëherë më procedurë të shpejtë do të hapet nj tender i ri për prodhimin e pasaportave në mënyrë që qytetarët të mos mbesin pa ta./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›