Sotir Papahristo ; Helenisti me “Autobiogafi” të panjohur
Për herë të parë botohet i plotë, me tetë libra, vepra monumentale e Tuqididit, “Lufta e Peloponezit”, përkthyer nga Sotir Papahristo në vitin ‘70-të. Pas 30 viteve nga vdekja e helenistit përmbushet amaneti i tij, përkthimi i veprës që u ndalua sa qe gjallë dhe u botua gjysmak nga diktatura. Për 56 vjet, Papahristo i shërbeu kulturës shqiptare si arsimtar dhe si shkrimtar.
Në “Autobiografinë” e tij, që gazeta “standard” e boton për herë të parë të plotë dhe që është krejt e panjohur për publikun, Papahristo është njeriu, që ka përjetuar kohën dhe botën e tij të brendshme shpirtërore me të gjitha ndjesitë që i ka sjellë jeta -dashurinë për gruan, të cilësuar të rrallë nga vetë ai, dhembshurinë dhe ngazëllimin për fëmijët; përgjegjshmërinë dhe dëshminë e qytetarit për atmosferën e kohës ku jetoi - prej vitit 1882-1968.
Trashëgimtarja e prof. Papahristos, Vasilika Petrela, tregon gjithë kalvarin e përkthyesit dhe arsyet pse u ndalua vepra në diktaturë
Kur helenisti Sotir Papahristo po jepte shpirt - dhe jeta fizike po i errej - gjuhëtari Eqerem Çabej i bën një rreng. E gënjen duke i thënë se u mor vendimi për të botuar veprën monumentale “Lufta e Peloponezit” të Tuqididit. Për të bijën, Vasilika Petrela, që sot është 81 vjeç - ky është momenti më domethënës në jetën e përkthyesit - Papahristo u ngrit dhe vdekja i shtoi dy ditë jetë. Tetë librat e përfshira në “Luftën e Peloponezit” ishin përkthyer prej dy vitesh nga greqishtja e vjetër, dhe bashkë me librin “Jetë paralele” të Plutarkut - ishin për profesorin nga dëshirat e fundit të jetës së tij. Por në të gjallë kjo vepër nuk u botua. Papahristo asnjëherë nuk mori arsyen e vërtetë të mosbotimit. Pas vdekjes del një përkthim i censuruar, pa kapitujt e mesëm dhe të konsideruar mjaft të rëndësishëm për veprën si “Epitafi i Perikliut”.
Prej atëherë kanë kaluar plot 30 vjet nga vdekja e përkthyesit dhe në treg prej ditësh është hedhur në qarkullim botimi i plotë në shqip i Tuqididit, me të cilin trashëgimtarja përmbush amanetin e përkthyesit të saj, Sotir Papahristos.
Ky rast botimi njeh thelbin e asaj çfarë predikonte dhe Tuqididi se “lufta është një mësuese e dhunshme”, me financimin e Ministrisë së Kulturës, ardhur prej botimeve “Almera”.
“Historia e Luftës së Peloponezit” është përpjekja e qytetit të Athinës për të rimëkëmbur veten, që është përdorur nga historiografia si dëshmi shkencore. Athina kishte shpresa ta rifitonte hegjemoninë e dikurshme, por në vitin 405 (p.e.r.) iu shkatërrua plotësisht flota në betejën e Aegospotanit (Lumi i dhive). Athina pas një viti u dorëzua pa kushte te Sparta. Sparta nuk e shkatërroi qytetin e Athinës, i hoqi çdo fuqi për të nisur ndonjë luftë në të ardhmen, i solli në fuqi një regjim oligarkik nën Tridhjetë Tiranët. Në vitin 403 u rivendos demokracia, kultura athinase lulëzoi përsëri. Por lufta dhe murtaja e rrënuan me pasoja të pariparueshme Athinën: më 431 kur filloi lufta kishte rreth 40 mijë burra, më 317 kishte 21 mijë - Pas këtyre luftërave rrënimtare për të dyja, për Athinën dhe për Spartën, do të hyjë në histori Aleksandri i Madh i Maqedonisë, i cili shënon fillimin e një epoke të re, e një kulture të re pas asaj klasike, të epokës heleniste - e gjithë kjo histori është e përfshirë në tetë libra. Në vitin 1986 nga Komiteti Qendror i vjen të bijës urdhri për të dorëzuar librin e përkthyer nga Papahristo. Pa dhënë asnjë arsye, botimi del gjysmak.
Trashëgimtarja e veprës së helenistit, Vasilika Petrela, e cila ka qenë dëshmitare e botimit të parë, tregon se kjo vepër monumentale ka pasur një tirazh të rrallë, prej 2000 kopje, që është shitur në mënyrë të pabesueshme. Para se libri të dilte në treg, Vasilika na siguroi se libri do të shoqërohej me parathënien e përkthyesit, por nuk ka ndodhur kështu. Ajo që tërheq vëmendjen nga parathënia është dedikimi që përkthyesi i ka bërë të birit, Amindës, që vdiq në moshën 16-vjeçare, në 1947. Sëmundja i ndodhi në kohën kur ishte në aksion për ndërtimin e hekurudhës Durrës-Elbasan. Himni i Sofokliut për njeriun ishte dedikimi i përkthyesit për fatkeqësinë që e përjetoi rëndë - ku në letrën e tij “Dëshirat e mia të fundit”, ai lë amanet që ta varrosin pranë të birit.
Për 56 vjet, Papahristo i shërbeu kulturës shqiptare si arsimtar dhe si shkrimtar. Në shënimet e tij të fundit, në “Autobiografia” që e botojmë për herë të parë, ai na sjell dëshminë e punës së paimagjinueshme të kryer prej tij - që deri ditën e fundit vazhdoi të përkthente “Jetët paralele” të Plutarkut, po ashtu të ndjehej i gufuar nga gëzimi, por dhe i injoruar për botimin e plotë të veprës “Lufta e Peloponezit”.
Në “Autobiografinë” e tij, që gazeta “standard” e boton për herë të parë të plotë, dhe që është krejt e panjohur për publikun, Papahristo është njeriu, që ka përjetuar kohën dhe botën e tij të brendshme shpirtërore me të gjitha ndjesitë që i ka sjellë jeta -dashurinë për gruan, të cilësuar të rrallë nga vetë ai, dhembshurinë dhe ngazëllimin për fëmijët; përgjegjshmërinë dhe dëshminë e qytetarit për atmosferën e kohës ku jetoi. Ndoshta është ndër rrëfimet e rralla që kemi në duar - të shkruar me ndjeshmëri të hollë, me përulësi, përmes së cilës kuptojmë një personalitet që nuk njeh kufij të intelektit dhe të moshës. Brishtësia e tij është shoqëruese dhe prodhuese e gjithë ndjeshmërive që ka profesori qysh kur lë fshatin e tij, kur është arsimtar, kur i duhej të mësonte vetë mësuesit, që na risjell të idealizuar këtë profesion, të drejtonte arsimin dhe njëkohësisht t’i përkushtohej familjes, dhe mbi të gjitha krijimtarisë -përkthimit. Prej vitit 1912 kur u kthye nga studimet në Universitetin e Athinës (1907-1912), Fakulteti i Filologjisë nisi punën si arsimtar në Korçë, si mësues i greqishtes së vjetër, latinishtes dhe historinë. Papahristo punon si drejtori i Përgjithshëm i Arsimit vetëm në kohën kur ishte Zogu President, (kështu e cilëson Papahristo), me kryeministër Koço Kotën. Këtë post ai e merr pas një kalvari të gjatë, si inspektor në këtë drejtori, duke zënë vendin e Mihal Sherkos.
Papahristo tregon e bija, Vasilika, arrin të ndërtojë rregulloren, programet e para të arsimit bashkë me personalitete të njohura të kohës si Mirash Ivanaj, Aleksandër Xhuvanin etj. Por këtu, Papahristo nuk do t’i rezistonte gjatë pasi korrupsioni, privilegjet personale të njerëzve të rëndësishëm nuk e lanë të punonte i qetë-duke u detyruar të japë dorëheqjen për të mos vepruar kundër ndërgjegjes së tij.
Ai përfundimisht i kthehet liceut franko-shqiptar në Korçë. Prej vitit 1947 ka punuar si nëpunës në Institutin e Studimeve shqiptare dhe më vonë i shkencave dhe më pas si nëpunës i ndërmarrjes së botimeve dhe në fund bashkëpunëtor i Fakultetit të Histori-Filologjisë, nga viti 1947 dhe deri më 1967 kur doli në pension është marrë me përkthimet dhe hartimet e veprave më madhore nga letërsia e vjetër greke, që janë të renditura më poshtë, të botuara pas çlirimit. Papahristo është skrupuloz në të dhënat faktike duke lënë shënim gjithçka ka lidhje me karrierën dhe punën e tij. Përmes kësaj mësojmë se në vitin 1963 mori titullin “kandidat i shkencave filologjike”, nga komisioni i Ministrisë së Arsimit, në bazë të veprave të përkthyera. Në vitin 1962 iu dha dekorimi “Urdhri i klasës së parë”, për kontributin si arsimtar. Më 1964 transferohet në Fakultetin e Histori-Filologji si bashkëpunëtor shkencor. Këtu ka vazhduar përkthimet deri në vitin 1968, vit kur doli në pension. Edhe si pensionist vazhdoi përkthimin e “Jeta e Plutarkut” duke u porositur nga Drejtorisë Arsimore, që kjo lëndë t’i dorëzohej Institutit të Studimeve. Helenisti, i kthehet herë pas herë faktit se iu donte të punonte shumë për të përmirësuar buxhetin por dhe për të zhdukur hidhërimin shpirtëror, nga fatkeqësitë që i ndodhën, e sidomos në vitet e pensionit edhe me vdekjen e gruas të tij.
Të gjitha dramat ndodhen të daktilografuar në zyrën përkatëse të Ndërmarrjes së Botimeve “Naim Frashëri” të Tiranës. Për të shumtat thotë helenisti “kam kopje në bibliotekën time”. Teksti i Tuqididit bashkë me hyrjen dhe “Jetët Paralele” të Plutarkut profesori e ka lënë shënim se ndodhen në zyrën e Institutit të Historisë-Gjuhësisë, ca janë të daktilografuar dhe ca janë dorëshkrime. Ky është bilanci i veprave që përkthyesi ka lënë shënim, të dokumentuar, si punë e kryer prej tij deri në shtator të vitit 1969.
Me botimin e dy veprave që kishte amanet përkthyesi, “Jetë paralele” të Plutarkut që u botua në 2006, si dhe me daljen tani në treg të “Luftës së Peleponezit”, të plotë, - kemi rikthimin e helenistit, atij që Çabej me të drejtë e quan “të fundit” të greqishtes së vjetër.
E bija, Vasilika Petrela, tregon për herë të parë pse kjo vepër u censurua, lidhjet e profesorit me gjuhëtarin Eqerem Çabej, dhe njerëzit e lartë të regjimit, të cilët e përdorën dhuntinë e tij duke përkthyer faqe pa fund nga greqishtja e vjetër, duke mbushur arkivat e instituteve.
Sapo ka dalë në treg botimi i plotë i Tuqididit, “Lufta e Peloponezit”, përkthyer nga babai juaj, profesori Sotir Papahristo. Çfarë përmbushet për përkthyesin me këtë botim, dimë që ka një histori censure?
Babai ka pasur ëndërr që të botohej “Historia e Luftës së Peloponezit” dhe biografia e Plutarkut. Ka qenë një kalvar. E përcillnin me gënjeshtra dhe me shumë pretekste. Bëhet fjalë për vitet ’70-të. Kishte 7 vjet që luftonte për botimin e “Historisë” së Tukididit. Me këtë botim përmbushet një amanet i tij për ta parë botimin e plotë, pasi ekziston një botim pas vdekjes së tij, ku është hequr një kapitulli i rëndësishëm “Epitafet e Perikliut”. Sa qe në gjallje babait iu tha kjo gjë, por ai kurrë nuk pranoi që ta botonte të gjysmak librin. Por kjo ndodhi pas vdekjes së tij. Ndaj kjo ishte arsyeja që arritëm ta botonim, për të përmbushur amanetin e tij - ta kishim të plotë në shqip. Iu deshën 2 vjet përkthim, është një libër shkencor dhe historik dhe mjaft voluminoz.
Pse nuk pranonin ta botonin, cilat ishin arsyet që i jepnin?
Nuk është aktuale, s’është në përputhje me vijën e partisë dhe një seri pretekstesh. Mes të tjerash donin ta botonin me kushtin që t’i hiqeshin disa libra “Historisë”. Babai nuk pranoi. Tani do t’ju tregoj një episod shumë interesant dhe prekës. Babai kishte miqësi të madhe me prof. Çabejn. Mendoni që kur vinte Çabej flisnin të dy latinisht. Kishe qejf të shikoje dy figura të mëdha që flisnin latinisht.
Para se të vdiste babai, shoh Çabejn që ngjit shkallët nga e dy e nga dy dhe më tha: Lika kam ardhur për një gënjeshtër të dobishme. Hyn brenda dhe i thotë: Kam ardhur për një lajm të gëzuar. Do botohet në Kosovë, Tuqididi dhe Plutarku. Babai ngrihet nga shtrati, i puth dorën: Ah, mor Eqrem, ç’më gëzove.
Kjo “gënjeshtër e dobishme” e gjuhëtarit i shtoi dy ditë jetë kur e prisnim të vdiste. Për këtë, madje filloi të fliste më dendur, derisa vdiq, me gëzimin që i dha Çabej. Babi vdiq më ‘79. Në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve iu bënë homazhet. Të pranishëm ishin edhe Nexhmije Hoxha dhe Behar Shtylla, që babai i ka pasur nxënës, njërin në Liceun e Korçës, tjetrën në Institutin “Nëna Mbretëreshë”. Çabej priti rastin dhe tha që me vdekjen e Sotir Papahristos iku helenisti i fundit, në Shqipëri, dhe tregoi gënjeshtrën dhe pengun e madh që kishte babai për të botuar këto dy vepra. Aty Behar Shtylla premtoi botimin e të gjitha veprave të babait.
A mund të thuhet sot se pati arsye politike për bllokimin e librit, edhe pse u premtua nga Komiteti Qendror?
Pengesa siç e thashë ishte tek fakti se donin të hiqnin pjesën e mesit, “Epitafet e Perikliut”. Arsyeja, besoj se ishte politike, por edhe xhelozi. Pas pak kohësh, pasi vdiq babai, vjen dikush nga Komiteti Qendror të më takojë dhe me urdhër nga ky komitet më kërkojnë veprat e babait, së bashku me “Luftën e Peloponezit”. Personi që merrej dhe jepte direktiva për këtë punë ishte Androkli Kostallari. Vepra u botua jo e plotë, duke shkelur mbi amanetin e një të vdekuri. Pra vazhdonte të ishte sërish në fuqi preteksti i heqjes së disa kapitujve. U botua në 1986, redaktor ishte Dhimitër Grillo dhe u zhduk shumë shpejt nga qarkullimi. Doli me tirazh 2000 kopje. Sido që të jetë, ajo ishte një dëshpërim për mua. Tani që erdhi kjo ditë dhe plotësohet amaneti i babait jam shumë e gëzuar.
Dorëshkrimet sipas librit autobiografik, ku vetë Papahristo pohon se ka një kopje, a janë ruajtur?
Po, por një pjesë kanë mbetur tek shtëpia botuese e asaj kohe “Naim Frashëri”.
Ju përmendet gjuhëtarin Androkli Kostallari, si i ka pasur marrëdhëniet me babanë tuaj?
Thjesht marrëdhënie pune, babai ka qenë pensionist atëherë.
Më lart thatë se në homazhe kanë marrë pjesë edhe njerëz të pushtetit të asaj kohe, pra të diktaturës. Enver Hoxhën e ka pasur nxënës në liceun e Korçës. Si kanë qenë marrëdhëniet e përkthyesit me regjimin?
Në kohën kur babai ka qenë drejtor në Liceun e Korçës, tregon se u mbyll gjimnazi i Gjirokastrës dhe atëherë nxënësit erdhën në Korçë. Të gjithë thoshte ishin të prapë, bënin marrëzira, jo të disiplinuar, i vetmi që nuk ndihej ishte Enver Hoxha. Mirëpo babai ishte drejtor teknik. Por një ditë drejtori francez i liceut që jepte histori pati një debat me këtë si nxënës. Kur doli profesori francez nga klasa thërriti babanë dhe i tha: zoti Papahristo, është një Enver Hoxha aty, keni për t’ia dëgjuar, emrin edhe zërin po më vonë. Ka qenë dhe një vizitë e gazetarëve grekë në vitin 1977, ku ai u jep atyre opinionin e tij për regjimin. Por nga ana tjetër, edhe në kohën e Enverit atë e kanë thërritur që të bënte përkthimin e veprave nga greqishtja.
Sa i takon politikës së asaj kohe, por në të gjithë kohërat që ka jetuar babai im ka pasur një parim në jetën e tij: i brumosur me parimet e grekëve të vjetër, jetonte me parimin që të mos merrej me politikë. E urrente politikën. Edhe në kohën e regjimit, nuk u bë kurrë oportunist, mbajti në qëndrim neutral.
Ka ndodhur ndonjëherë që të përplasej me regjimin, të ishte i detyruar të përballej? Si ka qenë reagimi?
Po, kur u botua “Antigona”. Në këtë kohë familja jona pati një fatkeqësi, ishte viti 1947. Më ka vdekur një vëlla në moshën 16 vjeç. Kjo e vrau shumë babanë. Kur u botua “Antigona” parathënien që bëri ia dedikoi të birit dhe kjo tingëllonte sentimentale për atë kohë. Në ribotimin e “Antigonës” e thirrën babanë dhe i thanë: Dëgjo, parathënie si kjo që ke bërë ti, ne nuk na shkojnë, prandaj duhet ta ribësh tani me frymë marksiste. Më vjen keq u tha babai, po unë marksizmin nuk e njoh fare. Po atëherë na lejon që ta bëjë ndërmarrja e botimeve? Patjetër – u tha babai.
Cili ka qenë përkthimi më i dashur për Papahriston?
“Luftën e Peloponezit”, e kishte merak të dilte i plotë. Po përkthimi më i dashur? Babai i donte të gjithë grekët e vjetër.
A ka dorëshkrime apo libra të papërfunduara nga puna e tij si përkthyes?
Kemi pasur në shtëpi një enciklopedi shumë të madhe dhe shumë të vlefshme që e shitëm kur më vdiq vëllai. Ishim shumë keq nga ana ekonomike. Nuk di të them se kujt ia shiti, por më duket Bibliotekës Kombëtare, në 1947. Në shtëpi ka mjaft libra, por të gjitha janë greqisht, që fatkeqësisht unë nuk di asnjë fjalë.
Ju jeni trashëgimtarja e gjithës veprës së profesorit?
Ai ka lënë një testament që shtëpinë në Korçë dhe librat m’i lë mua. Unë jam trashëgimtarja. Ai e dinte që s’kishte pasardhës, ashtu siç kishte thënë Çabej që me vdekjen e tij s’kemi më helenist.
Çfarë do të bëhet me librat?
Patjetër që do t’i trashëgojë, vajza ime, Donika. Unë tani jam 81 vjeçe.
Si e mbani mend vdekjen e babait?
Ka qenë vdekje shumë e qetë, por vdekja e mamasë sime ka qenë shumë tronditëse për babanë. Ai jetoi 14 vjet pas vdekjes së saj. Jeta bashkëshortore e tyre është shembullore. Ka qenë një marrëdhënie dashurore e rrallë. Atë kujtimin që kemi ne fëmijët për lidhjen që kishin ata është një gjë e habitshme. Nëna, Evdhoksi kishte bërë vetëm një shkollë greke dhe babai thoshte: mos më shikoni mua, por mamaja ka një zgjuarsi natyrale, edhe është aq e mirë sa e quante engjëll. Dhe në fakt ashtu ka qenë.
Dëshirat e mia të fundit:
1. Kur të vdes, trupi im të mbahet në shtëpi 24 orë pikërisht, që të ketë kohë Meri të vijë nga Italia për të përshëndetur babanë për herë të fundit. Prandaj sapo të vdes ose të tregoj shenja vdekjeje, të lajmërohet menjëherë (me telefon) Meri.
2. Trupi të vendoset pranë varrit të Miterës në rast se s’ka vend të nxirren koskat e saj dhe trupi im të vendoset në varr të saj. Koskat e saj të vendosen në një arkë dhe kjo të vihet brenda varrit tim.
3. Mbi varrin tim të shkruhet, Sotir Papahristo (1887-
Shënim: Në rast se ka vend nga ana e varrit të djalit (Amindës) të varrosem aty.
Tiranë, nëntor 1974
S. Papahristo
Autobiografi
Periudha (1887-1901)
U linda në Vëmbell, katund një orë e gjysmë larg Bilishtit, nga ana e lindjes, në vitin 1887, më 11 dhjetor dhe ditën e enjte (kalendar i vjetër). Emri i katundit u ndërrua pas pushtimit të tij prej grekëve në 1912, dhe u quajt Moshohori. Mësimet e para i mora në shkollën e fshatit, për mësues pata disa gjysmakë, të cilët me metodën e tyre të çalë më lanë shumë të dobët, gjë qe e ndjeva kur u regjistrova në gjimnazin e Korçës, ku me një mijë bela më pranuan. Pa mbaruar as shkollën e fshatit- isha 10 vjeç-n jë bashkëfshatar, agjent i serbëve, na dërgoi mua, një vajzë nga fshati dhe një djalë nga katundi fqinjë Smërdesht, me bursë në gjimnazin serb të Manastirit. Për fat të mirë nuk vazhdova në këtë shkollë. Një nostalgji e patreguar më kishte kapur, aq sa ditë e natë qaja në internat. Drejtoria atëherë lajmëroi familjen time, e cila dërgoi vëllanë tim Llazar dhe më mori në shtëpi. Fati im s’deshi të më largojë nga studimet e klasikëve të vjetër grekë, për të cilët kisha një dashuri të veçantë, dhe me të cilët do të lozja më vonë një farë roli të dobishëm si profesor e si shkrimtar. Po të mbetesha në gjimnazin serb do të shijoja e do të mësoja vetëm kulturën sllave, një kulturë e kufizuar tepër...
***
Në vitin 1897 u bë lufta truke-greke, e shkaktuar nga çështje të Kretës, e cila, pas një kryengritje, kërkonte të bashkohej me Greqinë. Një pjesë e ushtrisë turke, duke kaluar nga Follorina përmes krahinës “Kureshta”, zbriti dhe në katundin tonë. Tmerr i madh pushtoi banorët e sidomos ne të rinjtë, kur dëgjuam se ushtria turke arrin në fshat. Shumë herë kishim dëgjuar nga pleqtë për mizoritë që bënin turqit, në kohët e kaluara. Prandaj emri “turk” na kallte frikën. Për fat të mirë ushtria qëndroi një natë vetëm dhe s’bëri ndonjë të keqe, u suall shumë e disiplinuar, ashtu si u suall edhe në Korçë më 1912 gjatë Luftës ballkanike, siç do ta shohim më poshtë
Periudha e II (1901-1907)
Më 1901 im atë-prift atëherë- më shpuri në gjimnazin grek të Korçës me bursë të mitropolisë së këtij qyteti. Mezi më pranuan në klasën e parë, isha i dobët, sidomos në matematikë. Me ndërhyrjen e mitropolitit Gjervasios Orollogas, më regjistruan; po vuajta shumë’ shokët kishin përparuar në tërë mësimet. Unë pastaj s’dija asnjë fjalë frëngjisht, ndërsa shokët kishin bërë frëngjisht një mot të tërë në shkollat fillore të qytetit. U dëshpërova, për ditë qaja i mbyllur në shtëpinë e paramanës (shërbëtores në mitropoli) ku më vuri mitropoliasi në pension. Por shpejt i arrita shokët në sajë të ndihmës që më dhanë disa nga bashkënxënësit. Në fund bile edhe kalova shumë nga këta. Në klasën e dytë pastaj arrita të bëhem një nga të parët nxënës dhe në fund të vitit mora dëftesën me notë të përgjithshme 10. Një nga profesorët, Viska Pula më sillte si shembull e model në klasat e tjera; u thoshte nxënësve: “Papahristo kur erdhi nga fshati ka qenë shumë mbrapa, po me përpjekje e kujdesje të vazhdueshme, arrin të bëhet i pari.
Klasën e dytë e mbarova në vitin 1902; për pushimet verore shkova në fshat. Përshtypje më bëri mënyra e ftohtë, me të cilën më pritën prindërit, dhe motrat e mëdha. E vura re këtë ftohtësi dhe u dëshpërova. Në ato ditë (15-20 korrik) komitatoja bullgare përgatiste kryengritjen në Maqedoni, me qëllim që të sigurohej autonomia e këtij vendi dhe më vonë të përfundonte në bashkimin me Bullgarinë. Kishin përgatitur një njësi të tërë nga banorët e katundeve, të cilët i kishin armatosur dhe stërvitur natën, për të mos u kuptuar nga autoritetet turke. Edhe banorët e fshatit tim i kishin bërë gati; edhe këta do t’i merrnin armët sapo të jepej sinjali. Pleqtë, gratë, fëmijët, dhe ata që nuk ishin për luftë, do të ngjiteshin në mal, sipas propozimit që kishin bërë me kohë. Në këto rrethana që s’mungonte rreziku, familja ime do të dëshironte të mos ndodhesha aty, po të veja në Korçë. Kështu shpjegohet ftohtësia, me të cilën më pritën. Im atë, ndjesë pastë, njeri me mendje të hollë, dhe parashikuese, shpiku mënyrën të më largonte. Një të mërkurë- të nesërmen ditë e enjte (kur bëhej Pazar në Bilisht) do të shpallej kryengritja dhe do të mbylleshin rrugët- më dërgoi bashkë me bakallin e fshatit në Bilisht, për të bërë gjoja Pazar, pretekst ky që të më largonte nga fshati. Si ma shpengoi më vonë parashikonte katastrofë, e deshi që të shpëtoja të paktën unë, për të mos u shuar farë emri i familjes. Si mbaroi pazari, i them bakallit që të ktheheshim në fshat; po ky (im atë e kishte porositur fshehurazi që të mos mbante aty tërë ditën, e mbrëmanet të më përcillte në Korçë bashkë me disa tregtarë korçarë, që kishin dyqane në Bilisht). Qava, ju luta të ktheheshim në fshat, po ai nuk u tund fare. Ndaj mbrëmjes më vuri në karrocën e tregtarëve dhe më përcolli në Korçë; lotet më rridhnin tërë udhës, që nuk u ktheva dot në fshat.
Të nesërmen (20 korrik 1902) u shpall kryengritja. Fshatarët të gjithë braktisën shtëpitë dhe u ngjitën në mal. Devollinjtë, muhamedanë e grabitën dhe e dogjën fshatin. Në mal ndodhi një tragjedi e tmerrshme; 20 të rinj dhe disa të shkuar nga mosha ishin fshehur në një shpellë të madhe. Por ushtria turke i diktoi dhe i ftoi të dorëzohen. U dorëzuan për provë dy veta, por me të dalë nga shpella u copëtuan prej ushtarëve. Ata të shpellës, duke dëgjuar lebetitë e shokëve të tyre s’deshën të dorëzohen. Atëherë ushtria e mbushi grykën me shkarpa e kashtë dhe i vuri zjarrin; tymi i madh u hap në shpellë me rrezik të vdesin të gjithë nga asfiksia. U zhvillua një skenë e tmerruar; një nga ata, që ishte guximtar, rrëmben pushkën dhe i vret të gjithë, përveç njërit, i cili çuditërisht mundi të shpëtojë, por me njërin vesh të prerë në sajë të shpejtësisë së këmbëve. Edhe këtu shoh gishtin e fatit tim. Po të mos kisha ikur nga fshati, sigurisht do të isha me të 20-ët, mbasi për armë nuk isha i zoti, dhe do të gjeja vdekje të llahtarisur. E kurseu jetën time se mbase parashikonte veprimtarinë që do të zhvilloja në të ardhmen si eduktar dhe si shkrimtar....
Vazhdon nesër
Veprat e lënë si dorëshkrim dhe të botuara
Para çlirimit
(Ka shkruar vepra origjinale, të adaptuar, dhe të përkthyera; pedagogjike, didaktike, metodike, letrare etj): Bioskautizmi(adaptim), 1923; Mbi rritjen e foshnjës (përkthim), 1924; Qeverimi i fëmijëve në shkollë (origjinale), 1929; Mësime shembullore për shkollat fillore e të mesme (origjinale),1930; Jeta e Pirros (sipas Plutarkut, përkthim), 1934; Jeta e Marit (sipas Plutarkut, përkthim), 1935; Hartimet dhe ushtrimet në shkollat fillore dhe të mesme (origjinale), 1936; Gramatika e greqishtes së vjetër (origjinale) I, 1938; Gramatika e greqishtes së vjetër (origjinale)II, 1940;Sintaksa e greqishtes së Vjetër (origjinale),1942; Tri Biografi nga Plutarku (adaptim), 1943; Copë nga moralet e Plutarkut (adaptim), 1943; Karakteret e Theofrastit (përkthim), 1944;
Pas çlirimit
Manuali i Epitektit (përkthim), 1945; Këshilla për Domenikun Isokrati (përkthim), 1946; Ka përkthyer nga greqishtja në shqip arkivin e Institutit të Shkencave; nga historianët grekë dhe romanë ka përkthyer pjesët që flasin për Shqipërinë (përfshirë këtu me qindra faqe të daktilografuar); ka përkthyer të gjitha dramat e Sofokliut, 7 vepra; ka përkthyer të gjitha dramat e Eskilit, 7 vepra; ka përkthyer gjashtë drama nga Euripidi; ka përkthyer katër komedi nga Aristofani; “Poetika” e Aristotelitl; ka hartuar antologjinë e prozës greke (pjesët më të zgjedhua nga prozatorë më të mëdhenj të Greqisë së Vjetër); ka përkthyer veprën monumentale Historia e Luftës së Peloponezit të Tuqididit, shoqëruar me një hyrje të gjatë; ka përkthyer “Jetët Paralele” të Plutarkut.
Nga “Jetët paralele” të Plutarkut janë përkthyer 21 vepra: Aleksandri i Madh; Jul Çezari; Demostheni; Ciceroni; Aristidi; Katon Plaku; Perikliu; Fabius Maksimums; Themistokliu; Kamilli; Soloni; Poplikolas; Pirrua; G.Marius; Foqioni; Katoni Rii; Mark Bruti; Tiberius Grakhos etj. Para clirimit është botuar vetëm “Jeta e Pirros”, të tjerat janë të pabotuara (sipas shënimeve të Papahristos)
Nga Eksili janë përkthyer të shtatë dramat: Prometheu i lidhur; Perset; Orestia (Agamemnoni, Koeforët,Eumenidet); Lutëset
Nga këto janë botuar: Prometheu i Lidhur, Persët dhe Orestia.
Nga Sofokliu janë përkthyer të shtatë dramat: Antigona; Elektra; Ajaksi; Edipi Mbret; Edipi në Kolonë; Trahiniet; Filokteti.
Nga këto janë botuar: Antigona, Elektra.
Nga Euripidi janë përkthyer gjashtë drama: Medea; Ipoliti; Hekuba; Andromaka; Ifigjenia në Aulidë; Ifigjenia në Tauridë.
Nga këto janë botuar: Medea, Ifigjenia në Aulidë.
Nga Aristofani janë përkthyer katër komedi: Pluti; Bretkosat; retë; Akarneasit.
Nga këto janë botuar: Pluti, Bretkosat.
Tuqididi, epoka dhe “Lufta e Peloponezit”
Mark Simoni
- “Lufta është një mësuese e dhunshme”-Tuqididi
Historian zanafillor, ku disa gjëra rreth jetës së tij i marrim vesh nga vetë libri që është dhe informacioni më i besueshëm, në historinë “Lufta Peloponezit”, e cila tregon për origjinën e Tuqididit, se gjatë luftës mori sëmundjen e murtajës, u infektua, dhe se si dërgohet në ekzil.
Evidencat nga periudha klasike
Tuqididi e identifikon veten si athinas, i biri i Oloros që i mbijetoi murtajës. Në këtë rast, na kujtohet se, një prej personazheve më simpatik për Tuqididin, ka qenë Perikliu, i cili vetë ka vdekur nga murtaja. Tuqididi dhe familja e tij qenë zotërues të minierave të arit, që i kishin në Trakë. Pikërisht atje u dërgua për ekzil dhe vetë Tuqididi që e komprometon disi faktin nëse ai shkoi pranë minierave të tij apo u dërgua për gabimin që bëri gjatë një lufte që do ta përmendim më poshtë. Disa shënime thonë se atje u dërgua si strateg (gjeneral) dhe ndenji plot 20 vjet. Një tjetër personazh ushtarak, Eukles, komandant athinas u dërgua tek Tuqididi për ta ndihmuar.
Kur ra Anfipolis, në Athinë u bë zhurmë e debat i madh për humbjen dhe gabimet e bëra. Një pjesë e madhe e faji i ra Tuqididit, i cili u dërgua menjëherë në ekzil.
“Ishte fati im, dërgimi në ekzil- shkruan Historiani- larg vendit tim për 20 vjet. Dhe duke njohur të dy palët (veçanërisht peloponezët), unë kisha kohë të vëzhgoja këto çështje në mënyrë të veçantë”.
Këtu bëhet fjalë dhe për statusin e tij të veçantë si i internuar (mërguar nga Athina).
Kjo ka qenë padyshim një nga kohët më të favorshme për të shkruar histori dhe veprën “Lufta e Peloponezit”, si dhe shumë studime dhe kërkime për historinë e asaj kohe. Po për atë periudhë është angazhuar dhe historiani tjetër i madh antik Herodoti.
I ati i Tuqididit, Oloros, qe i lidhur shumë me Trakën dhe mbretërinë e Trakës, mbasi familja e Tuqididit kishte lidhje me minierat Skapte Hyles dhe zotëronte prona të mëdha në Trakë. Prandaj kur e dërguan në ekzil, Tuqididi kishte mundësi të mëdha financiare për të bërë ekspedita kërkuese dhe për t’iu përkushtuar e dedikuar shkrimeve të historisë. Kështu pra, në një farë mënyre, Tuqididi ka qenë xhentellmeni i parë antik që me lidhje të mira e me resurse, që vendosi të sponsorizojë pasuri për projektet e tij shkencore.
Burime të mëvonshme
Pavarësisht se ka jo pak evidenca faktesh për jetën e Tuqididit, një pjesë e tyre gjithsesi janë më pak të besueshme. Sipas Pausanias: Dikush me emrin Oenobius bëri një ligj për kthimin e Tuqididit në Athinë. Gjatë kthimit historiani vritet. Plutarku (diku andej nga 404 apo 397 pas Krishtit) thotë se eshtrat e Tuqididit u kthyen në varrezën e familjes, Kimon. Një datë tjetër 411, është ai fakt që na dërgon të mendojmë në atë që Tuqididi u vra (apo dhe vdiq, mendimi i ca të tjerëve), pikërisht në atë periudhë që shkruante librin. Ka dhe shpjegime të tjera rreth kësaj ngjarje e këtij momenti.
Arsimimi
Nuk ka evidence të sigurta për formimin e tij arsimor, dhe ato që janë kanë karakter retorik. Por vetë Tuqididi ka karakteristikë retorikën narrative, ku na ndihmon të kuptojmë se ai vetë qe i familjarizuar me mësimet e sofistëve (lektorë udhëtar që frekuentonin Athinën dhe qytetet e tjera greke). Gjithashtu fokusi strikt i Tuqididit mbi raportin shkak-pasojë, përkushtimi i tij për fenomene të observueshme, duke përjashtuar faktorë të tjerë, na bën të dallojmë se proza e tij u influencua nga metodat dhe të menduarit e shkruesve të hershëm mjekësorë si Hipokrati i Kos-it. Madje shumë studiues thonë që Tuqididi kishte përgatitje të mira mjekësore.
Karakteri
Tiparet e karakterit i shquajmë dhe nga faqet e “Lufta e Peloponezit”. Humori, gjendja sardonike, sensi, është evident gjatë përshkrimit të murtajës në Athinë: “Athinasit e vjetër dukej sikur kujtonin një rimë që thoshte se bashkë me luftën Doriane do të vinte dhe vdekja e madhe”.
Një tipar i karakterit të tij na shquhet nga fakti që Tuqididi admironte Perikliun, fuqinë e tij mbi njerëzit, dhe tregonte një mungesë të madhe respekti për gjithë ata të tjerët demagogë që e ndoqën atë. Gjithashtu Tuqididi prekej nga vuajtjet e luftës dhe shqetësohej për tejkalimet me të cilat natyra njerëzore ushtron tendencën e saj. Kjo shihet sidomos në analizën që ai i bën konfliktit civil në Korkyrë, për të cilën Tuqididi arrin në një përfundim të madh; “Lufta është një mësuese e dhunshme”.
Tuqididi dhe Herodoti
Tuqididi dhe Herodoti kanë ushtruar një influencë të madhe në Perëndimin modern, dhe një ndikim domethënës në historiografinë botërore. Herodoti shkroi librin “Historitë” me ngjarje të luftës me Persët. Në të ka një informacion të madh gjeografik dhe etnografik, ashtu si historitë mitike gjatë udhëtimeve të tij, ku e lë lexuesin të vendosë se çfarë ai duhet të besojë. Një pjesë e veprave të tyre është lexuar në festivale çmimesh në Athinë. Tuqididi (ndrysh nga Herodoti) e shikon jetën ekskluzivisht si jetë politike, dhe historinë si histori politike, ku moraliteti nuk luan rol në analizat e ngjarjeve politike, ndërsa aspektet gjeografike dhe etnografike janë të rëndësisë së dorës së dytë.
Ndërsa Herodoti e shikon historinë si burim leksionesh morale, dhe luftërat e konfliktet si rrjedhojë e padrejtësive dhe që jep mësime morale për të ardhmen.
Ciceroni e ka quajtur Herodotin “Babai i historisë”. Si Tuqididi ashtu dhe Herodoti u harruan disi në Mesjetë, ashtu si dhe Rilindja që nuk i trajtoi shumë. Megjithatë Makiaveli (filozofi fiorentinas i shekullit të 16) megjithëse e kalon shqitas Tuqididin, e përmend si një argument te vepra “Princi”. Në shekullin e 17 filozofi politik anglez Tomas Hobbes, dhe po atëherë dhe Leviathan (më 1628), pra, këta të tre së bashku, që konsiderohen pionierët e Realizmit Politik, thonë që “Shtetet së pari janë të motivuara nga dëshira për fuqi ekonomike dhe ushtarake, ose siguri, më shumë se sa idealet dhe parimet etike.” Reputacioni i Tuqididit u rrit dhe u gjallërua shumë, sidomos në shekullin e 19-të e më pas. Kulti i filozofëve gjermanë, Sheling, Shlegel, Niçe e konsideruan si historiani model i historisë së vjetër, dhe vlerësuan komponentin filozofik dhe artistik të punës së tij “Lufta e Peloponezit”. Në shekullin e 20-të influenca e teorisë së Tuqididit u shtri sidomos në sferën e marrëdhënieve ndërkombëtare.